Ekskluzive/ 4 gjykata i kërkojnë Kushtetueses shfuqizimin e rishikimit të dënimeve

TIRANË- Bllokohet rishikimi i dënimeve. Katër gjykata të niveleve të ndryshme i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e nenit për rishikimin e dënimeve në Kodin e Procedurës Penale, me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën e ndryshuar në korrik të 2016.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Gjykata Apelit Shkodër dhe Gjykata Apelit Gjirokastër kanë vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese, e cila vijon të mos funksionojë për shkak të veprimit të Vetingut, për të shfuqizuar nenin 453 të Kodit të Procedurës Penale. Neni 453 është pjesë e kapitullit për rishikimin e vendimeve të dënimit, ku parashikon mënyrën e shqyrtimit të kërkesave nga të dënuarit. Më konkretisht, neni 453 i Kodit të Procedurës Penale parashikon që kërkesa për rishikimin e dënimit shqyrtohet nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve. Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë ose në gjykatën e apelit, kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Kundër vendimit nuk lejohet ankim. Por, sipas gjykatave në fjalë, neni 453 është i papajtueshëm me nenin 34 të Kushtetutës së ndryshuar në korrik të vitit 2016.

Por, nëse Kodi i Procedurës Penale parashikon rishikimin e dënimit kur plotësohen kushtet nga nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin, Kushtetuta në nenin 34 parashikon rigjykimin e çështjes nga një gjykatë më e lartë. Konkretisht, neni 34 i Kushtetutës parashikon që “askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”. Për rrjedhojë, gjyqtarët kanë bllokuar rishikimin e dënimeve në bazë të nenit 145 të Kushtetutës, i cili parashikon që ‘gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat”.

Kërkesat e gjykatave drejtuar Gjykatës Kushtetuese
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkon shfuqizimin si antikushtetues togfjalëshin “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit” parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të K. Pr. Penale si dhe togfjalëshin “...i së njëjtës gjykatë” parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të K. Pr. Penale, të ndryshuar me Ligjin NR. 35/2017, si të papajtueshëm me nenet 4, 34, 116, 135 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, pasi çmon se ligji, neni 453 paragrafët 1, 3 dhe 4 i Kodit të Procedurës Penale, bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, neni 34 dhe 30 i saj.

-Gjykata Apelit Shkodër kërkon kontrolli nenit 453 pika 1 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale pasi vjen në kundërshtim me nenin 34 të Kushtetutës.

-Gjykata Apelit Gjirokastër kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 453, pikat 1 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale.

Faksimile të kërkesave të gjykatave drejtuar 'Kushtetueses'

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë