Shqipëria është pjesë e tregut të përbashkët rajonal, europian dhe më gjerë, ndaj është shumë e rëndësishme që të dalim në treg me produkte të mira, të çertifikuara dhe të sigurta për konsumatorin, si brenda dhe jashtë vendit. 

Në këtë kuadër procesi i Akreditimit merr një rëndësi esenciale si një garanci  biznesin dhe konsumatorin.  Kështu u shpreh Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi gjatë një konference të zhvilluar sot në mjediset e Hotel Tirana me titull: “Akreditimi- përfitim për biznesin, garanci për konsumatorin”, organizuar nga Drejtoria e Përgjitshme e Akreditimit, institucion në varësi të MZHETTS.

Aktualisht sot numri i organeve të akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është 64, nga të cilat 39 janë laboratorë testues, 3 laboratorë mjekësorë, 3 laboratorë kalibrues, 3 organe certifikues të sistemeve të menaxhimit dhe 3 organe certifikues të personelit dhe 13 trupa inspektuese.

Akreditimet pothuaj janë dyfishuar në krahasim me 2013, kur ishin të akredituara vetëm 33 organe çertifikuese. Drejtoria e Përgjithshme të Akreditimit, së fundi ka nënshkruar Marrëveshjen e Njohjes Reciproke në Organizmat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Akreditimit për fushën e testimit. Ky është një lajm i mirë për gjithë laboratorët e akredituar nga ky institucion shqiptar, pasi gjithë certifikatat e lëshuara nga këta laboratorë të akredituar, do të jenë ekuivalente dhe të pranuara në nivel Evropian.

Ministrja Ekonomi shprehu entuziazmin e saj për këto arritje, duke shtuar se fakti Shqipëria arriti të firmosë marrëveshje të ketij lloji tregon se ka angazhim serioz të institucionit përkatës shqiptar por dhe interesim të madh të sipërmarrjes në drejtim te përmirësimit të cilësisë së produkteve që duhet të dalin në treg.

Ministrja kërkoi vazhdimin e punës me të njëjtin instensitet me synimin final për të patur produkte sa më cilësore për konsumatorët vendas dhe të huaj. Ajo shprehu gjithashtu kënaqësinë që pikërisht sot, në këtë aktivitet akreditohen 5 trupa të reja certifikuese, të cilat do të garantojnë më shumë cilësi në treg.

Lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve kërkon që produktet dhe shërbimet vendosen në tregjet importuese vetëm pas demostrimit se ato plotësojnë kërkesat e sigurisë sipas legjislacioneve përkatëse.

Akreditimi është një mjet për reduktimin e barrierave teknike në tregti, i cili eleminon ritestimin dhe ricertifikimin e produkteve përpara se produkti të vendoset në vendin importues.

Risi e DPA është  ofrimi i skemës së akreditimit tek laboratorët mjekësor, laboratorët e verifikimit metrologjik, organet certifikues të personelit dhe trupat inspektuese në fushën elektrike.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com