Pas një rritje ekonomike të pritshme në 7.6% në 2021, për këtë vit që sapo ka nisur objektivi është që rritja të jetë 4.1%. Motorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, do të jenë konsumi dhe investimet.
Ministria e Financave thotë se ringritja e mëtejshme ekonomike do të mbështetet nga niveli i lartë të investimeve publike që në buxhetin e vitit 2022 janë parashkruar sa 6.4% e PBB-së.
Sa i takon konsumit sipas parashikimeve në 3 vitet e ardhshme ai do të rritet me 2.6 për qind në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së.
Ndikim në rritjen e konsumit do të ketë zbehja e efekteve të pandemisë COVID-19, dhe reduktimi i mëtejshëm i pasigurisë.
Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë mbi nivelin 5.5 për qind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit.
Po ashtu në fokus gjatë këtij viti do të jetë edhe përmirësimi i administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi, si dy tregues që ndikojnë më tej drejt rimëkëmbjes ekonomike. Ndërkohë rritja ekonomike pritet të jetë 4.2% në 2023 dhe të zbresë në 3.9% në vitin 2024.