Të votosh për koalicionin Berisha-Meta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një kthim pas për vendin. Deklaratën e ka bërë ekskluzivisht për Report Tv, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar. I pyetur se sipas të gjitha gjasave, e konfirmuar kjo edhe në sondazhe, aleanca mes Berishës dhe Metës është forca kryesore opozitare në vend dhe a do të bashkëpunojë SHBA me Berishën si drejtues opozitar, Escobar e ka thënë qartë se nuk e kupton se pse shqiptarët duhet të shohin mbrapa.

“Për mua nuk e di pse njerëzit duhet të shohin mbrapa në të shkuarën për aq kohë sa mund të shikojnë drejt së ardhmes. Do të preferoja të mos komentoja  shumë rezultatin zgjedhor, por dua të sjell në vëmendje progresin që ka bërë Shqipëria për këto 30 vite. Shqipëria ka ecur përhapa në integrimin eurtoatlantik dhe ka ngritur nivelin e besueshmërisë në arenën ndërkombëtare që kurrë nuk e ka pasur më parë, dhe ka shumë sfida që duhet të përfshihen në programimin e agjendën”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje që Berisha të mos votohet pasi edhe nëse do të ndodhte që të fitonte zgjedhjet nuk do t’i hiqej ‘non grata’. Ka qenë pikërisht Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan, njëherazi i dërguari special për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili në një intervistë të dhënë pak ditë më parë i ka shuar çdo shpresë Sali Berishës, duke ia bërë të qartë se edhe nëse fiton zgjedhjet, “Non Grata” nuk do i hiqet. Duke e cilësuar si “e shkuara e vendit”, Escobar tha në këtë intervistë se SHBA është shumë e qartë në qëndrimin e saj ndaj personave që janë sanksionuar për “korrupsion” dhe “minim të demokracisë”. Historia ka treguar se “Non Grata” nuk i është hequr askujt dhe këtu nuk bën përjashtim as Sali Berisha.

Në mesin e prillit Escobar zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku sigurisht e shmangu një takim me Berishën. Ai ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj si edhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ku ka folur për zgjedhjet, por jo vetëm.