Eglantina Çuni është e para grua që do kandidojë për herë të parë për presidente të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, në zgjedhjet që do të mbahen me 14 nëntor. Aktualisht ajo është trajnere e një ekipi në Elbasan, ndërsa përballë do të ketë presidentin aktual të peshëngritjes, Theodhor Masllavica. Për Report Tv Çuni tregon arsyen përse zgjodhi të kandidonte për këtë post.
“Kur filloj gara për presidentin e peshëngritjes mendova përse të mos kandidoj dhe unë për të kontribuar sa më fort për të mirën e këtij sporti. Njoh problematikat që në bazë sepse edhe vet vij nga baza ku jemi çdo ditë me sportistet dhe problemet e përditshme. Kam pasionin, ide dhe një projekt që kam ëndërr ta vë në zbatim.”
E pyetur se çfarë do të thotë për një grua apo vajzë që të jetë kandidate për presidente në peshëngritje, një sport burrëror, Çuni përgjigjet:
“Kandidimi im si femër është një risi, por më tepër se kaq unë do e quaja edhe normalitet përderisa në peshëngritje ka dhe sportiste femra që kanë bërë histori. Në rast fitoreje nga ana ime në këtë post të rëndësishëm është një bonus i mirë edhe për emancipimin e femrave qe ta shikojnë peshëngritjen si sport të bukur dhe jo si një tabu. Unë e ndjej veten të fortë dhe gati si femër."
E pyetur se si e vlerëson punën e Theodho Masllavicës, presidentin aktual dhe rivalit në zgjedhjet e 14 nëntorit, Çuni përgjigjet:
“Puna e presidentit aktual është një punë e mirë, por jo e mjaftueshme. Nuk mjafton vetëm lufta anti-doping për të thënë që është bërë shumë. Nesër s’do kemi sportista sepse s’kemi brezin e ri dhe nëse s’do kemi sportista kujt do i bëjme kontroll doping.
Presidenti aktual ka patur kohën e nevojshme për të bërë shumë më tepër se kaq, por siç e përmenda edhe më lart në federatë ka përplasje idesh dhe kjo gjë e dëmton federatën.”