Oklid El Ouejdi, 35 vjeç, nga Elbasani, është i treti i shpallur në kërkim nga policia në lidhje me vrasjen mafioze të biznesmenit Mondi Mëhalla, ngjarje e 30 nëntorit, para karburantit në pronësi të tij, “Xhaxhi Oil”. Elbasanlliu, i cili rezulton me një kompani të ngjashme të dhënies me qira të makinave dhe taksive, doli në skenë për blutë gjatë shoqërimit të Naldi Gjinit, i cili u tha hetuesve se bashkë me Armando Kolën, Nevzat Spahon dhe Marselo Aranin, ishin pjesë e grupit që morën makinën që u përdor në krim, “Audi”, e cila më pas u shkrumbua.
Deri tani, në lidhje me Oklid El Ouejdin, hetuesit kanë pak detaje për mënyrën e përfshirjes në ngjarje, megjithatë një konflikt i ndodhur mes tij dhe Mëhallës jo shumë larg nga dita e ngjarjes, po hetohet. Për këtë ndodhi, hetuesit kanë pak detaje, pasi të gjithë personat e arrestuar deri tani, nuk janë bashkëpunues. Për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit janë zhvilluar disa kontrolle, por deri tani të pasuksesshme. Burimet thonë se ka dyshime të jetë larguar në drejtim të vendeve fqinje në mënyrë ilegale, çka vështirëson arrestimin e tij.
Kur janë bërë më shumë se 1 javë nga ngjarja e rëndë, 3 u arrestuan dhe 3 u shpallën në kërkim, por gjithsesi hetuesit akoma kanë të paqartë 2 detaje të rëndësishme, qitësin dhe shkakun e krimit. Burime pranë grupit hetimor i thanë Report Tv se i treti i arrestuar, Nevzat Spaho, nga Prrenjasi mund të jetë ekzekutori, por akoma e pakonfirmuar. Megjithatë, përfshirja e tij në ngjarje është provuar përmes gjurmimit të makinës së tij. Pavarësisht se nuk ka pranuar të ketë lidhje me vrasjen, makina në pronësi të tij “BMW”, rezulton të ketë lëvizur në fshatin Mirakë gjatë momenteve kur është djegur makina e krimit. Mbi pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat hetuesit tashmë i kanë administruar, Spaho dyshohet ose ekzekutor, ose personi që ka ndihmuar ekzekutorin për t’u larguar.
Për këtë ngjarje u arrestua Xhino Ago, ish-ortak me Mëhallën dhe banakieri i karburantit “Xhaxhi Oil”, Kujtim Pisha. Të dy dorëzuan deklarata nga familjarët e Mëhallës se nuk dyshojnë të jenë pjesë e krimit, por kjo nuk e bindi gjykatën. Mondi Mëhalla u qëllua sapo doli nga shtëpia e nënës së tij shumë pranë karburantit dhe hyri në makinë. Ekzekutori del i qetë nga makina, afrohet te xhami i “Range Rover” dhe qëllon 6 herë, 2 plumba të të cilit e kapën Mëhallën në kokë.

Komente








