Ekonomia nën pandemi/ Biznesi 948 mln € humbje në 2020-n, COVID 'goditi' industrinë nxjerrëse, 261 mln euro më pak shitje! Ndërtimi e 'mundi' koronavirusin

Pandemia e COVID-19, goditi ndjeshëm bizneset në vitin 2020, të cilat kanë realizuar 948 milionë euro më pak shitje se në 2019. Sektori më i goditur ka qenë industria nxjerrëse me 261 milionë euro humbje. Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT ndërtimi ishte sektori që mundi pandeminë dhe arriti të sigurojë 70 milionë euro më shumë nga shitjet.

Situata e paprecedentë e krijuar nga pandemia e COVID-19, i ka shkaktuar 948.2 milionë euro dëm ndërmarrjeve në vend, të cilat si pasojë e krizës kanë bërë më pak shitje. Kjo ulje e aktivitetit të tyre ka bërë që më shumë se 1500 biznese të mbyllin aktivitetin, dhe të dalin nga tregu si të papunë më shumë se 27 mijë punonjës.

Industria nxjerrëse ka pasur humbjet më të mëdha në vitin e kaluar, me rreth 261 milionë euro. Sipas të dhënave të INSTAT, në këtë sektor kanë kryer shitje gjatë 2020, 680 ndërmarrje dhe në raport me vitin 2019, janë mbyllur vetëm 8 kompani.

Humbjet e këtij sektori si pasojë e pandemisë ishin të njoftuara edhe nga qeveria, kryesisht në sektorin e naftës ku prodhimi mbeti stok, dhe çmimi ra si pasojë e mungesës së konsumit. Nga ana tjetër humbje ka pasur edhe tek sektori minerar dhe për këtë shkak Kuvendi miratoi ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare, për heqjen e rentës minerare për metalorët deri në vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 taksa do jetë e reduktuar.

Ndërmarrjet e akomodimit dhe restoranteve, renditen në vend të dytë për humbjet në shitje me minus 139.1 milionë euro, për shkak se turizmi ishte ndër sektorët më të goditur nga pandemia.

Tregtia është sektori tjetër që ka pasur humbje të konsiderueshme, pasi shitjet e sektorit janë tkurrur me 112.7 milionë euro. Edhe pse gjatë periudhës së parë të pandemisë tregtia e mallrave vijoi, ka pasur kërkesë më të ulët e prodhim të reduktuar.

Në këtë linjë në vitin që lamë pas industria e përpunimit ka humbur 100.7 milionë euro si pasojë e reduktimit të shitjeve, ndjekur nga transporti e komunikimi me humbje 96 milionë euro dhe energjia elektrike me -74.3 milionë euro më pak shitje.

I vetmi sektor që lulëzoi në pandemi ka qenë ndërtimi, që nuk e ndali aktivitetin e tij, dhe sipas të dhënave të INSTAT shitjet e këtij sektori u rritën me 70.6 milionë euro në vitin e kaluar.

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani