Në sallën e morgut të I.M.L. Tiranë është bërë kqyrja e kufomës së shtetasit Sokol Olldashi, ku ka marrë pjesë eksperti mjeko-ligjor, ekspertët kriminaliste,ku dhe është mbajtur procesverbali përkatës,i shoqëruar me fotografi. Është vendosur sekuestrimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat në tunelin e Krrabës, me sens lëvizje Elbasan–Tiranë dhe është mbajtur edhe procesverbali përkatës. Janë përpiluar vendimet për kryerjen e eskpertimeve mjeko ligjore, biologjike, velerësuese të provave materiale të sekuestruara në vendin e ngjarjes dhe janë administruar aktet e ekspertimit përkatës. Nga akti i ekspertimit mjeko ligjor Nr.560 datë 02.12.2013 jepet konkluzioni se: 1.Tek kufoma e shtetasit Sokol Olldashi u konstatua trauma rëndë kafkotrunore karakterizuar nga thyerje të shumta të kockave të kokës e shoqëruar me mungesë të indit kockor,kontuzion(shembje) e rëndë e trurit e shoqëruar me mungesë të indit trunor.Plagë dërmishje dhe ekimoza të përshkruara në akt.2.Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mbretëse,karakteristike për traumat automobilistike. 3.Shkaku i vdekjes së shtetasit Sokol Olldashi ka qenë shoku i rëndë traumatiko hemoragjik.
Jo i alkoolizuar
Bazuar në aktin e ekspertimit toksikologjik ligjor Nr.1394 rezulton se në gjakun e viktimës Sokol Olldashi nuk u konstatua prania e alkolit etilik.Nga akti i ekspertimit biologjik Nr.53 datë 06.12.2013 jepet konkluzioni se: Njolla e gjakut e sekuestruara në vendin e ngjarjes të etiketuara me nr. 1 janë njolla gjaku me natyrë humane, dhe i përkasin grupit të gjakut A(II).Kampioni i gjakut marrë nga kufoma e shtetasit Sokol Olldashi i përkët grupit të gjakut A(II) Rehzus pozitiv.
Viktima fajtor
Është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit autoteknik të ngjarjes dhe është administruar akti i ekspertimit i dates 25.11.2013 në të cilin jepet konkluzioni si më poshtë:Shkaku determinant teknik i ndodhjes së aksidentit janë shkeljet e kryera nga drejtuesi i autoveturës dhe konkretisht: 1.Neni 139 K.Rrugor, “Shpejtësia”- Është detyrë e drejtuesit të mjetit të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që, duke pasur parasysh karakteristikat, gjendjen dhe ngarkesën e mjetit, karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, si dhe çdo rrethanë tjetër të çfarëdo natyre, të mënjanojë çdo rrezik për sigurinë e njerëzve dhe mallrave dhe çdo shkak tjetër që krijon çregullime për trafikun. Drejtuesi i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kondita të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të mundshme. Veçanërisht drejtuesi mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në afërsi të kryqëzimeve dhe shkollave, ose vendeve të tjera të frekuentuara nga fëmijët, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ose për shkaqe të tjera, gjatë kalimit në zona të banuara ose në pjesë të rrugës, anash së cilave ka ndërtesa. 2.Neni 144 K.Rrugor,”Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”,- Përdoruesi i rrugës është i detyruar të sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor dhe nga polici i trafikut, sipas normave të neneve nga 38 deri ne 43 dhe normave përkatëse të akteve në zbatim të kodit. 3.Neni 170 K.Rrugor, ”Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit” - Drejtuesi i mjetit,të prodhuara nga janari 1978, janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë në çdo lloj lëvizjeje me mjet.
Pyetja e dëshmitarëve
Në lidhje me këtë ngjarje janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasit H. Lami, E. Çumani, K. Kullolli të tre punonjës policie, Igli Cara, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Bledar Begolli, M. Bala, mjeku i urgjencës së Tiranës, H. Sallufi dhe L. Sallufi, banor të fshatit Mushqeta të cilët kanë dhënë deklarime për rrethana të ngjarjes. Provat materiale sende personale u janë kthyer familjarëve të viktimës me procesverbal.
Tabulatet telefonike
Nga tabulatet telefonike rezulton se deklarimet e bëra nga shoferi, i viktimës, Bledi Begolli, përputhen plotësisht me qelizat e vendndodhjes së tij, në momentin e ndodhjes së ngjarjes.Duke analizuar provat e administruara në këtë material kallzues rezulton se ngjarja ku ka mbetur i vdekur shtetasi Sokol Olldashi ka ndodhur si rezultat i aksidentit automobilistik. Nga provat e marra provohet se shtetasi Sokol Olldashi duke drejtuar automjetin e tij tip benz me targë AA 003 HN, në vendin e quajtur fshati Mushqeta, ka dalë nga rruga duke u përmbysur, dhe për pasojë ka humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi Sokol Olldashi. Për sa më sipër,procedimi penal Nr.7675 viti 2013 për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 K.Penal, duhet pushuar pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.