Në sondazhin tim të fundit brenda vendit, pyetjet kryesore drejtuar të anketuarve ishte nëse votuan më 11 maj 2025 dhe për kë votuan (nëse kishin votuar). Sidoqoftë, në sondazh ishin edhe një sërë pyetjesh të tjera, që më dhanë mundësinë të bëja radiografinë e tre segmenteve të elektoratit të Shqipërisë: 1.Votuesit e PS-së; 2.Votuesit e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” të PD-së; 3.Mosvotouesit/votuesit e partive të tjera.

Në sondazh morën pjesë 1460 banorë të rritur të vendit dhe kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.6%.

Nga përgjigjet e të anketuarve, të kolauduara edhe me të dhënat zyrtare të KQZ dhe INSTAT-it, rezulton se përqindjet e tri segmenteve të popullsisë së rritur të vendit janë si vijon: 40.2% votuan PS-në në 11 majin e vjetshëm, 26.4% votuan “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” (PD-ASHM), dhe 33.3% nuk votuan fare ose votuan për partitë e tjera (shihni grafikun e mëposhtëm).

Pa surprizë, 91.5% e të anketuarve që votuan PS-në më 11 maj 2025 e konsiderojnë veten të majtë ideologjikisht, 91.5% e atyre që votuan për PD-ASHM e konsiderojnë veten të djathtë, dhe 62.6% e mosvotuesve apo votuesve të partive të tjera e konsiderojnë veten të qendrës (shihni grafikun e mëposhtëm).

Pothuaj 38% e socialistëve të majit të vjetshëm kanë prejardhje nga familje komuniste, mbi 44% e  “madhështorëve” kanë prejardhje nga familje të përndjekura drejtpërdrejt nga regjimi komunist, dhe 53% e mosvotuesve/votuesve të partive të tjera kanë prejardhje nga familje që s’ishin as komuniste e as të përndjekura nga regjimi komunist (shihni grafikun e mëposhtëm).

Pothuaj 55% e socialistëve të majit të vjetshëm nuk kanë pasur prona për t’u kompensuar apo rikthyer. Kjo përqindje ndër “madhështorët” është 50% dhe ndër mosvotuesit/votuesit e partive të tjera mbi 42% (shihni grafikun e mëposhtëm).

Pa surprizë, 91.5% e socialistëve të majit të vjetshëm mendojnë se partia e tyre ka punuar më shumë për shtresën e varfër dhe të mesme, dhe anasjelltas “madhështorët”. Ndërsa mosvotuesit/votuesit e partive të tjera i kanë opinionet të ndara pothuaj përgjysmë (shihni grafikun e mëposhtëm).

Të trija segmentet elektorale janë të ndara pothuaj më dysh tek opinionet e tyre rreth punës që kanë bërë partitë kryesore për të ndihmuar shtresën e pasur (shihni grafikun e mëposhtëm).

Rreth 55% e socialistëve dhe “madhështorëve” të majit të vjetshëm deklarojnë nivel të ulët të ardhurash familjare. Ndërsa më pak se gjysma e mosvotuesve/votuesve të partive të tjera deklarojnë nivel të ulët të ardhurash familjare (shihni grafikun më poshtë).

Siç shihet në grafikun e mëposhtëm, socialistët e majit të vjetshëm kanë nivelin më të lartë arsimor në elektoratin e Shqipërisë (33.8% me arsim të lartë), të ndjekur nga mosvotuesit/votuesit e partive të tjera (31.4%), dhe në fund “madhështorët” (20.5%).

Socialistët e majit të vjetshëm dhe mosvotuesit/votuesit e partive të tjera janë më urbanë se “madhështorët” (shihni grafikun e mëposhtëm)

Nga grafiku i mëposhtëm, mund të kuptohet lehtë se mosvotuesit/ votuesit e partive të majit të vjetshëm kanë përbërjen moshore më të re, ndjekur nga socialistët dhe “madhështorët”.

Pothuaj 55% e elektoratit socialist të majit të vjetshëm përbëhet nga femrat. Nga ana tjetër, rreth 55% e “madhështorëve” dhe mosvotuesve/votuesve të partive të tjera janë meshkuj (shihni grafikun më poshtë).