Nga sondazhi im i fundit rezultoi se mbi 80% e shqiptarëve brenda Shqipërisë duan një Kombëtare Kuqezi, në vend të dy përfaqësueseve shqiptare në futbollin ndërkombëtar. Ndoshta jo rastësisht, në një sondazh rajonal që kam bashkëdrejtuar para dy vjetësh, pothuaj 80% e shqiptarëve brenda Shqipërisë dëshironin bashkimin politik të Shqipërisë me Kosovën…

Por le të përqendrohemi tek futbolli.

Deri në vitin 1990, në Kombëtaren Kuqezi luanin vetëm futbollistë që aktivizoheshin në kampionatin shqiptar. Për arsye të vetëkuptueshme të asaj kohe…

Pas vitit 1990, në Kombëtaren Kuqezi luajtën futbollistë me origjinë nga të gjitha trevat shqiptare, që aktivizoheshin në kampionate të ndryshme europiane. Dhe eventualisht, ata futbollistë arritën ta çojnë Kombëtaren Kuqezi deri në turneun e Kampionatit Europian më 2016 dhe më 2024.

Kombëtarja Kuqezi e 2016-ës (që kishte përjetuar më parë skena dramatike në stadiumin e Beogradit) përbënte suksesin më të madh të bashkimit kombëtar, të paktën në fushën e futbollit. Por një ngjarje sinjifikative (jo në fushën futbollit, por atë gjeopolitike) shënoi më vonë edhe futja e Përfaqësues së Kosovës në kompeticionet zyrtare të FIFA-s.

Teksa Kosova ende nuk njihet zyrtarisht nga OKB-ja si shtet sovran, në kompeticionet futbollistike të FIFA-s njihet si e tillë. Dhe kjo është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme gjeopolitike.

Po a kanë rëndësi tani sukseset futbollistike të Përfaqësueses së Kosovës, para sukseseve të Kombëtares Kuqezi? Për shumicën dërrmuese të tifozëve kuqezinj (kudo që janë), besoj jo aq shumë.

Ne tifozët kuqezinj, kudo që jemi, do të deshim të kishim në Kombëtaren Kuqezi edhe Rahmanin, Muriqin, Arijanet Muriçin, Fisnik Asllanin, Vojvodën, Zhergovën, Rashicën, si dhe çdo talent shqiptar, kudo që ka lindur e kudo që luan futboll.

Kombëtarja Kuqezi është aktualisht i vetmi simbol që përfaqëson bashkimin kombëtar, 113 vjet pas ndarjes zyrtare të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër…