Egnatia është aktive këtë merkato duke zyrtarizuar mbrojtësin Eljon Sota me kontratë deri në verën e vitit 2027. Fieraku nuk është i panjohur në Superligë pasi muaj më parë ishte pjesë e Partizanit, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
26-vjeçari u largua nga të kuqtë vetëm në verën e 2024 drejt Suwon në Korenë e Jugut dhe pas gjashtë muajve rikthehet në Shqipëri, këtë herë nën urdhërat e Edlir Tetovës në Rrogozhinë.
I dalë nga moshat e Apolonisë, Sota spikati në vendlindje dhe prej 2021 e deri në verën e 2024 ishte pjesë e Partizanit ku tregoi cilësi të padiskutuara në qendër të mbrojtjes.
“Eljon Sota pjesë e kampionëve. Futbollisti ka firmosur ditën e sotme kontratën në prani të presidentit dhe i bashkohet ekipit në stërvitje. Mbrojtësi do jetë pjesë e klubit deri në qershor 2027”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Më herët Egnatia ka zyrtarizuar edhe afrimet Leo Melon, Mario Dajsinanit dhe Fernandos.