TIRANE – Partia Socialiste nënvizoi faktin se me njoftimin e sotëm për shtyp, edhe INSTAT u dorëzua dhe pranoi gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. “Kur INSTAT, alias Instituti i Gënjeshtrave të Saliut, pranon që ekonomia ka rënie vjetore 0,2 %, shqiptarët e kuptojnë lehtë sesa më e madhe është kjo rënie”, deklaroi Ilir Beqja nga selia rozë.
“Pas deklarimeve të disa institucioneve të rëndësishme për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, më në fund, edhe pse disa ditë me vonesë ndaj kalendarit zyrtar, Instituti i Statistikave nuk mund të fshehë të vërtetën e ekonomisë shqiptare, theksoi socialisti.
PS nënvizoi faktin se “rënien më të madhe e ka industria me 19,3 %. As Shqipëria superfuqi energjitike sipas Saliut, as rritja e investimeve te huaja nuk mjaftokan që industria jonë të rritet”.
Beqja i quajti justifikime deklaratat e Kryeministrit Berisha para deputetëve të tij, sipas të cilave ekonomia shqiptare ka vuajtur nga dimri i vështirë e me thatësirë të zgjatur. “Vallë dimri i rëndë e pengoi” sektorin e ndërtimit duke e çuar në rënie të dyfishtë, pyeti Beqja.
Po telekomunikacionin, që “plotëson një periudhë 2-vjeçare me rënie”, “thatësira e ka bërë që të jetë në rënie kaq të gjatë?!”, shtoi ai.
Beqja theksoi se kjo gjendje e ekonomisë së vendit nuk është e rastësishme por “produkt i politikave të gabuara ekonomike qysh kur Saliu qeverisë”. Sipas tij, kjo gjendje “është produkt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit”. Ekonomia duhet të rimëkëmbet!

(im/shqiptarja.com)