Është shoqëruar me debate të forta Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku është thirrur në interpelancë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, për ligjin për trashëgiminë kulturore, por që debati ka kaluar dhe te çështja e Teatrit Kombëtar.

Drejtuesja e komisionit, Albana Vokshi, i ka kërkuar ministres të shkojë pasditen e sotme, në orën 19:00, në takim me artistët, duke shtuar se opozita do të jetë e pranishme. Teksa nga ana e ministres dhe deputetëve socialistë ka pasur një heshtje nëse do të jenë në takim, deputetja Vokshi deklaroi se opozita do të mbrojë trashëgiminë kulturore, duke e cilësuar Kumbaron ministren më të dështuar.

Në komision janë të pranishëm dhe deputetët e opozitës, të cilët i kanë kërkuar llogari ministres Kumbaro për çështjen e Teatrit. Vokshi ka paraqitur foto nga disa monumente të trashëgimisë kulturore, që sipas saj, janë shkatërruar nga kjo qeverisje. 

Ju po shkatërroni çdo gjë, trashëgiminë kulturore. Kumbaro është ministrja më e dështuar

Albana Vokshi, kryetare e komisionit

Në fjalën e saj pas debatit në komision, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro u shpreh:

Opozita u rikthye në komisionin, nuk e di nëse e meriton me emrin e kuluturës, për ta dështuar me sukses një debat kaq të rëndësishëm sikurse është diskutimi nen për nen për çka ministria e kulturës ishte përgatitur, por u fol për gjithçka, u mor projektligji dhe u kthye në një flamur për të diskutuar për politikën bajate të ditës, por vetëm për ligjin nuk u diskutua.

Artistët i kemi të gjithë në skenë, duke dhënë nga shfaqjet më të mira.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës