Ekskluzive/ Alia në '90: A  po
bëjmë si Shehu, Lubonja e Paçrami?

Ekskluzive/ Alia në '90: A  po<br />bëjmë si Shehu, Lubonja e Paçrami?
TIRANE- Të ç’natyre ishin ndryshimet apo lëshimet që po bënte Partia e Punës dhe Ramiz Alia në vitin 1990? A ishin ato ndryshime thelbësore drejt demokratizimit të vendit, apo ishin thjeshtë ndryshime kozmetike, siç edhe i quanin shpesh shqiptarët, gjatë atyre muajve të mbushur me ankth, frikë dhe kureshtje, për çfarë do të ndodhte me të ardhmen e vendit. Për këto ndryshime, Ramiz Alia, minsitrat e tij, dhe e gjithë kupola drejtuese e Partisë diskutonin thuajse në çdo mbledhje duke e intensifikuar këtë sidomos gjatë muajve të verës dhe në vjeshtën e 1990-ës.

Por dokumenti që po sjellim sot e që do të vijojë edhe në numrat pasues të gazetës zbulon diçka më shumë për impaktin që kishin këto ndryshime që po ndodhnin. Në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qëndror të datës 15 tetor 1990, Ramiz Alia, ka bërë një ekspoze të asaj ç’ka perceptohej në disa rangje të popullsisë. Ai ndan veç dy linja, të cilat kanë thuajse mendime të kundërta për ndryshimet që po ndodhnin. Ishte linja e liberalëve që sipas tij i quanin ndryshimet thjeshtë kozmetike dhe aspak të rëndësishme e thelbësore, dhe ishte linja tjetër e konservatorëve, të cilat i shihnin këto ndryshime si një kthim pas tek “gabimet e armiqve të popullit”.

Sipas Ramiz Alisë shumë ndryshime ekonomike për këtë grup konservatorësh ishin të ngjashme me ndryshimet që kërkonin Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi në ekonomi, ndërsa ndryshimet në art e kultuyre ju ngjanin atyre të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, duke shkuar edhe më tej, ndërsa përmendin ndryshimet politike që ju kujtonin ‘gabimet e Mehmet Shehut”. Çfarë është diskutuar më tej në këtë mbledhje, kush ka ndërhyrë dhe ç’plane kishin, na i zbulon në detaje dokumenti i mëposhtëm.
 
Dokumenti i plotë
 
Sekret
 
MBLEDHJE E SHOKËVE SEKRETARË
TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
15.10.1990
 
(Në këtë mbledhje u diskutua për tendencat që vihen re lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit dhe punën që duhet bërë me njerëzit për shpjegimin dhe sqarimin e tyre)
 
SHOKU RAMIZ ALIA: Lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit vihen re dy tendenca:
Tendenca e parë është e krahut liberal, i cili, nisur nga qëllime të caktuara, këto masa i quan ndryshime “kozmetike” dhe kërkon t’i sabotojë. Liberalët synojnë ta largojnë Partinë nga pushteti popullor, nga socializmi, nga mbrojtja e lirisë dhe e pavarësisë së atdheut, prandaj edhe nuk janë dakord që demokratizimin e vendit ta udhëheqë Partia. Krahu liberal kërkon të mos ecim në rrugën që ka përcaktuar Partia, por në rrugën që dëshiron reaksioni, e cila do të ishte me pasoja tepër të rrezikshme për fatet e vendit tonë.

Tendenca e dytë është e krahut konservator, që e quan veten “parimor”, i cili të gjitha masat që ka marrë e po merr Partia në fushën e ekonomisë, në atë të marrëdhënieve shoqërore, në politikën e jashtme e të tjera, i konsideron si largime nga vija jonë, madje si afirmim i veprimtarisë së grupeve të ndryshme armiqësore. Sipas tyre, masat që po marrim në fushën ekonomike “janë të ngjashme me ato që kërkonte të merrnin Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, në fushën e artit e të kulturës po bëjmë atë që donte të bënte Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, kurse në politikën e jashtme po lëshojmë etj.”.

Këta njerëz, natyrisht, nuk dalin hapur, por kapin këtë pozicion. Për mendimin tim, kjo është tepër e rrezikshme, sepse duke qenë në këtë pozicion dhe kuadro të Partisë, kanë ndikuar dhe ndikojnë në neutralizimin e të gjitha punëve. Ata jo vetëm që vetë nuk janë aktivë për zbatimin e këtyre masave, por duke qëndruar në pozicion neutral, pengojnë që të mos jetë aktive dhe Partia.
Nisur nga kjo situatë, është e domosdoshme të bëhet e qartë:

Së pari, se me këtë rrugë që po ndjek Partia asnjë lëshim nuk po i bëjmë reaksionit, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në politikën e jashtme.
Së dyti, masat që kemi marrë e po marrim në kuadrin e demokratizimit të mëtejshëm të Partisë e të gjithë jetës së vendit nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë gjë të përbashkët me qëllimet e armiqve të Partisë, të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në fushën e kulturës, të Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit në fushën e ekonomisë, të Mehmet Shehut në fushën e politikës, në qoftë se kishte një politikë të caktuar.

Përse themi që masat që po marrim s’kanë asgjë të përbashkët me qëllimet e armiqve të Partisë?
Së pari, sepse këto grupe, bashkë me atë të Beqir Ballukut në ushtri, i kemi quajtur grupe komplotistësh, për faktin se i shërbenin një ideologjie e një politike të caktuar, që kishte për qëllim zhdukjen e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut. Që nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi e të tjerë punonin për llogari të të tjerëve dhe  përgatitnin terrenin politikisht, ushtarakisht e ekonomikisht që t’ia nënshtronin vendin të huajve.

     Së dyti, po të marrim fushën e kulturës, Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën i kritikuam jo pse lejuan të këndohej një këngë e huaj apo të visheshin artistët me rroba të ndryshme, por sepse ishin kundër frymës kombëtare në artet tona, largoheshin nga tabani kombëtar, mohonin çdo gjë kombëtare në histori, në letërsi, në muzikë e në arte, pra ishin për kozmopolitizmin. Ky është dhe thelbi i kritikës që u bëri atyre Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror të Partisë i vitit 1973.

     Së treti, mekanizmi i ri ekonomik që ka filluar të zbatohet në fushën e ekonomisë nuk afrohet asgjëkund me tezat e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit. Kritika që u ka bërë Partia tezave të tyre ishte se ato çonin në rrugën e vetadministrimit jugosllav. Siç është bërë e qartë me kohë, vetadministrimi jugosllav nënkupton që ndërmarrja administrohet me të ardhurat e veta, ajo i cakton vetë çmimet dhe pagat e punëtorëve. Kurse te ne si çmimet, ashtu dhe pagat, dy elementët themelorë të prodhimit, janë të përqendruar në dorë të shtetit.
faksimile

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg