Vendasit konsideroheshin super favoritë, por Egnatia i shkoi pranë një fitoreje të madhe në Danimarkë kundër Aarhus. Kampionët e Shqipërisë barazuan 1-1 në transfertë, por e nisën mjaft mirë pasi vendasit u ndëshkuan me karton të kuq në minutën e 3, pasi Kahl ndërhyri gabimisht.

Egnatia shfrytëzoi momentin pozitiv dhe pa kaluar shumë arriti të kalonte në avantazh me Ildi Grudën, i cili dha përshtypjen se ishte një natë magjike për shqiptarët.

Megjithatë pas realizimit të golit Egnatia uli ritmin dhe nuk arriti ta mbronte rezultatin. Kjo sepse me të nisur pjesa e dytë danezët barazuan me Bogere edhe pse ishin me 10 lojtarë. Pas barazimit Egnatia tentoi të dilte me 3 pikë, por e pati të vështirë të ndëshkonte për herë të dytë Aarhus.

Gjithsesi rezultati 1-1 konsiderohet pozitiv për të besuarit e Nevil Dedës të cilët u ngjitën në kuotën e 2 pikëve pas 2 ndeshjeve të para, pasi një javë më parë barazuan kundër Midtjyland në ‘Elbasan Arena’. Aktualisht Egnatia mban vendin e 20 dhe nëse sot do të mbyllej faza e grupit në Conference League do të ishte e kualifikuar në ‘play-off’.