Ekonomia dhe zhvillimet brenda PS-së, Malaj: Të mos fshihen problemet. Spiropali: E mora vesh postin në Asamble

Ekonomia dhe zhvillimet brenda PS-së, Malaj: Të mos fshihen problemet. Spiropali: E mora vesh postin në Asamble

Arben Malaj dhe ministrja Elisa Spiropali te "5 Pyetjet" nga Ilir Babaramo

Situata brenda Partisë Socialiste dhe zhvillimet politike në vend janë tema e diskutimit të mbrëmjes së sotme në “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv. Të ftuarit e mbrëmjes së sotme janë Arben Malaj, ish-ministër dhe Elisa Spiropali, ministrja e re e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamantin. Ish-ministri i Financave në qeverinë Nano, Arben Malaj, ka thënë se Partia Socialiste nuk duhet të fshehë problemet që ka. Malaj tha se edhe në Greqi, PASOK, ishte një parti që solli frymëzim dhe ide, por sot është shuar. Malaj ka theksuar se nëse PS, do të vazhdojë kështu, rrezikon të gërryhet nga qeverisja. Malaj ka thënë se kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duhet të garojë me kandidatë seriozë përballë tij. Ministrja e re e Shtetit, Elisa Spiropali ka thënë në studio se deklarata e Bashës se ministrat e rinj janë kukulla është akt seksist. Spiropali tha se ministrat e rinj të qeverisë Rama 2 janë politikë dhe jo teknikë.  Spiropali tha se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nuk ka asnjë konflikt me kryeministrin Edi Rama. Ajo shtoi puna e Veliajt në Bashkinë e Tiranës, flet vetë. Spiropali ka thënë se lajmin për emërimin si ministre e ka mësuar në Asamble.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Spiropali: Lajmin për postin e mësova në Asamble

Ministrja e re e Shtetit,Elisa Spiropali ka thënë se lajmin për emërimin si ministre e ka mësuar në Asamble. “E ka thënë vetë kryeministri që nuk i lajmëron këto gjëra. Ç’kuptim do të kishte po të njoftonte më parë. Njeriu mund të zgjedhë pasi e merr vesh, për më tepër për njerëzit pse çuditen që aty ka gra. “-tha Spiropali.

Ora 21:49
Kandidimi i Veliajt për herë të dytë/ Spiropali: S’ka asnjë një konflikt me Ramën, trillime portalesh, puna flet vetë

Ministrja e re e Shtetit, Elisa Spiropali, ka thënë në studion e “5 Pyetjet nga Babaramo”, se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nuk ka asnjë konflikt me kryeministrin Edi Rama. Spiropali tha se puna e Veliajt në Bashkinë e Tiranës, flet vetë.

“Nuk ka asnjë konflikt Rama-Veliaj, apo një konflikt Veliaj me njeri tjetër. Janë të gjitha teori konspiracioni që pasurojnë menunë e portaleve shqiptare që janë kthyer në burim klikimesh dhe të gjitha i bëjnë për klikime. Puna vazhdon Tirana është ajo që është. Ka ndryshuar shumë që nga qeverisja e Bashës dhe besoj se puna flet vetë. Kur analizohen kandidatët në PS, të gjitha merren parasysh. S’ka ngelur tek unë kandidimi i Veliaj, se diskutohet në kryesi por puna e Veliajt flet vetë.”- u shpreh Spiropali.

Ora 21:46
Spiropali: Ministrat e rinj, politikë, jo teknikë

Ministrja e re e Shtetit, Elisa Spiropali ka thënë se ministrat e rinj të qeverisë Rama 2 nuk janë teknikë, por qartësisht politikë. “Qeveria e re thelbësisht politike, jo teknike. Është diskrecioni i Ramës të zgjedhë ministrat.”-tha Spiropali.

Ora 21:37
“S’kemi në plan të hyjmë në sherrnajë me presidentin”, Spiropali: Kjo është e vjetër dhe e tejkaluar

Ministrja e re e Shtetit, Elisa Spiropali, në studion e “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv është shprehur se nuk ka një ngërç qeveri-presidencë, pasi sipas Spiropalit, Shqipëria është një republikë Parlamentare. “Bushati nuk kishte lidhje me dëshirën e tij, ishte keqkuptim me presidentin. Jemi republikë Parlamentare, i takon kryeministrit të zgjedhë ministrat e jo presidentit. Sot, kryeministri u emërua edhe ministër i Jashtëm. Ne e respektojmë presidentin, por kjo është e vjetër dhe e tejkaluar. S’kemi në plan të hyjmë në sherrnajë me presidentin e Republikës.”-u shpreh Spiropali.

Ora 21:37
Protesta e studentëve/ Spiropali: Krijoi ura komunikimi, 10 vetë po pengojnë një universitet

Ministrja e re e Shtetit, Elisa Spiropali ka thënë se protesta e studentëve shërbeu për të krijuar disa ura komunikimi mes qeverisë, studentëve, dhe pedagogëve. Spiropali tha se janë shumë pak njerëz që po marrin peng institucionet. “Studentët duan të fillojnë mësimin. Ato janë akte të papranueshme ku 10 vetë mbajnë peng një institucion. Po deformohet e vërteta. S’ka njeri interesin e studentëve por interesin e tyre politik. Se bën dot qeveria pastërtinë e titujve, por e bëjnë universitetet. Prandaj themi që kjo protestë ka shërbyer për të vënë ura komunikimi mes qeverisë, studentëve dhe pedagogëve.”-tha Spiropali.

Ora 21:36
Debati Rama-Meta për Cakaj, Malaj: Duhet të ishin ulur, të diskutonin si burra shteti

I pyetur lidhur me debatin Meta-Rama për mosdekretimin e ministrit të propozuar të Jashtëm, Gent Cakaj, Malaj u shpreh se dy liderët duhet që të uleshin dhe të dialogonin. Lidhur me figurën e Gent Cakaj, Malaj u shpreh se ai duhet të rritet në mënyrë profesionale. 

"Në mënyrë apo një tjetër presidenti është pjesë e këtij procesi.  Pas asaj unë shkoja si kreu i grupit parlamentar me emra alternativë. I propozonim emrat dhe i thosha: Ka ndonjë më të mirë? Dhe më pas ai më thoshte që në vend të këtij mund të vendoset një më i mirë. Nëse do ishin ulur dhe do kishin folur si burra shteti Meta dhe Rama nuk do të arrinin në këtë pikë. Unë them jo për Cakaj, sepse është djalë i ri. Ndjesa e kryeministrit ndaj Kosovës, ishte provokative. Cakaj ishte përzgjidhje por nuk e mirëkuptoj se argument kryesor ishte se sa libra ka lexura. Kjo sepse kryeministri ka në qeveri njerëz që nuk kanë lexuar asnjë libër. Në diplomaci veprohet me ujqër, vendet e mëdha ministrinë e Jashtme e kanë pasur të konsoliduar. Ai djalë do të rritet por duhet të ketë një rritje më graduale," - tha Malaj. 

Ora 21:12
Kabineti i ri qeveritar/ Spiropali në 5 pyetje nga Babaramo: Sjellja e Bashës sot në Parlament, akt seksist

Ministrja e re e Shtetit dhe Parlamentit, Elisa Spiropali është e ftuara e gazetarit Ilir Babaramo në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”. Spiropali ka thënë se deklarata e Bashës se ministrat e rinj janë kukulla është akt seksist.

Ato zonja që janë bërë ministre kanë qenë zëvendësministre, kanë dëshmuar aftësi menaxheriale. Ai i Bashës, ishte akt seksist. Dëshmon mungesë totale të qendrueshmërisë. Janë gra e burra që s’mund t’i quajë kukull, një njeri që sillet si kukull.

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit

Ora 21:04
Malaj: Dikur PS ishte arenë debati, njësoj si PASOK në Greqi që sot është shuar

Arben Malaj, ka thënë se dikur PS shërbente si një arenë debati ku çdo diskutim ishte publik. Ndërkohë që sot, Malaj ka thënë se PS është më e mbyllur se asnjëherë.

Na pëlqen ai që bërtet dhe është i fortë. Duam bajraktarinë. PS shërbente si arenë debati dikur. Sot është e mbyllur. PASOK-u ishte parti e frymëzimit. Sot nuk është më. Pesha elektorale është minimale. Çfarë ndodhi, brenda së majtës, eci një parti tjetër. Kam një mesazh tjetër, se kryetari i Bashkisë nuk duhet prekur. Edhe Tsipras nuk e fitoi, por arriti sot u bë kryeministër. Ku do arrijmë ne nëse themi, kujdes, kujdes PS, mos e shani PS. Rreziku kryesor është gërryerja nga qeverisja. Njësoj si në Spanjë. Që në momentin e parë u akuzua se krijoi shoqërinë e shokëve, për shokët.

Arben Malaj, ish-ministër në qeverinë Nano

Ora 21:01
Kabineti i ri qeveritar, Malaj: Ministren e Financave e kam patur studente, ka qenë e shkëlqyer

Arben Malaj, një nga figurat më të vjetra në Partinë Socialiste gjatë kohës së qeverisjes së Nanos, ka thënë se nga kabineti i ri qeveritar ka njohje vetëm për ministren e Ekonomisë, Anilaj Denaj.

Ministren e Ekonomisë e kam patur studente. U zgjodh nga Gjermani si studente shumë e mire dhe ka qenë e shkëlqyer. Për mua premisat i ka shumë pozitive. Sfida është si do e ndihmojë financën.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverinë Nano

Ora 20:49
Kandidimi i Veliajt/ Malaj: Duhet të ketë rivalë seriozë, modeli i qeverisjes së Bashkisë Tiranë, arrogant

Ish-ministri i Financave në qeverinë Nano, Arben Malaj, i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ka thënë se kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duhet të garojë me kandidatë seriozë përballë tij.

Veliaj duhet të kandidohet me kandidatë seriozë përballë tij. Ekspozohet përballë një rrisku të madh korruptues. Një biznesmen ka target që të ketë akses edhe tek ai që është ministër dhe kryeministër. Duhet të bëjnë kujdes për ambiciet që ka. Duhet të konkurrohet në mënyrë serioze. Bashkia Tiranë është problem me modelin e qeverisjes, që është një model arrogant. Me gjoba, shkatërron perime të njerëzve të varfër. Këto janë qëndrime të miat që janë koherente. Rasti i Astirit, ç’është kjo ngjarje kaq e madhe, që 300 familje duhet të lëvizin nga familjet e tyre. Ku është ndjesia njerëzore. E di çdo të thotë për një fëmijë që të jetë në ankth dhe në presion që do të trashëgohen. Po pse s’fillon dot më vonë? Le të rritet fluksi…S’ka humanizëm.

Arben Malaj, ish-ministër në qeverinë Nano

Ora 20:47
Malaj: PS të mos fshehë problemet që ka, dikur ishte model për Shqipërinë

Gjatë bisedës me gazetarin Ilir Babaramo, Arben Malaj, ish-ministër, ka thënë se Partia Socialiste dhe lidershipi i saj nuk duhet të fshehë problemet që ka. "PS të mos fshehë problemet që ka, dikur ishte model për Shqipërinë"-tha Malaj.

Ora 20:37
5 pyetje nga Babaramo/ Malaj: Thelbi është energjia e re, ministrat duhet të kenë profil publik

Ish-ministri i Financave në qeverinë Nano dhe një nga figurat më të spikatura në Partinë Socialiste në  kohën e Nanos, i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Arben Malaj, ka thënë se ministrat e rinj të qeverisë Rama duhet të kishin një profil publik. Malaj ka thënë se këto ndryshime duhet të sjellin një energji.

Bie dakord se partitë identifikohen me programe, dhe më pas me personalitete që janë në qeverisje. Ajo që është më e rëndësishme është testi dhe ndryshimet a do sjellin diçka të re. ishin ndryshime se kolegët kishin arritur eksperiencë deri në 5 vite? Thelbi duhet të jetë një energji e re, por ministrat duhet të kenë një profil publik. S’mendohet se ministri duhet të jetë teknokrat, por si deputet dhe njeri aktiv ka një komunitet ku mendohet se ka një mundësi të re për të bashkëpunuar.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverinë Nano

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë