Si njohës i mirë i bankave, me mbi njëzetë vite eksperiencë në tregun financiar dhe bankar në Shqipëri, cilat janë sipas jush, sfidat me të cilat përballet sot sistemi bankar në Shqipëri?
TIRANE- Eshtë e natyrshme, si në çdo proces zhvillimi, që edhe ecuria e sistemit bankar, kohë pas kohe, të përballet me sfida dhe kërkesa që janë produkt i vetë zhvillimit ekonomik e social të një vendi. Sot më shumë se kurrë, kërkohet një ripozicionim dinamik i bankave në lidhje me procesin e kreditimit. Niveli i kreditimit të ekonomisë në këto 10 vite ka ardhur duke u rritur, pavarësisht rënies së ritmit të rritjes apo edhe frenimit të tij, të shfaqur kohët e fundit. Bankat kanë qenë promotorët e zhvillimit të ekonomisë në këtë periudhë dhe niveli i kreditimit përbën mbi 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose rreth 50% të totalit të aktiveve të bankave, ndonëse këto nivele në Europë janë mesatarisht mbi 70%.
Një analizë e kujdesshme e faktorëve që kanë çuar në ngadalësimin e kreditimit të ekonomisë, imponon një qëndrim të ri, dinamik dhe optimist për të gjetur zgjidhjen adekuate për rritjen e kreditimit. Përvoja e këtyre viteve ka ndërgjegjësuar bizneset të jenë më të matur me iniciativat e tyre, të studiojnë me kujdes prioritetet dhe fushat ku mund të investohet, të marrin konsulenca profesionale për drejtimet e zhvillimit, etj.
Nga ana tjetër, bankat kanë fituar eksperiencë të mjaftueshme për të njohur klientët, ato mund të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të bollshme në çdo moment për çdo klient që paraqitet në bankë, çka përbën një faktor të rëndësishëm për minimizimin e riskut të kredisë. Gjithashtu, përmirësimet e vazhdueshme në sistemin ligjor të lidhur me bankat, kanë lehtësuar dhe përshpejtuar zgjidhjen e problematikave në marrëdhëniet bankë-kredimarrës.
Ju propozoni kështu zgjerim të kreditimit, ndërkohë që kredia me probleme ka arritur në rreth 25% të portofolit? Nuk përbën rrezik për stabilitetin e bankave?
Sigurisht që ka një lidhje të ngushtë midis nivelit të kredisë së keqe dhe performancës financiare të bankës. Pa dashur të ndalem tek faktorët që kanë çuar në këtë gjendje (ku do të përfshija pasojat e krizës globale, moskujdesin e treguar nga vetë bizneset, veprimet e pamenduara mirë në disa raste edhe nga vetë bankat, etj), unë do të thoja që niveli prej 25% i kredisë me probleme është një tregues relativ, i cili do të ishte shumë më i ulët nëse bankat do të rrisnin kreditimin.
Përsa i përket faktit të rezultatit financiar të bankave, ndikimi i tij është i pjesshëm dhe lidhet me madhësinë e rikuperimit të kredisë ose në rastin më të mirë, me ristrukturimin e saj. Bankat janë shumë të mirëkapitalizuara dhe të afta të përballojnë këto fenomene. Nga ana tjeter, pavarësisht të gjitha pasojave dhe ndikimeve negative që ka sjellë kriza, ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë, bankat kanë rezultuar me fitim të kënaqshëm në këto vite (përfshirë edhe vitin 2013).
Tregu bankar shqiptar ka njohur zhvillime të ndjeshme gjatë këtyre 10 viteve. Ka ecur në rrugën e duhur?
Gjatë kësaj dekade tregu bankar ka njohur ndryshime pozitive, të cilat kanë ndihmuar konsolidimin e tij dhe rritjen e rolit mbështetës për zhvillimin ekonomik të vendit. Krahas me rritjen dhe fuqizimin e bankave ekzistuese, vendase dhe të huaja, në treg kanë hyrë edhe operatorë seriozë perëndimorë, të cilët i kanë dhënë një fytyrë tjetër tregut bankar, siç mund të përmendim Raiffeisen Bank, Societe Generale, Intesa SanPaolo, Credit Agricole, Veneto Banca.
Aktivet e bankave janë rritur ndjeshëm, gama e shërbimeve që ato ofrojnë është në nivelet e simotrave në tregun europian, kreditimi i ekonomisë ka ecur me rritje të shpejta, sidomos në periudhën e parë, kur edhe pasojat e krizës globale nuk ishin prezente akoma. Shtrirja gjeografike e tyre mundëson sot ofrimin e shërbimit bankar në qytetet dhe qendrat e banimit kryesore të vendit, realitet ky, që i kombinuar me sistemet e pagesave në kohë reale dhe rrjetin e ATM-ve, mundësojnë përqëndrimin e qarkullimit të parasë në kanalet bankare.
Si do ta vlerësonit strukturën aktuale të bankave, a është i mjaftueshëm numri i tyre dhe a ka vend për banka të reja?
Bankat nuk janë gjë tjetër veçse njësi shërbimi, që duhet t’u përgjigjen nevojave të klientëve me shumëllojshmërinë e shërbimeve dhe me prezencën ku ata kanë nevojë. Në këtë aspekt, unë do të theksoja se nuk është e rëndësishme se sa është numri i bankave (sigurisht këtu përjashtojmë rastin e mungesës se konkurrencës dhe dominimit të bankave me pozicion monopol), por se sa ato janë prezente me shërbimet e tyre në çdo qelizë të shoqërisë.
Nga pikëpamja e numrit, bankat tek ne janë më se të mjaftueshme, madje do të thoja se ka nevojë për ristrukturim (shitje, bashkim, etj) të disa prej tyre, të cilat “vegjetojnë” në tregun bankar, duke mos pasur asnjë zhvillim prej vitesh. Në këtë kuadër, do të ishte e mirëpritur ardhja e ndonjë banke të re me reputacion, sidomos e ndonjë banke me profil investimi. Ajo që kërkohet sot, është orientimi i bankave drejt prioriteve dhe prespektivave që ka vendi – bujqësia, turizmi, zhvillimi rural, etj. – sektorë, të cilët përmbajnë edhe potencialet e zhvillimit të vendit në dekadat që vijnë. Këtu mund të ketë edhe hapësira për krijimin e bankave të zhvillimit, me drejtim mbështetjen e sektorëve prioritarë të përmendur më lart (kujtojmë këtu se një nga prioritet e qeverisë aktuale, do të jetë edhe mbështetja e iniciativave për krijimin e bankave të tilla).
Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)