Egini Ceka dëshmon në komision
hetimor dhe  dorëhiqet si diplomat

Egini Ceka dëshmon në komision<br />hetimor dhe  dorëhiqet si diplomat
TIRANE - Egin Ceka, djali i Neritan Cekës, aktualisht ambasador në Itali dha sot dorëheqjen nga posti i nëpunësit diplomatik pranë OSBE në Vjenë, pas dëshmisë në komisionin hetimor ngritur ndaj kreut të opozitës në lidhje me të ashtuquajturin incident në Vjenë.

Dorëheqja u bë publike në mbledhjen e komisionit kuvendor hetimor, të ngritur vetëm me votat e 69 deputetëve PD dhe të 3 ish deputetëve PS për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë për ngjarjen e ndodhur më 24 prill 2013 mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe diplomatit shqiptar në Vjenë, Egin Ceka, pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës.

Dorëheqja u transmetua sot direkt në media.

"Vlerësoj dinjitetin tim moral, të panegociueshëm me kurrëfarë interesi publik. Është çasti i duhur për të hequr dorë si nëpunës i shtetit shqiptar. Ndiej kënaqësi që kam punuar, por nuk mund të qëndroj më në detyrë, kur një pjesë e konsiderueshme e publikut shqiptar ka standard të papranueshëm për dinjitetin tim" - qe reagimi i beftë i Egin Cekës.

Sot në orën 13:00 u mblodh komisioni hetimor në të cilin u thirrën dëshmitarë, së pari personat e implikuar drejtpërdrejt, si dhe dëshimtarë të ngjarjes. Përveç Egin Cekës, dëshimtarët e sotëm ishin: ambasadori i Shqipërisë në Austri, Vili Minarolli, organizatori i eventit në Vjenë, Fatmir Velaj, si dhe ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi.

Kryetari i PS-së, Edi Rama nuk ishte i pranishën. "Meqë Rama nuk ka pranuar të vijë as ai as të vetët të vijnë të dëshmojnë ne po pranojmë të nisim vetë", - tha kryetari i komisionit, Fatbardh Kadilli.

EGIN CEKA: CENOI  FIGUREN E NJE DIPLOMATI, E SHAVA  "PLEHRE"
"Quhem Egin Ceka, punoj si diplomat në Vjenë. Ndodhem për të sqaruar për sqarimin e fakteve, rrethanave. Po vijoj me paraqitjen kronologjike të ngjarjes. U zhvillua një aktivitet Gjatë takimit zoti Rama përsëriti dy herë tezën se përfaqësitë diplomatike janë tërësisht të politizuar. Duke mos pasur një ftesë vendosa ta komunikoj me të pas takimit. I shpreha mendimin se teza ishte tërësisht e politizuar. E quaj të padrejtë përmendjen e emrit tim në publik nga disa politikanë pa njohur CV time. Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime, por me ton arrogant më kërkoi që të largohem nga salla.

Pas përgjigjes sime ai bëri një xhest fizik, duke krijuar përshtypjen e një afiniteti. Xhesti i tij është tejkalimi komunikimit ndërnjerëzor. Nuk iu përgjigja me veprim të ngjashëm, por iu përgjigja verbalisht. I thashë që një njeri me këtë sjellje nuk meriton të drejtojë shqiptarët dhe i thashë plehrë si të vetmen fjalë fyese që përdora ndaj tij.Rama ka pasur një kameraman. I kërkoj komisionit ta transmetojë. Më tha pse i biri i Neritanit je ti. Si i ati dhe i biri. Xhesti tinzar i Ramës do kishte merituar një goditje grushti. Me atë xhest hileqar nuk u cënua një qytetar i zakonshëm, por figura e një diplomati shqiptari."

"Akademia Diplomatike e Vjenës është institucion i hapur për çdo person të interesuar. Regjistrimi apo mosregjistrimi është formalitet, në shumë raste jo i detyrueshëm. Organizimi parashikonte 140 vende nga të cilët ishin regjistruar vetëm 90. Ideja se në një aktivitet publik duhet të jenë vetëm njerëz të kontrolluar dhe të bindur vijnë vetëm nga shoqëri totalitare. Kjo mund të ndodhë në mes të Tiranës, por është e panjohur në mes të Vjenës.

Komisioni: Si do ishte sjellë një diplomat perëndimor?

Ceka: Shefat e opozitës kur shkojnë jashtë nuk akuzojnë opozitën se është e politizuar, e para, ose do të reagonin si unë, ose të paktën do të ishte prononcuar personalisht duke mbajtur qëndrimin e tij, deri duke dhënë dorëheqjen. Gazeta austriake “Der Standard” reagoi mbi incidentin, korrespondente për Ballkannin Perëndimor e mirinformuar për Shqipërinë dhe ka qenë moderator i një debati publik me Ramën.

Kushdo që kërkon në portalet austriake emrin e Edi Ramës do të gjejë krahasime me presidentitn e Çeçenisë, që problemet i zgjidh me ring boksi, me tituj: Çmendet, shkallon, lajdhit, humb toruan shefi socialist. Përtej cënimit të dinjitetit tim, është cënuar imazhi i Shqipërisë. Personi në fjalë nuk ka denjuar më pas të prononcohet për një nga gazetat më prestigjioze autriake.

Rama nuk është prononcuar për këtë çështje as në mediat shqiptare. Shqiptarët në Austri gëzojnë një reputacion të respektueshëm për shkak të nivelit, punësimit që kanë. Ai nuk dëmtoi vetëm imazhin, por ka minuar punën tonë në shërbim të këtij imazhi. Mënyra se si një pjesë e mediave ka përcjellë incidetin e mediave, si e kanë banalizuar shtron pyetjen serioze për gjendjen mediave dhe shoqërisë në Shqipëri.

Mbetet e pakuptueshme pse një pjesë e publikut, mediave, shoqërisë shqiptare janë të prirur t’i besojnë një njeriu të paekuilibruar e t’i besojnë atij fatet e vendit e pse janë të gatshëm për të mos mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e një njeriu, një diplomati?! Nuk jam për t’u sugjeruar verdiktin e tyre të 23 qershorit, por jam i bindur, që nuk e meriton të drejtohet nga një njeri i pakontrolluar i vetvetes së tij. Rilindje është t’i thuash kujtdo sy më sy mendimin tënd.

Kam qenë dhe mbetem njeri lirë dhe i pavarur. Vlerësoj dinjitetin tim moral të panegociueshëm me kurrëfarë interesi publik. Dhe ky është çasti i duhur për të hequr dorë si nëpunës si shtetit shqiptar. Ndiej kënaqësi që kam punuar si diplomat i vendit tim, por nuk mund të qëndroj më në këtë post, kur një pjesë e konsiderueshme e publikut ka standarde të papranueshme për të vlerësuar dinjitetin tim. Jeta ime private apo personale nuk varen nga zgjedhjet e 23 qershorit apo nga ndonjë parti politike. Jap dorëheqjen nga posti që mbaj.

Komisioni: Kanë qenë pranë persona të tjerë kur ju keni komunikuar me zotin Rama?

Ceka:
Kemi qenë vetëm unë dhe zoti Rama.Të tjerët kanë qenë 3-4 metra larg. Organizatori Fatmir Velaj nuk ka qenë pranë, ka qenë në distancë.
Jami sigurt që para dhe pas këtij aktiviteti nuk kam përdorur fjalë fyese ndaj këtij personi.

Komisioni:
Nga debati publik është tentuar denigrimi i figurës tuaj personale, duke iu referuar besimit tuaj fetar.

Ceka: Jam besimtar mysliman si shumica e popullit shqiptar, ose jam thjesht besimtar si shumica e popullit. Çështja këtu nuk është besimi, por shkarja, lajthitja e një personi publik në një aktivitet publik, pavarësisht nga besimi i të dy palëve.

YLLI MINAROLLI: INCIDENTI QE KREJTËSISHT I PANEVOJSHËM


Ka dëshmuar në Komisionin Hetimor edhe ambsadori shqiptar në Austri, Vili Minarolli. Edhe pse nuk ka qenë i pranishëm në takimin e Edi Ramës dhe nuk ka parë nga afër incidentin për shkak se nuk pati një ftesë zyrtare, Minarolli ka dëshmuar rreth rrethanave të ngjarjes. 

Komisioni: Çfarë dini ju rreth incidentit? Ka pasur apo jo ftesë për trupin dilomatik shqiptar?

Vili Minarolli:
Në postën time elektronike erdhi një ftesë nga Fate Velaj se do vinte kreu i PS-së, Edi Rama. Ju ftojmë miqësisht dhe miqtë tuaj të merrni pjesë në dialog: “Shqipëria rikonstrukton të ardhmen”. Edi Rama si kreu i PS-së dhe nënkryetari i IS-së. Vizita m’u duk shumë interesante, si edhe axhenda e kryetarit të PS-së, aq më shumë edhe prej vizionit. Akademia Diplomatike e Vjenës është një vend, ku diplomatët janë shumë të familjarizuar. Aty vijnë të ftuar nga rajoni, Europa Qendrore. Roli i ambasadës është i patjetërsueshëm. Ambasada merr njoftimin dhe ajo ka një listë të emrave të njerëzve, që janë njohës të Ballkanit, dashamirës të Shqipërisë. Kjo listë nuk është bërë sot, trashëgohet prej shumë vitesh. Ajo njofton edhe trupin diplomatik. Pasi merr konfirmimin përgatit një infrastrukturë se ku do ulen dhe njofton referuesit mbi pjesëmarrësit. Kjo është në rregulloren e MPJ për ambasadat e Shqipërisë jashtë vendit. Unë prita të kisha një njoftim nga PS.

Pasi koha po vinte i shqetësuar për këtë gjë thirra organizatorin në ambasadë. Kjo është ftesë nga ty, por në ftesa të tjera të kam ardhur. Tani vjen lideri i opozitës, unë jam përfaqësuesi më i lartë i shtetit këtu dhe dua një ftesë, njoftim zyrtar për të vënë gjithë stafin në shërbim për suksesin e vizitës së zotit Rama. Nëse nuk vjen ftesa ambasadori nuk mund të marrë pjesë. Por diplomatët sipas dëshirës mund të marrin pjesë. Dhe dy diplomatë e ambasadës kanë marrë pjesë në takimin e zotit Rama. Hedh poshtë deklaratën e zotit Ruçi në Kuvend. Ai ka thënë se ambasadori duhet të ishte në dispozicion të vizitës së Ramës, por nëse kisha një ftesë zyrtare. Dhe organizimi nuk ishte në atë nivel që duhet të ishte për liderin e opozitës. Nuk u zbatua axhenda.

Njerëzit mbetën të pakënaqur nga përkthimi. Incidenti qe krejtësisht i panevojshëm. Diplomatët e ambasadës dhe zoti Ceka si përfaqësues në OSBE isihin në rolin e dëgjuesve krejt normal. Pasi përfundoi takimi dhe një pjesë e pjesamarrësve ikën ishte një koktelj., Në të tilla raste njerëzit kanë mundësi për takime më konfidenciale dhe unë e gjykoj se zoti Ceka pikërisht i është afruar zotit Rama kur kishte mbaruar gjithçka, kur nuk mund të mendohej një provokim, sepse ishte tête á tête, mbase duke shfrytëzuar edhe njohjen familjare u afrua për të biseduar miqësisht. Ndoshta Rama ka pasur ndonjë tension, por në të tilla raste ai nuk duhet ta humbte qetësinë e zakonshme. Unë mendova se do t’i thoshte të fala neritanit, e një buzëqeshje pa krijuar atë incident të oanevojshëm. Lajmi la shije te keqe. Që ka të bëjë me imazhin e shoqërisë.

Komisioni: Çfarë marrëdhënieje keni me Edi Ramën?

Minarolli: Kam përvojë shumë pozitive me zotin Rama gjatë 8 viteve në shërbim diplomatik. Në muajin nëntor jemi takuar miqësisht dhe kam pasur mirëkuptim në postën time elektronike vinin ditaret nga PS. Këto muajt e fundit s’më kanë ardhur.

Komisioni: Kush e pa ngjarjen?

Minarolli: Ajet Shira dëshmoi fjalët e Eugen Cekës se Rama i pat thënë këtij të fundit: “Djali i Neritanit je ti? Si i ati dhe i biri”, ndërsa Eugeni ia ktheu: “Plehrë, ti do qeverisësh Shqipërinë?!”. Sipas Minarollit, Shira mund të vijë vetëm ndonjë ditë të shtune të dëshmojë, kur e ka pushim. Shqiptarët punojnë për imazhin e Shqipërisë dhe jo për partitë politike. Unë punoj në bazë të ligjit, që është për t’u respektuar. Edhe Rama me këta diplomatë do të punojë nesër po të vijë në pushtet. Në asnjë vend nuk kam pasur diskriminim prej shërbimit diplomatik shqiptar.

Komisioni: Çfarë do kishin bërë në Austri për një xhest të tillë?

Minarolli: Nuk do ta kishin falur.

FATMIR VELAJ: ISHTE ARROGANCË, POR JO INCIDENT

Është paraqitur para komisionit hetimor edhe organizatori i takimit në Vjenë, Fatmir Velaj. Pas Eugen Cekës, ambasadorit tonë në Vjenë, Vili Minarolli, Velaj ka qenë edhe i fundit, që ka mbyllur marrjen në pyetje për këtë seancë të parë.

Komisioni:
Çfarë mund të na tregoni direkt në lidhje me ngjarjen zoti Velaj?

Velaj: Dëgjova me veshët e mi se si Eugen Ceka i tha Ramës: “Ju jeni plehra, ju jeni ndyrësira”. Nuk ka njeri, që të më bindë mua për një gjë, që e kam dëgjuar me veshët e mi. I kam thënë unë Ramës, që është djali i Neritan Cekës, pasi Eugeni i është afruar pa iu prezantuar, që jam djali i Neritan Cekës. Madje Rama u kthye nga mua dhe më tha: "Pse nuk ma the që në fillim kush ishte?"

Komisioni: Por duhet të ketë pasur tjetër dialog të mëparshëm Rama-Ceka?

Velaj: Në atë moment që vajta unë e gjeta dialogun në këtë moment. Por Rama para konfrontimit me Cekën u përgjigj krejtësisht i qetë, konform me çdo gjë. Ka qenë gjithë kohës krejtësisht i qetë ndaj të gjitha pyetjeve mbi Kosovën, Shqipërinë.

Komisioni: Çfarë po i thoshtë Ceka-Ramës?

Velaj: Ceka po i thoshte Ramës: "Pse më zini mua në gojë nëpër media për nepotizëm?"

Komisioni: Ju e keni parë xhestin?

Velaj: Nuk e kam parë xhestin.

Komisioni: Për këtë veprim të ulët ju propozuat, që 24 prilli të shpallet Dita e Shkuljes së Veshit?!

Velaj: Në Facebook, propozova që 24 prilli të shpallet dita e shkuljes së veshit si dita e autokritikës, që secili në botë të ketë mundësinë, që të bëjë një autokritikë të vetes dhe nëse gjen një gabim te vetja të vetëkorrigjojet. Nëse Rama e hedh në Facebook më pas këtë ide timen është punë për të.

Komisioni: E pranoni që është incident?

Velaj: Pas gjithë komenteve që u bënë në media, analizave, një letre nga Neritan Ceka bëra një reflektim: “veshgjati i shkuli veshin”. Por kjo nuk është një aprovim, por një analizë që i bëhet faktit. Unë ngjarjen e mësova nga Neritan Ceka.

Komisioni: A ka thënë Rama në takimin në Vjenë se përfaqësitë tona diplomatike janë të korruptuara?

Velaj:
Gjatë takimit, një shqiptar e pyeti Ramën, a do na jepet mundësia të votojmë? Dhe Rama u përgjigj: Përsa kohë kemi probleme me menaxhimin e votave në Shqipëri, nuk jemi në gjendje të mbrojmë për sa kohë janë politikisht të fryra me miq, dashamirës, djem tezesh etj.

Komisioni: A është kjo fyerje?

Velaj: Jo nuk e quaj fyerje. Ai tha që nuk kemi proces të tillë.

Komisioni: Zonja Habsburger thotë se pashë incidentin me Cekin, a keni koment për këtë?

Velaj: Zonja Habsburger nuk thotë se ka pasur incident, por sjellje arrogante.

Komisioni: Merrni lexoni tekstin!

Velaj: Varet kë quajnë kinezët dhe kë quajnë shqiptarët në kufi të arrogancës. Kur një shqiptar nga salla në Vjenë e pyeti Ramën: "Kam një pyetje të ndërlikuar, Rama iu përgjigj: "Ku ka vlonjat, që nuk ka pyetje të ndërlikuar".

ALDO BUMÇI: SULM I DREJTPËRDREJT NDAJ TRUPIT DIPLOMATIK

I fundit e ka marrë fjalën ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi. Ai e ka quajtur ngjarjen "një sulm ndaj diplomacisë shqiptare" dhe "një dëmtim të imazhit të Shqipërisë".

Komisioni: Si e interpretoni ju zoti ministër i Jashtëm situatën e krijuar në Vjenë?

Bumçi: Ngjarja në Vjenë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj trupit diplomatik. Është dëmtuar imazhi i Shqipërisë. Diplomacia shqiptare ka dhënë një kontribut të madh. Ngjarja ka qenë e rëndë dhe e shëmtuar. Në çdo rast kur një parti përkatëse ka kërkuar ndihmën e ambasadës ka marrë mbështetjen. Zoti Minarolli nuk pati një ftesë zyrtare. Nëse do të kishte pasur një ftesë në bazë të ligjit dhe traditës, ai do të ishte në shërbim të zotit Rama.

Komisioni: Si u përfshi Neritan Ceka në këtë ngjarje?

Bumçi: Neritan Ceka është përfshirë si i ati i Egin Cekës, si një nga liderët e parë të demokracisë shqiptarë dhe me karrierë të gjatë në politikë. MPJ ka dalë me deklaratë publike zyrtare. Qëndrimi i MPJ është qëndrimi im sot këtu.

Redaksia Online
(ma/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës