Ish-prokurori Ervin Karanxha, ka komentuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv urdhrin e kryeministrit Edi Rama për ministrat, të cilëve u kërkoi shkarkimin e drejtorëve nëpër institucione.

Karanxha është shprehur se administrata publike ka nevojë për përmirësime, por sipas tij, nuk mund të shkarkohen me një të rënë të lapsit të gjithë drejtorët, pasi mund të ketë edhe nga ata që kanë punuar mirë.

Karanxha tha gjithashtu se nga dosjet e SPAK ka rezultuar se ka pasur shoferë që janë bërë zëvendës-drejtorë. Sipas Karanxhës, duhet bërë një analizë e mirëfilltë dhe më pas të merren masa për shkarkimin e drejtorëve.

“Duhet parë se çfarë janë poste politike dhe çfarë janë të administratës publike. Mendoj se para se të shkohet te dorëheqja, duhet bërë një analizë, sepse ka njerëz që mund të kenë punuar. Mund të ketë sektor apo drejtori që janë rezultative. Ti punon dhe shkarkohesh. Bëhet një analizë dhe aty ku ka problematika, nis edhe procedimi disiplinor në bazë të ligjit. E dyta, nëse janë kaq të paaftë, kush i ka futur këta të paaftë? Pa-meritokracia ne na ka rezultuar... Janë disa dosje të SPAK, edhe protesta e flamengove. Në disa dosje të SPAK shoferët janë bërë zv.drejtorë. Liji tenderat në dorë aty, lekët në dorë, si me i var ujkut salçiçet në qafë. Kemi sektorë të tjerë. Kadastra. Janë të provuara nga SPAK këto. Veçse kanë shpërdoruar detyrën kanë shkuar edhe më tej. Realisht problematika ka. Edhe ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura është bërë nga një grup deputetësh, ndërkohë që ai ligj kërkon njohuri të posaçme. Analiza duhet bërë, kush drejtori ka probleme duhet të shikohet. Por nuk mund të shkarkohen të gjithë”, tha mes të tjerash Karanxha.


Lajmi kryesor:

Urdhri i Ramës për dorëheqjet e drejtorëve, Mazniku: Qeveria plan të vjetër për përmirësimin e mënyrës sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në administratë