Eduard Zaloshnja: Shanset 50-50 për Itali-Shqipëri, modeli statistikor i parashikon 58%-42%

Eduard Zaloshnja: Shanset 50-50 për Itali-Shqipëri, modeli statistikor i parashikon 58%-42%

Stadiumi ku do mbahet ndeshja Itali - Shqiperi per Euro 2024

Nga një model simulacionesh statistikore që kam ndërtuar qysh në dhjetor për “Panorama Sport” (dhe që e kam përditësuar deri ditët e fundit), rezulton se probabiliteti për një rezultat pozitiv (barazim ose fitore) të kombëtares tonë ndaj Italisë është pothuaj 42%. I përkthyer në koeficientë bastesh, ky probabilitet jep koeficientin 2.4 për dopio shans X-2 për kombëtaren tonë.

Në karrierën time kam kryer 62 studime shkencore të botuara në SHBA, por asnjëri s’ka qenë më i vështirë se sa ndërtimi i modelit të simulacioneve statistikore për ndeshjen Itali-Shqipëri. Një merimangë e vërtetë ndërthurjesh probabilitare!  Sidoqoftë janë dy faktorë që nuk munda ti sasiorizoja dot në modelin tim statistikor: tifozerinë shqiptare në stadium dhe motivimin ekstra të futbollistëve tanë ndaj kombëtareve të mëdha.

Le të analizojmë faktorin e parë.

Ka shumë hamendësime në media se sa dhjetra mijra tifozë shqiptarë do të jenë në stadium për ndeshjen Itali-Shqipëri, por me siguri mund të thuhet se ata do të dominojnë në këtë ndeshje të shumëpritur nga të gjithë sportëdashësit shqiptarë, kudo që janë. Dhe tifozeria e zjarrtë shqiptare e ka provuar që ka qenë futbollisti proverbial “i dymbëdhjetetë” në të gjitha ndeshjet e kombëtares sonë.

Një faktor i tillë nuk mund të futet dot në një model statistikor. Sidoqoftë, një hamendje e përafërt mund të bëhet. Në ndeshjet në shtëpi, kombëtrja jonë shënoi gjatë eliminatoreve më shumë gola se sa priteshin nga modelet statistikore, dhe pësoi më pak. Kuptohet që përballë kishte kombëtare më të dobta se kombëtarja italiane, por krahasimi statistikor i mësipërm patjetër që mund të konsiderohet si një faktor plus. Me afërsi, ky faktor mund të na e çojë nga 42% në 46% probabilitetin e një rezultati pozitiv (barazim ose fitore).

Faktori i dytë është mobilizimi që ka demonstruar kombëtarja jonë në ndeshjet me ekipe të mëdha.

Për të mos shkuar tek barazimi ynë i famshëm me Gjermaninë më 1967 apo fitoret e famshme me Belgjikën më 1984 e me Greqinë kampione të 2004-ës, le të fokusohemi më afër te ndeshja me Francën më 2016.

Ishte ndeshja jonë e parë zyrtare në histori në një turne final europian, ku përballeshim me vendin organizator dhe me ekipin favorit për ta fituar atë. Statistikat deri minutëtn e 90-të treguan se, megjithë dominimin në kontrollin e topit, kombëtarja franceze nuk pati ndonjë epërsi të dukshme në treguesit e tjerë të rëndësishëm statistikorë. Ato 90 minuta të para u konsideruan befasia më e madhe statistikore e atij kampionati! U desh një kryevepër e Grizman, që ta zhbllokonte rezultatin për Francën.

Në atë ndeshje, futbollistët tanë realizuan në mbrojtje 40 rikuperime topi, 6 sparkata të sukseshme, 9 bllokime të gjuajtjeve të kundërshtarëve dhe 22 spastrime zone. Një rekord i gjithë turneut, për sa i përket mbrojtjes! 

Në sulm, ne goditëm një herë shtyllën (kur rezultati ishte 0-0), gjuajtëm 9 herë drejt portës kundërshtare, u kapëm 1 herë në pozicion jashtë loje dhe fituam 4 korrne. Jo keq për një ekip që luante për herë të parë në një turrne të madh ndërkombëtar kundër vendit organizator të tij!

Po si mund të përkthehet statistikisht ajo përvojë e para 8 viteve për parashikimin e ndeshjes Itali-Shqipëri sot? E vështirë, për të mos thënë e pamundur. Sidoqoftë, duke gjykuar nga entuziazmi që duket se është krijuar në gjirin e kombëtares tonë pas daljes së papritur në vend të parë të grupit kualifikues një hamendje mund të bëhet: Shanset për një rezultat pozitiv (barazim ose fitore) mund të shkojnë deri në 50%!

S.B/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025