Kushtetuesja rrëzon vendimin e Qeverisë për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Hila! Organizoi djegien e materialeve zgjedhore në KAZ-në Bushat në 2019-n
Gjykata Kushtetuta ka pranuar kërkesën e ish-kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, dhe ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar.
Redaksia 5 Qershor 2021, 09:20 | Përditesimi: 5 Qershor 2021, 13:48
Gjykata Kushtetuta ka pranuar kërkesën e ish-kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, dhe ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ka siguruar vendimin e plotë të Kushtetueses që thotë se është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar.
"Si përfundim, Gjykata, bazuar në analizën e të gjitha pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se kërkesa e tij duhet pranuar në objektin e saj, pasi është cenuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit", thuhet ndër të tjera në vendim.
Atëherë rreth 250 militantë të Partisë Demokratike i vunë flakën me bomba molotov KZAZ-së. Nga sulmi, KZAZ-ja ka shpërthyer në flakë duke shkatërruar materialet e votimit, e për pasojë la të plagosur tre efektivë të Policisë së Shtetit
Lidhur me vendimin e shkarkimit të Hilës nga detyra, Rama më herët u shpreh se Hila jo vetëm do shkarkohej por edhe do të ndiqej penalisht, duke paralajmëruar se kush do që do ndjekë shembullin e tij do të ketë të njëjtin fat dhe të vihet përpara drejtësisë.
Ka qenë ish ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që kishte propozuar shkarkimin e Hilës, pas sulmeve të dhunshme të ndodhura në KZAZ nr 6 në Bushat ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të plagosur tre efektivë policie. Vetë Hila në një prnoncim për Report Tv deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me organizimin e protestës.