EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi
Zogu për Shqipërinë perëndimore

EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi<br />Zogu për Shqipërinë perëndimore
Artikulli i dhjetë i akademikut Kristo Frashëri mbi të vërtetat e jetës dhe karrierës politike të Ahmet Zogut. Vjen sot një analizë e Frashërit mbi vlerësimet e historianit amerikan Bernd Fischer ndaj figurës së Ahmet Zogut.

VLERESIMI I HISTORIANIT AMERIKAN BERND FISCHER

Me sa dihet, autori i parë, i cili e ka trajtuar në punim më vete Ahmet Zogun që nga lindja deri në vdekje jo vetëm si personalitet moral, intelektual, politik, por edhe regjimin në tërësi që ai drejtoi si kryetar i Republikës dhe si mbret i Shqipërisë – është historiani amerikan Bernd Jurgen Fischer. Monografia e tij u botua për herë të parë në origjinalin anglisht në Santa Barbara, Kaliforni në vitin 1984, kurse në përkthimin shqip, tek i cili ne do të mbështetemi në këtë punim, u botua më 1996: Bernd Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, përkthyer nga Krenar Hajdëri, Tiranë 1996, ff. 361.

Bernd Fischer-i, ndonëse  e ka trajtuar historinë e Ahmet Zogut në tërësi - në pjesën më të madhe të monografisë ai është përqendruar te veprimtaria e tij si burrë shteti – si ministër, kryeministër, kryetar i Republikës dhe mbret i Shqipërisë. – që nga Kongresi i Lushnjës deri më 1939. Gjatë leximit spikat përpjekja e autorit për ta trajtuar këtë personalitet tepër kompleks në mënyrë objektive dhe për ta përkufizuar vendin që ai zë në historinë e kohës së re të Shqipërisë nga këndvështrimi i një historiani, i cili nuk ka interesa as të rritë meritat, as të fryjë dobësitë apo mëkatet. Nëse aty vihen re defekte apo mangësi, duket se ato kanë rrjedhur nga mungesa e informacionit historik. Në fakt, autori duket se nuk i ka shfrytëzuar sa duhet burimet dokumentare shqiptare. Mosshfrytëzimi i tyre përbën me siguri një minus për cilindo historian që merr përsipër të trajtojë çdo temë nga historia e Shqipërisë. Megjithatë, monografia e Bernd Fischer-it është sot për sot trajtesa më serioze midis punimeve që janë botuar deri tani mbi mbretin Zog brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Historiani amerikan Bernd Fischer e ka mbyllur monografinë e vet me një analizë mbi meritat, dobësitë dhe dështimet e monarkisë zogiste, të cilat natyrisht në disa pika mund të rishikohen, të thellohen apo të korrigjohen.

Në vijë të përgjithshme, historiani amerikan e quan të dështuar misionin historik që Ahmet Zogu pati për ta shndërruar Shqipërinë në një vend evropiano-perëndimor dhe për ta konsoliduar përjetësisht pushtetin e tij mbretëror. Dihet se ai nuk realizoi as njërin, as tjetrin mision. Gjatë 14 vjetëve të regjimit republikan dhe mbretëror Shqipëria mbeti ashtu siç ishte, një vend i varfër, me një ekonomi anemike. Veç kësaj, pas katërmbëdhjetë vjetëve ai humbi edhe kurorën mbretërore. Kjo ndodhi, mendon historiani B. Fischer, për arsye se megjithë zgjuarsinë e tij, ai qe produkt i një mjedisi të prapambetur shoqëror.

A. Zogu ishte pinjoll i një prijësi të vogël fisnor me një arsim të pamjaftueshëm dhe i formuar me tiparet e një prijësi kapriçoz ballkanik, i cili e kalonte kohën me lufta dhe me intriga midis fiseve. Ai pohon se Ahmet Zogu ishte i pajisur me inteligjencë dhe me talent, por me një talent të përshtatshëm për t’u ballafaquar me sukses me rivalë të kategorisë së vet. Meritë tjetër e A. Zogut, nënvizon historiani amerikan, ishte se ai e njihte mirë popullin e vet. Këto veti e ndihmuan A. Zogun të çante rrugën  për të arritur në majën e pushtetit në Shqipëri. Por kur ai arriti në majën e pushtetit doli se ato veti nuk ishin më aq të përshtatshme për të korrur suksese në transformimin e Shqipërisë në një vend të përparuar. Historiani amerikan citon gjykimin e një përfaqësuesi diplomatik britanik në Shqipëri (emrin e të cilit nuk e thotë), i cili ka pohuar se “Zogu kishte më tepër dhunti si minsitër i Brendshëm, sesa si kryeministër”. Ne do të shtojmë: akoma më pak si monark. Ai shton se “ishte i paaftë për të zgjedhur bashkëpunëtorë kompetentë duke e lënë popullin të vuante nën zgjedhën e burokratëve të pakorrigjueshëm osmanë”. Paaftësia për të zgjedhur bashkëpunëtorë kompetentë duket se nuk është e saktë. Sikurse ka vënë me të drejtë në dukje Faik Konica, ai, Zogu kishte frikë nga njerëzit e aftë, nga patriotët e ndershëm dhe nga personalitetet e kulturuara dhe jo se nuk ishte në gjendje t’i zgjidhte njerëzit e aftë.

Siç vë me të drejtë në dukje historiani amerikan, A. Zogu pati aftësi të rralla për të kapur majat më të larta të pushtetit. Por “pasi hipi në fron u duk se dhuntitë e tij nuk ishin më aq të dobishme si më parë”. (Po aty, f. 319). Më tej: Ndonëse Zogu vazhdoi të ishte i aftë “të ndërmerrte veprime të vendosura e të tregohej këmbëngulës – ai nuk qe në gjendje të gjente dhe të studionte metodat më të përshtatshme për përballimin e vështirësive me të cilat u ndesh”.  Sipas B. Fischer-it, “për arsye të aftësive konstruktive të kufizuara, të paaftësisë për të kuptuar marrëdhëniet ekonomike dhe të pamundësisë për të kuptuar thellësinë e vërtetë të problemit të fshatarësisë në Shqipëri – A. Zogu e pati të pamundur të realizonte një përparim të vërtetë material të vendit të tij”. Për këto arsye, gjendja e Shqipërisë në vitin 1939, nënvizon ai, ishte ende e mjerë. B. Fischer-i shkruan tekstualisht:

“Fshatarësia përbënte akoma shumicën e popullsisë së vendit, ndërkohë që industria në vitin 1938 nuk zinte veçse 4.4 për qind të të ardhurave kombëtare. Metodat e përdorura në bujqësi dhe blegtori ishin ende primitive, edhe për shkak se kapitalet e vogla që kishte Shqipëria ishin përdorur keq. Transportet dhe komunikacionet ishin ende të pazhvilluara. Në vitin 1939, Shqipëria nuk kishte ende asnjë hekurudhë dhe dispononte vetëm 500 milje rrugë automobilistike, thuajse krejtësisht në një gjendje të dëshpërueshme.

Për shkak të sistemit primitiv të transportit dhe të pasojave negative që ai kishte mbi bujqësinë dhe industrinë, vendi kishte nevojë për importe masive. Shqipëria jo vetëm importonte gjithçka që i nevojitej për fushën e artikujve të gatshëm, por vazhdonte të kishte nevojë edhe për importimin e një sasie prodhimesh bujqësore. Në vitin 1939, Shqipëria vazhdonte të importonte ende sasi të mëdha gruri, misri dhe orizi për plotësimin e nevojave themelore të banorëve të saj. Eksporti nuk përbënte as 50% të importit. Tregtia për frymë ishte 2.5 herë më e lartë në Bullgari, 1.75 herë më e madhe në Jugosllavi, 7.5 herë më e lartë në Greqi dhe 31 herë më e madhe në Angli. Është e qartë se Zogu dështoi në përpjekjet e tij për të krijuar një stabilitet ekonomik në Shqipëri. Megjithëse ky nuk ishte dështimi i tij i vetëm, mund të thuhet se ishte dështimi më serioz”. (Po aty, f. 320)

Historiani amerikan B. Fischer shkruan se gjendja shoqërore e vendit ishte po aq primitive sa edhe gjendja ekonomike. “Fshatarët e varfër mbetën nën sundimin e çifligarëve feudalë myslimanë... Kushtet e përgjithshme të jetesës ishin të këqija thuajse kudo, populli vuante prej ushqimit të keq, gjë që e bënte mjaft të prekshëm prej sëmundjeve. Shërbimi publik shëndetësor thuajse nuk ekzistonte. Arsimi ishte ende në fillimet e tij. Në vitin 1939, 85% e popullsisë ishte analfabete, shifër që përbënte përqindjen më të lartë në krejt Europën. Ndonëse në arsim u shënuan disa arritje, vazhduan të mbeteshin ende mjaft probleme serioze sociale”. (Po aty, f. 320).

Me gjithë këto dobësi dhe mangësi, historiani amerikan njeh si anë pozitive faktin që Zogu “krijoi kushtet, ndonëse në pamje të parë të pandjeshme, që bënë të mundur ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur”. Më tej ai e cilëson Zogun si politikan “dualist” në kuptimin e një “sistemi të përbërë prej ideve politike perëndimore dhe atyre lindore, ndoshta më tepër perëndimor në formë dhe lindor në përmbajtje. Në terma praktike, ndryshe prej shteteve të tjera ballkanike, ai krijoi në periudhën midis dy luftave botërore një diktaturë joabsolutiste disi të efektshme...

Pavarësisht prej të metave të tij, shteti i çuditshëm i krijuar prej Zogut i dha atij mundësinë të realizonte centralizimin e domosdoshëm për të luftuar dhe për të qetësuar gjendjen kaotike të mungesës së ligjit në zonat malore e për të afruar me njëri-tjetrin elementë deri atëherë divergjentë. Pavarësia që fiset e Veriut kishin gëzuar për shekuj me radhë u kufizua së tepërmi. Shumë vetë u detyruan të dorëzonin armët, duke bërë në këtë mënyrë të mundur pakësimin në përmasa të gjera të kusarisë dhe të fenomenit të gjakmarrjes.

Gjatë viteve ’30, qeveria qendrore njihej dhe pranohej në të gjitha krahinat e vendit, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë administratës së Zogut të mblidhte taksat dhe të siguronte rekrutët për ushtrinë e vet, sende këto që konsideroheshin krejtësisht të pamundura fill pas Lutës së Parë Botërore. Në këtë aspekt, Zogu korri rezultate me të vërtetë të rëndësishme”. Më në fund historiani amerikan vë në dukje se përveç “stabilitetit politik unik dhe pa dyshim një prej kontributeve më të rëndësishme të Zogut, ishte krijimi i një mjedisi ideal për rritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare...

Kur Zogu u largua prej pushtetit në vitin 1939, në Shqipëri ishte vënë në lëvizje procesi i krijimit të një forme rudimentare nacionalizmi, të domosdoshëm për krijimin e një shteti modern. Por ndërtimi i një aparati shtetëror që do të çonte në centralizimin e vendit nuk ishte konsiderata e vetme e rëndësishme në krijimin e mjedisit të dëshiruar. Një kontribut të rëndësishëm dha edhe politika e jashtme e Zogut. Në betejën e tij kundër të huajve, Mbreti krijoi një fokus të qëndrueshëm për krijimin e një ndjenje nacionale. Rezistenca e tij e përhershme ndaj përpjekjeve italiane për të shkelur sovranitetin politik të Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial dëshmoi, - thotë ai, - jo vetëm për vullnetin e tij për të ekzistuar politikisht, por njëkohësisht edhe për një shkallë të lartë patriotizmi”. (Po aty, ff. 321-322).

Ndërsa me vlerësimet pozitive dhe negative që B. Fischer-i i bën deri këtu monarkisë zogiste jemi pak a shumë të një mendimi me të – për meritat që ai i jep A. Zogut ndaj çështjes nacionale dhe ndaj politikës së jashtme që ai ndoqi ndaj Italisë fashiste, e shohim të vështirë të pajtohemi me të. Politika e jashtme e A. Zogut, e cila karakterizohet nga kapitullimi i tij ndaj Italisë fashiste, i shërbeu çështjes nacionale jo se kjo politikë ushqente konsolidimin e çështjes nacionale, pra jo politikës së A. Zogut, por si reagim që shkakton çdo rrezik i jashtëm në rritjen e çështjes nacionale.

Madje, zhvillimi i çështjes nacionale u drejtua jo vetëm kundër synimeve të Italisë fashiste, por edhe kundër vetë Zogut për politikën e tij të “dyerve të hapura” ndaj Italisë fashiste. Mëse një herë qarqet opozitare demokratike, madje edhe komuniste, e njoftuan A. Zogun se ishin të gatshëm të pajtoheshin me të nëse ai do t’i këpuste fijet e tij politike dhe ekonomike që kishte lidhur me Romën. Rezistenca që Mbreti Zog bëri ndaj disa kërkesave të Mussolinit nuk kanë vlerë përballë akteve të tij madhore, siç qenë për shembull marrëveshjet politike, ekonomike, financiare dhe ushtarake me përmbajtje nënshtruese që Zogu lidhi me qeverinë italiane, të cilat përgatitën pushtimin fashist të 7 prillit 1939.

Historiani amerikan e çmon refuzimin e Zogut për të nënshkruar bashkimin doganor dhe ardhjen në Shqipëri të kolonëve italianë. Por kundërshtimi i tij mbeti formal po të kemi parasysh se politika kapitulluese e A. Zogut çoi në pushtimin ushtarak të Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe se me këtë pushtim Mussolini realizoi një fitore më të madhe se bashkimi doganor dhe kolonizimi italian i Shqipërisë. Më në fund, B. Fischer-i ndërsa pohon se opinioni publik shqiptar e miratoi rezistencën që Zogu u bëri presioneve të fundit të Mussolinit, shton se: “Në rast se Zogu do të kishte qëndruar në Shqipëri për të udhëhequr rezistencën gjatë Luftës së Dytë Botërore, sot ai do të kujtohej nën një dritë më pozitive” (Po aty, f. 322).

Përderisa Zogu nuk qëndroi në Shqipëri dhe nuk udhëhoqi ndonjë rezistencë serioze të armatosur kundër okupatorit të huaj, të dy këto elemente e keqësojnë edhe më tepër qëndrimin e A. Zogut si sovran i vendit. Madje, largimin e tij si kaçak bashkatdhetarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ta dënojnë.
 
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013

Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe  
 EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
 Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë


Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar