TIRANE- Një biznesmene shqiptare, ish e fejuara e Massimiliano Nicolinit tregon ekskluzivisht për Shqiptarja. com historinë e njohjes me italianin, prezantimin e tij pranë familjes, ngritjen e gjashtë bizneseve me të në Tiranë, por edhe përfshirjen në historinë për makinën që duket se ka futur në burg një nga koordinatorët e grevës së urisë, Asllan Patriotin. Ish e fejuara e Nicolinit pranon se që nga qershori, për makinën “Jaguar” është
thirrur disa herë në prokurori dhe ditën e djeshme, ka pasur edhe një tjetër ballafaqimme italianin.

Zonjë në ç’rrethana e keni njohur shtetasin italian Massimiliano Nicolini?

E kam njohur përpara dy tre vitesh dhe kam bashkëjetuar me të për disa muaj. Ishim thuajse të fejuar, sepse ia kam prezantuar edhe prindërve të mi. Aktualisht kam një problem të madh me të, sepse është një mashtrues dhe po përpiqet të më hapë probleme duke mashtruar në prokurori për mua.

Për çfarë mashtrimesh e keni fjalën?
Në muajin qershor më ka akuzuar mua në polici se i kisha vjedhur makinën. Është një makinë tip "Jaguar". Ka qenë gjithçka e sajuar. Më thirrën në prokurori dhe po më pyesnin sikur kisha kryer krimin më të madh. I thashë prokurorit "Po mirë more zotëri përpara se të vish te unë a kontrollove, a e pyete këtë njeri se në ç'vend e kishte parkuar makinën ai"? Kam bërë vajtje ardhje në prokurori gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa ditën që Massimiliano ka bërë denoncimin, policia ka mbajtur gjithë natën shoferin tim në komisariat dhe e kanë traumatizuar i thonin trego ku e keni fshehur makinën.

Mos bëhet fjalë për të njëjtën makinë vjedhja e së cilës implikoi dhe grevistin Asllan Patrioti?

Nuk e di, por besoj se po, pasi ai vetëm atë "Jaguar" ka mbajtur mesa di unë megjithatë nuk jam e sigurt. E pashë dje në prokurori e pashë krejt rastësisht, sepse më kishin thirrur dhe mua për çështjen e makinës që vazhdon që prej muajit Qershor. Më erdhi për të vjellë kur e pashë atë mashtrues, ishte i shoqëruar dhe nga dy persona që dukeshin si policë të "Renea"-s.

Ju vazhdoni shkoni në prokurori ende për çështjen e asaj makine?

Kam që në Qershor po të them që më është bërë ferr kjo punë. Ndoshta prokuroria dhe policia e mbështet pasi unë prokurorit i kam dorëzuar edhe dokumente të kompanive që dikur kam qenë ortake me të dhe i kam thënë "urdhëro zotëri hetoje sepse i përdor kompanitë që ka krijuar me ne dikur këtu në Shqipëri për të bërë aferra dhe mashtrime ndërkombëtare". Më ç'kam kuptuar unë materialet që unë kam dorëzuar as i kanë lexuar fare në polici dhe prokurori. Nuk e di pse nuk janë marrë me ato që u kam treguar unë hetuesve.

Për cilat kompani e keni fjalën, sepse zoti Nicolini ka dy kompani të regjistruara në Tiranë dhe ju nuk figuroni në asnjërën prej tyre….

Ju nuk keni kontrolluar siç duhet, ka të paktën gjashtë kompani të themeluara prej tij në Tiranë, kompani në disa prej të cilave jam dhe unë aksionare, por edhe shtetas të tjerë italianë dhe shqiptarë, që të gjithë jemi "peshqit" e tij pasi që të gjithë flasim e komunikojmë me njëri-tjetrin pasi na ka mashtruar të gjithëve.

Prokurorëve ua keni thënë këto gjëra?

Sigurisht që ua kam thënë u kam thënë edhe më shumë se kaq. Por kanë pesë muaj që merren me makinën dhe me budallallëqe dhe unë e di se ç'kam hequr, nuk jam mësuar asnjëherë të bredh dyerve të policisë dhe prokurorisë, kam parë gjithnjë karrierën dhe punën time dhe jam marrë me biznesin tim dhe punët e mia.

Konflikti juaj me zotin Nicolini erdhi pas mosmarrëveshjeve në biznes?

Jo jo, s'ka lidhje fare. Unë jam zënë dhe ndarë me të për çështje që kishin të bënin me lidhjen tonë dhe tradhëtitë e tij dhe më vonë kam mësuar dhe investiguar se çfarë bënte ai njeri me kompanitë që i kishte themeluar me mua dhe me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë.

Keni qenë të fejuar thatë?

Kemi bashkëjetuar dhe e kam prezantuar edhe me familjen në mënyrën më zyrtare të mundshme, a nuk është fejesë kjo?

Neve na rezulton i martuar në Itali ai edhe me fëmijë madje….

Unë kam investiguar privatisht dhe s'më rezulton të ketë martesë, në kuptimin ligjor, pra celebrim. Fëmijë ka, me bashkëjetuese të tjera të cilat i mbante të fshehta dhe që më vonë kuptova se i kishte mashtruar dhe shfrytëzuar njësoj si unë. Kam marrë kontakt me njërën prej tyre në Itali dhe historitë tona janë si dy pika uji, mashtrues perfekt, i tmerrshëm. Mashtrues jo vetëm me femrat por edhe me ortakët dhe bashkëpunëtorët e dikurshëm, që unë i njoha prej tij, se ai i sillte në Shqipëri dhe që tani flasim dhe komunikojmë me njëri tjetrin pasi na ka futur në të njëjtin thes të gjithëve, të gjithëve na ka përdorur e mashtruar.

Në fakt në Itali është shkruar për të, hiqej dhe si konsull i Shqipërisë në Breshia apo jo?

Jo vetëm, por unë deri vonë e dija se ishte konsull i Vatikanit në Tiranë.

Në fakt nuk rezulton të ketë qenë ndonjëherë………

Po ç'konsull more, kështu e dinin të gjithë të gjithë na ka mashtruar. Mashtrues perfekt, imagjino çdo të dielë në orën 10:00 shkoja në kishë me të, çdo të dielë, nuk i shpëtonte asnjë detaj, ndaj na e hodhi të gjithëve.

Çfarë menduat kur dëgjuat për arrestimin e grevistit?

Sot e kam marrë vesh në fakt, e pritshme është nga ai. Megjithatë mendoj se e gjitha kjo nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Ka mashtruar aq shumë njerëz si këtu si në Itali sa do vijë momenti dhe do dalë zbuluar. Ai është shumë i zgjuar dhe shumë i aftë, mendoj se nëse nuk do të kishte këtë karakter mashtruesi do kishte ecur qetë dhe shumë përpara në biznes. Por mesa konstatoj është ngatërruar edhe më keq tani.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)