Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të merret e pandehur për akuzën e shkeljes në tendera edhe për 6 tendera të tjerë.

Report Tv ka mësuar se Balluku ishte thirrur të paraqitej me avokatin e asaj që në orën 10:00, por deri në këto momente ish nr. 2 i qeverisë nuk ka arritur ne Prokurorinë e Posaçme, dhe as avokati i saj.

Ajo merret zyrtarisht nën akuzë edhe për 6 lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërkohë që më herët ishte marrë zyrtarisht e pandehur për lotin 4 dhe tenderin e Tunelit të Llogarasë. Për këtë të fundit një ditë më parë iu komunikua zgjatja e hetimit dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, e njëjta gjë pritet t'i komunikohet edhe vetë Ballukut. 

Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të djeshëm të GJKKO.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:34
‘Bela-ja e pushtetit’, Ballukut pritet t’i komunikohet akuza për shkeljen në 6 tendera të tjerë, protestuesit grumbullohen para SPAK (VIDEO)

Një grup protestuesish janë grumbulluar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme pasi sot është thirrur ish-zv. kryeministrja Belinda Balluku, së cilës pritet t’i komunikohet akuza për shkelje në 6 tendera të tjerë veç lotit 4 të Unazës dhe Tunelit të Llogarasë.

Ata mbajnë në duar pankarta kundër qeverisë, si edhe ndaj deputetes.

“Bela-ja e pushtetit”, thuhet në një pankartë, kurse në një tjetër “Bela, vasalja e mretit, tregoji SPAK-ut, vjedhjen e buxhetit.”

Policia po ndërhyn për largimin e protestuesve, por ata ua kthejnë se nuk po bëjnë asgjë të ndaluar.

Kujtojmë se gjatë dy muajve protestë, një prej thirrjeve të vazhdueshme ka qenë “Arrestoni Ballukun.”