Lufta kundër mafies duhet të jetë mbi të gjitha një lëvizje kulturore, që duhet t’i më- sojë të gjithë të ndiejnë bukurinë e aromës së lirisë që i kundërvihet erës së qelbur të komprometimit moral, indiferencës dhe bashkëveprimit kriminal. Paolo Borselino. Në këtë fund shtator 2016, lobet mafioze në Shqipëri po përpiqen të kalojnë një ligj me pasoja tragjike për shqiptarët. Riciklimi i plehrave është një tipar që gati përherë ecën krah për krah me vendet e pazhvilluara ekonomikisht dhe të kapura deri në nivelet më të larta nga klanet mafioze, që mbasi kapin personin “e duhur”, arrijnë të realizojnë dhe hartimin e një projektligji dhe më pas aprovimin e tij.

Duke arritur kështu ciklin e plotë kriminal, por edhe amnistinë e tyre të mundshme, duke u fshehur mbrapa një ligji të votuar gjerësisht, dhe jo individualisht. Shqipëria tashmë është shndërruar në një vend ku çdo javë, çdo ditë, çdo orë duhet të jesh në gatishmëri numër një, për të mbrojtur ekzistencialisht jetën, dhe jo nga ndonjë sulm armiqësor jashtëtokësor, por duke mbrojtur jetën bazike nga shteti yt. Shtet i cili është në mënyrë progresive armiqësor, hilacak dhe i pabesë ndaj shtetarëve të vet. Shtet i cili është bërë i neveritshëm me qasjen e tij se gjoja ndërmerr ligje të tilla pasi kërkon të rrisë nivelin e punësimit, punësimit të kujt, të Lulit të vocërr që vdiq trishtueshëm në fushat e tij të plehrave.

Të iniciosh ligje për riciklime plehrash, qoftë këto biçikleta të vjetra kineze ku hipin kryetarë bashkish dhe krerë të kapur shoqatash ambientaliste dhe vipat që qëndrojnë mbrapa tyre, është kriminale. Po si është e mundur që nuk iniciohen ligje për hapje qendrash sportive, kulturale etj. ndaj kësaj rinie të brengosur nga injoranca dhe apatia, apo kështu duhet të jetë ky popull, injorant, i nënshtruar dhe i varrosur për së gjalli. Ligjet me impakt mjedisor është detyrim ligjor të konsultohen me komunitetin, jo më kot prej 2001 Parlamenti shqiptar ka ratifikuar Konventën e Arhusit, Konventë e cila qartësisht detyron autoritetet lokale dhe qendrore që të mos ndërmarrin asnjë iniciativë mjedisore pa informuar, pa transparencë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

Në shumë shtete mafia që fshihet mbrapa riciklimit të plehrave quhet Ekomafia, në Shqipëri kjo Ekomafie rezultoi agresive, e pashpirt, ashtu siç mafia dhe politika shqiptare di të jetë. Në një vend ku vdes për hiç mos gjë, ku më shumë të shpëton vullneti i zotit se dora e robit, ligje të tilla janë kapaku i varrit ndaj këtij populli.

Mafia gjithmonë vepron në gusht, kësaj radhe e tejkaluan rastësisht limitin kohor të pabesisë, kapja gafil e popullit ndaj ligjeve me impakt të tillë negativ është një traditë që klasën politike e bën bashkë, si shpeshherë kjo klasë politike është, armiqësore dhe varrmihëse ndaj popullit të vet. Në një territor që sundohet nga plehrat, ku lumenjtë janë futur nëpër tuba, pasuritë dhe rrugët janë dhënë me koncesione antikombëtare, ky ligj, ky cinizëm dhe kjo procedurë është thjesht kapaku i pusetës që i vihet këtij populli.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com