Ekskluzive/ Hysni Bardhi: Si e
rrëmbeu Azemin Izet Haxhia

Ekskluzive/ Hysni Bardhi: Si e<br />rrëmbeu Azemin Izet Haxhia
TIRANE- Në vitin 1996, në tetor-nëntor, Hysni Bardhi, thotë se rrethanat bënë që ai të ishte shumë i afërt me Azem Hajdarin dhe nisën një lëvizje të gjerë antiqeveritare, e cila e thelloi armiqësinë e liderit të dhjetorit me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën. Pikërisht për këto momente, mbushur me kërcënime e përndjekje nga njerëzit e SHIK-ut, për Azem Hajdarin, siç dëshmon Hysni Bardhi, shënohen ditët më të vështira deri në shtatorin e ’98 kur edhe e eleminuan fizikisht. Kjo pjesë e dytë e rrëfimit të sindikalistit Bardhi, është e mbushur me dëshmi mjaft grishëse për lexuesin, duke i lënë radhën pjesës së tretë, nesër, ku flitet më shumë për vrasjen e Azemit dhe pesë atentatet që iu bënë atij.

Pjesa e parë e intervistës u publikua dje dhe do të vijojë dhe nesër me pjesën  tretë)

Pjesa e parë e publikuar dje në Shqiptarja.com: Hysni Bardhi: Studentët në Vlorëme ‘97 kërkonin Azem Hajdarin


 Z. Bardhi, ti lëmë për pak momente ngjarjet e ’90-ës dhe idealet e asaj kohe, për t’u rikthyer sërish më vonë. A mund ta kujtoni si nisët të bashkëpunonit me Azem Hajdarin për protestat kundër qeverisë së Meksit në ’96-ën?
Në vitin 1996 u bënë zgjedhjet. Në tetor të 96-ës Azem Hajdari filloi lëvizjen me sindikatën. Ishte fundi i tetorit fillimi i nëntorit. Ai erdhi e më kërkoi. Më tha se ishte një lëvizje që duhesh bërë dhe unë pranova që të jem pjesë në të.
 
Pse ju kërkoi ju?
Meqenëse e njihte kurrikulumin tim dhe njiheshim që më përpara. Kështu e filluam lëvizjen me sindikatën.
 
Pra ky është momenti kur ju bëheni njeriu i afërt i Azem Hajdarit.

Po atëherë kam qenë njeriu më i afërt i tij.
 
Ta ndjekim pak rrjedhën kronologjike. Më thatë para se ta nisnim këtë intervistë se deri në 93-shin kishin një tjetër konsideratë për Sali Berishën e pas 93-shit e urreni... Pse ?
Kjo filloi nga fundi i 93-shit. Nga viti ‘91, sidomos ‘92-’93, Sali Berisha ishte personi, drejtuesi i shtetit shqiptar, i cili kishte një përkrahje mbarëbotërore nga figurat më të njohura të politikës botërore, një mbështetje që s’e kishte pasur asnjë udhëheqës shqiptar dhe këtë ai nuk po dinte ta administronte. E nëqoftëse gjithë këtë përkrahje plus përkrahjen e brendshme që kishte në popull, nuk di t’i administrosh,  atëherë nuk je për këtë punë.

 Po të shkoje të kërkoje drejtësi, nuk e gjeje dot. Kam shkuar edhe te drejtues të PD, edhe më kanë thënë: çfarë do tashti me këto ti, ti ke ndonjë hallin tënd? Mos u merr me punët e të tjerëve. Kjo më ka irrituar, saqë kam arritur e u kam thënë: Unë nuk vij te ju për punë as për vete e as për njerëzit e mi. Unë vij këtu për një ideal që e kishim, për një gjë shumë më madhore. Dhe ky ishte problemi që filloi të krijojë atë hendekun.
 
Si u kthye Azem Hajdari në opozitar brenda PD? Si ndodhi?
Azemi luftohej nga të gjitha anët, me të gjithë formën.
Unë e pyesja, bisedonim hapur shumë gjëra, intime, por tipi, natyra e Azemit nuk ishte njëlloj në 96-ën. Përplasjet e Azemit me PD filluan siç filloi me gjithë krerët e lëvizjes studentore. Ishte vetëm Azemi thuajse nga të gjithë kryesorët që mbeti dhe nuk largohej nga PD. Por shumë të tjerëve u vriste syrin, nuk e deshën. Përplasja e parë me Azemin ka qenë në vitin ‘92, kur i hoqën imunitetin dhe e dhanë për ndjekje penale në prokurori sepse goditi një administrator me shpullë ngaqë i thoshte do të lësh zyrën... Sepse në kongresin që bëri PD Azem Hajdarin nuk e zgjodhën më në asnjë funksion të Partisë Demokratike.
 
Po si ndodhi kjo? Ai ishte kryetar i Partisë Demokratike...
Azemi ishte kryetar i Partisë Demokratike deri në shkurt të 91-shit. Atëkohë Azemi s’ka qenë, ka qenë në Korçë. Bëhet një mbledhje pa praninë e Azemit dhe bëhen zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Unë s’kam qenë në mbledhje të PD sepse s’isha në strukturë, por e mora vesh nga të tjerët që u zgjodh Meksi kryetar partie. Pas 24 orësh bënë mbledhjen e dytë ku njoftojnë edhe disa anëtarë të tjerë që s’kishin marrë pjesë në mbledhje si Abdi Baleta e disa të tjerë, dhe aty del Berisha kryetar partie. Mirëpo natyra e Azemit, përkushtimi i Azemit dhe ideali i Azemit nuk përputhej me shumë veprime të PD.

Dhe ajo ishte goditja e parë ndaj Azemit në 92-shin. Azemin e kishin lënë, meqenëse s’po arrinin dot ta largonin plotësisht, pra e kishin lënë një anëtar të thjeshtë. Por figurës së Azemit, zotësisë së tij ia kishin frikën. Bile kishte njëfarë xhelozie. Po të shohësh mitingjet madhore të PD që bëheshin në vitin ‘91-‘92, në podiume kur flet Berisha, një pjesë para tribunës aty janë të karikuar duke duartrokitur, ndërsa kur flet Azemi e gjithë turma është e elektrizuar: O Azem, o hero, gjithë Shqipëria ty të do.

Drejtuesit që flisnin para Azemit, ata më kryesorët, e shihnin Azemin në bisht të syrit me xhelozi sepse ky ishte një person që kishte më shumë popullaritet se sa të gjithë ata që ishin aty. Në vazhdim të kësaj pastaj, Azemi qëndroi në PD ashtu në heshtje, dhe në vitin ‘96, Azemi krijoi përplasjen e parë me PD.
Pas zgjedhjeve të ‘96-ës, pavarësisht se si u bënë e se si shkuan, të gjithë prisnin që kryeministër nuk do të ishte më ai që ishte, (Meksi), por do të ishte një kryeministër tjetër sepse qeveria kishte goxha mangësi pavarësisht se si dhe kush e drejtonte qeverinë, por de facto nuk e dinim se si luheshin fijet.

Mirëpo Berisha bëri po të njëjtin. Azemi aty ka pasur gjendje konflikti me Meksin dhe me shumë figura të tjera në PD. Dhe largua në heshtje nga PD. Duke parë situatën, para se të fillonte këtë lëvizje, jam takuar me të në shtator të 96-ës. Bile kemi qenë para Parlamentit tek një prej kafeneve aty. Azemi ka qenë një parashikues i paparë i situatave.  Atë ditë më tha: “do të vijnë zgjedhjet e pushtetit lokal në tetor. Do t’i fitojë PD patjetër. Por mbas kësaj, - thotë, - mbaje mend nga unë, vitin që vjen Shqipëria do të bëhet katrahurë. Ne duhet t’i paraprijmë kësaj. Je dakord, - më thotë, - që të jesh me mua, të jemi bashkë, pastaj bisedojmë...”

Jam plotësisht dakord, - i thashë, - ne s’kemi qenë të ndarë. Unë jam plotësisht dakord me ty. Më përqafoi dhe u ndamë. Më kërkoi pastaj kur filloi lëvizjen sindikaliste, jemi takuar te Hotel Dajti. Ishte me ca shokë aty, vajta dhe unë, u prezantuam, pastaj u kërkoi leje shokëve që ne të bisedonim. Në bisedë e sipër foli për platformën e të gjitha.
Pati filluar edhe në opinionin publik të flitej që Azemi është i shtyrë kundër meksit etj., forma të tilla që unë nuk e besoja, megjithatë, me ato që kisha dëgjuar kisha për detyrë ta sqaroja që të isha edhe vetë i bindur. I them: Azem, ti e di që unë me skema nuk merrem.

Në qoftë se është me gjithë mend një gjë idealiste për këtë veprim ti s’je vetëm, kur të vdesësh ti do të vdes edhe unë. Dhe e filluam lëvizjen me Azemin. Në tetor Azemin e përjashtuan nga të gjitha funksionet e partisë, e lanë vetëm anëtar të thjeshtë. Azemi ka pasur një stres të jashtëzakonshëm të familjes, nga kërcënimet me telefona. Madje ai pati vënë te magnetofoni një kasetë që regjistronte. Sa herë që binte telefoni, hapej telefoni dhe regjistroheshin fjalët. I fyenin familjen duke e sharë.
 
Ku janë këto regjistrime sot?
Këto regjistrime i përmend në librin që ka bërë edhe ai gazetari anglez James Petifer. Ai ishte këtu së bashku me një gazetare tjetër.
 
Miranda Vickers...
Po. Madje ka qenë dhe një tjetër, kanë qenë tre gazetarë, që kanë ardhur atëherë e kanë bërë një vizitë në Shqipëri, dhe kanë takuar Azemin, sepse do të jepte Azemi intervistë për ta.

Atë ditë që i takoi Azemi më thotë: Hysni, merr një taksi dhe shko merr Kirin, djalin në shtëpi, sepse Kiri kishte urdhër nga Azemi që me asnjeri nuk do të dilte. Kushdo që do të shkonte nuk do të dilte vetëm po të shkoja unë. Dhe kam shkuar dhe e kam marrë Kirin dhe e kam dëgjuar të gjithë incizimin e telefonave, saqë ai gazetari u tromaks kur i dëgjoi.
 
Më fal, që ju ndërpres, për çfarë e kërcënonin? Të ç’lloji ishin kërcënimet?
Përdornin për familjen e tij fjalët më perverse, fëmijëve dhe të shoqes së Azemit. Azemi kishte telefonin e vet, kishte celular, pra nuk merrnin atë por merrnin në familje.
 
Nuk jua thoshin shkaku përse e kërcënonin?
Shkaku dihej.
 
Çfarë kërkonin nga Azemi?
Nga Azemi kërkonin që të hiqte dorë dhe të mos merrej me këtë lëvizje. Çfarë donte, përse po e bënte këtë lëvizje. Pikërisht kjo ishte arsyeja sepse ai ishte kundër PD. Faktikisht Azemi nuk ishte kundër PD, por ishte kundër PD për mendjet të ngushta, të cilët nuk e shihnin situatën reale për t’i paraprirë një zgjidhjeje.
 
E keni fjalën pë trazirën  që shkakrtuan firmat piramidale...
Po stëherë me Azemin, i cili kishte mundësi të merrte të dhënat, mësuam gjithçka na duhej nga të gjitha firmat piramidale. Pavarësisht se thuhej 1 miliardë e 200 milionë dollarë ishin detyrimet e të gjitha firmave piramidale, në fakt nuk ishte kështu. Duhej bërë një qethje, një krasitje...
Sepse kishte persona që me 1 milion, flasim me të vjetra që kishte futur para 3-4 vjetësh, deri tani kishte marrë 10. Atëherë ti e ke marrë disa herë more zotëri çfarë kërkon tani? Ai pretendonte 10-shen prapë.

Kishte të tjerë që kishin futur dhe 100 mijë dhe 200 mijë euro. Zotëri më jep përqindjen e këtyre parave. Të jap 10 ose 20 për qind, të tjerat nuk t’i jap hidhu përpjetë sepse kishte edhe para trafiku që futeshin, para droge, para nga më të ndryshmet. Por po të llogarisje edhe asetet që kishin këto firma de t’i zbrisje shkonin afërsisht 520 milionë dollarë dhe paratë që mbeteshin për hallexhinjtë, fukarenjtë etj. Dhe po të bësh një ndarje, se pjesa më e madhe ishin te ky 520 milionëshi. Po si duhej zgjidhur kjo?
Kaskada e Drinit atëherë jepte rreth 90 milionë dollarë fitim në vit buxhetit të shtetit. Dhe ne mendonim që kaskada e Drinit me tre hidrocentrale, për 5 vjet, të kalonte pronë e Bankës së Kursimit, e cila ishte shtetërore atëherë.

Pra për 5 vjet të gjitha këto të ardhura të shkonin në buxhetin e shtetit. Dhe Banka e Kursimeve sipas listës që ishte brenda këtij 520 milionëshi, t’i hapte një librezë kursimi gjithsecilit dhe gjithsecili e dinte që paratë nuk i ka të humbura, i ka të garantuara në Bankë. Disa i marrin sot, disa nesër, me kalimin e kohës të gjitha paratë do t’i merrnin. Dhe kjo do të bënte goxha zbutje të situatës. Njëkohësisht kërkonim që edhe qeveria të merrte një përgjegjësi për firmat piramidale sepse s’mund të thuash se s’kishte përgjegjësi. Kur ti si shtet e di që qarkullojnë lekë me thasë poshtë e lart dhe detyra kryesore e një shteti është kjo sepse ti po s’kontrollove lekun ti s’kontrollon dot shtetin
 
Këtë platformë ju ja parashtruat qeverisë apo jo?
Po, bashkë me Azemin.
 
Po atëherë pse nuk u ndërhy, pse gjtihcka shkoi drejt shkatërrimit...?
 Nuk harroj një takim që bëmë me një përfaqësues të FMN, në janar të 97-ës , i cili erdhi në Shqipëri si i specializuar për firmat piramidale. Ishte amerikan. Ai takoi ministrin e Financave, takoi Kryeministrin. Presidentin nuk e takoi se s’kishte punë me të. Ai ishte një teknicien. Azemi arriti të realizojë një takim me të. Tani nuk e mbaj mend datën por ka qenë ditë e enjte, afërisht në orën 11. Mos u largo, - më thotë, - se në orën 4 e gjysmë do të shkojmë të takojmë në Hotel Rogner përfaqësuesin e FMN. I them të la takim? Po, po, më la takim, - më thotë. Shkuam aty dhe e pritëm në holl. Në 4 e gjysmë fiks zbret ky përfaqësuesi i FMN.

Vjen përkthyesi nga Ambasada amerikane, dhe pasi e pyet Azemin mbi lëvizjen që bënim ne, e pyeti edhe për mendimin që kishim ne për firmat piramidale. Dhe Azemi i shtroi platformën që kishim ne. Marrjen e situatës nga qeveria dhe këtë problemin e kaskadës së Drinit. Pastaj Azemi i tha se qeveria nuk e pranon këtë platformë që paraqesim ne. Pse, - thotë ai. Sepse qeveria pretendon se për çdo vit buxhetit të shtetit i mbeten deficit 90 milionë dollarë.

E kam të fiksuar atë pozicionin e tij me një gjysmë buze në gaz. Tha: ky deficit që thoni ju është një pikë uji në det. Por ju duhet të rregulloni politikën monetare pastaj të gjithë të tjerat vijnë vetë. Kjo çfarë do të thoshte që ne kishim prishur politikën me ShBA, goxha kohë para zgjedhjeve, sidomos pas zgjedhjeve kur kërkoi që ato të përsëriteshin në 27 zona që të mos i merrte PD. Erdhi zëvendëssekretari i Shtetit amerikan dhe 3 ditë ka vajtur në Hotel Tirana për të takuar Presidentin dhe Presidenti nuk e takoi se s’kishte kohë. Pra, ishin shumë gjëra që kishin krijuar një ftohje në këto marrëdhënie. Dhe shprehja e tij mua këtë më reflektoi që kjo ishte arsyeja kryesore pra prishja e politikës me SHBA.
 
A propozoi ndonjë zgjidhje ai? Vetëm këtë tha që duhet rregulluar?
Duhet të rregulloni politikën në radhë të parë. Kaq. Nuk foli më gjatë. Sepse ishte e kuptueshme. Ai nuk mund të hynte në detaje që bëni këtë e atë sepse ne s’kishim në dorë gjë të bënim. Problemi rrihte gjetiu. Ishte tjetërkush që duhej ta rregullonte këtë. Ne po bënim një përpjekje....
 
Ai u largua. Firmat piramidale shkuan si shkuan..

Po u bë ajo katrahurë që u bë dhe në lëvizjen që bëmë, në organizimin tonë me Azemin, në protestat dhe mitingjet që bënim në rrethe, vjen momenti që ne do të bënim një manifestim te Stadiumi Dinamo. Mbasi kishim bërë njoftimet, çuam kërkesën në polici dhe një ditë para në darkë, unë shkoj dhe marr përgjigjen në polici. Aty ishte një djalë kolonel, kishte qenë shefi i Komisariatit të Lushnjës dhe kishte ardhur shef i Rajonit Nr. 1.

Dhe ai më thotë që mitingu nuk do ta bëni. Unë ju kam bërë edhe shkresën me shkrim, përgjigjen, nuk ju japim leje ta bëni sepse kemi të dhëna të sigurta që në miting me ju do të vijnë terroristë të armatosur dhe do të bëjnë reprezalje. Ishte një term, slogan, që zakonisht e përdornin në një formë a në një tjetër kur s’donin të jepnin leje. Unë e marr atë letrën dhe shkoj te gazeta “Koha Jonë”. Takoj gazetarët aty, bile si tani e mbaj mend, ishin në tavolinë Minxhozi, Çupi, Blushi, Sejdarasi, dhe u them që isha në polici dhe mora atë përgjigjen dhe ma kanë dhënë përgjigjen në kohë. Në fakt unë aty nuk thashë të vërtetën. Në qoftë se ka mundësi, - i thashë, - ju nesër në faqen e parë me shkronja redaksionale mund të bëni një njoftim që është dhënë leja, sepse njerëzit kishin edhe frikë që të vinin.
 
Mbasi ndamë detyrat në darkë, se nga do të niseshim për të hyrë: Azemi ishte me grupin që do të hynte nga shkolla 11 Janari, do t’u printe njerëzve, për të shkuar te Stadiumi Dinamo, unë isha në pozicionin ish-ekspozita, do t’u prija tek ura e vogël dhe një pjesë tjetër ishte nga Vasil Shanto. Qëllimi ishte që të vinim nga tre drejtime për të çorientuar policinë se në qoftë se në njërin krah do të vinte të na bllokonte policia, të arrinin dy krahët e tjerë të futeshin.
 
Mirëpo si gjithnjë para nesh, që në darkë kur mbaruam mbledhjen ne, kishte shkuar njoftimi në polici se si do të vepronim ne edhe në ato tre pika ishin përqendruar forca pa masë të policisë. Ne nuk arritëm të çanim për të hyrë. Bile ishin marrë edhe masa të tjera që në aneksin e Stadiumit Dinamo ishin vënë duke luajtur dy skuadra me sampista, punonjës policie, dhe goxha të tjerë duke parë ndeshjen. Dhe në qoftë se ne do të thyenim policinë dhe do të shkonim në stadium, do të përlesheshim me këta se do t’i prishnim lojën. Ne ishim të shpërndarë, ose të shkëputur nga njëri-tjetri, unë, Azemi dhe grupi tjetër te Vasil Shanto dhe nuk kam qenë prezent, s’e kam parë. Por më vonë më tregoi Azemi që pa shkuar tek Ujëvara vjen Izet Haxhia, shoqëruesi i Berishës, vetë i tretë, e nxjerrin Azemin nga makina, bëjnë një goxha debat dhe thuajse forcërisht e kanë marrë Azemin dhe e kanë futur në makinën e tyre dhe ikën.
 
Mirëpo, në darkë, se harrova t’ju them,kur unë shkoj në shtëpi mbasi mbaruam mbledhjen, më vjen njoftimi nga punonjës të policisë që keni kujdes se nesër, civilë të armatosur do të vijnë në mitingun tuaj dhe mund të bëjnë një reprezalje. Kjo mua më ngacmoi shumë dhe shkoi e merr në telefon Azemin dhe i tregoj.  Kishte kaluar thuajse gjysëm ore dhe unë  nuk e dija se ç’ishte bërë gjatë asaj kohe. I thashë Azemit më ço shoferin të më marrë. Doja ta takoja e të flisja për këtë gjë. 

Por ai më thotë: Sa mirë që më more se s’po gjeja se si të njoftoja, se unë kam mbetur vetëm. Bajramin (shoferin),  e kanë futur në burg. Më numëroi disa njerëz që ishin futur në burg. Pra atë ditë ka qenë që janë arrestuar rreth 26 veta. Janë ndaluar në Komisariatin Nr. 3, ku shef komisariati ishte Sali Shehu. Këta ishin aktivistë, ishin njerëz që u kapën rrugëve, për lajmërimet nëpër shtylla për mitingun, gra, vajza, djem. Shkova pastaj tek Azemi. Mbrapa Muzeut Kombëtar ishte plot me policë, civilë, furgona, makina me targa pa targa. Arrita tek ai dhe ngrihemi e futemi në zyrë. Ishte një hyrje një dhomë e një kuzhinë që e kishte bërë zyrë.
 
Në çfarë vendi ishte zyra?
Në anë të Muzeut Kombëtar. Duke biseduar me Azemin, (aty ishin dhe dy studnetë, të cilët  i kishte zënë gjumi në tavolinën e madhe, në një moment e pyes,: Azem kam bindjen që Shefi i SHIK-ut është besnik i Berishës të jet ëe vërtetë? Po, - më thotë. Adhe i tahhsë sërish... “se si ka mundësi që neve na kundërvihen direkt për Berishën”.
Pse tani e merr vesh ti? – më tha. dhe u çua e bëri dy-tre telefonata.  Ishte vonë pas mesnate, kishte kaluar ora 1. Ka qenë një skenë mjaft tronditëse. Pasi foli me të tre e mbylli telefonin.
 
Me kë foli në telefon?
Atë natë ai foli në telefon me Gazideden, me Meksin, dhe në fund me Berishën.
 
Ishin të ashpra bisedat?
Shumë të ashpra. Njërit i përmendi mustaqet, ndërsa të fundit i tha vetëm këtë: Alo, i kam lënë amanet njerëzve të mi, fëmijëve, dashamirësve, që çfarëdo e keqe të më gjejë mua do ta kërkojnë te ty”.
Unë nuk e pyeta atë natë. U ul i nervozuar, ndezi cigaren. Në mëngjes e kishim lënë me pi kafe te Piano Bar. Edhe duke pirë kafen më thotë mua:
- E di me kë fola mbrëmë?
- Jo, - i thashë.
- Çudi si s’më pyete.
- Po s’është e thënë që unë të di çdo gjë, - i thashë unë.
- Po mendjen nuk e ke vrarë?

- Me thënë të drejtën mendjen e kam vrarë, - i thashë unë.
- Po sipas mendjes tënde, kush mund të ishin?
- Vetëm njërin kam gjetur, - i thashë unë. – Atë mustaqen, se mustaqja ishte Meksi.
- Po, - thotë.

- Tani kam të drejtë të pyes, - i them unë, - se kush kanë qenë.
- Ishte Gazidede.
- Po i treti, kush ishte?
- Ishte Berisha.

Mbas kësaj, të nesërmen nuk shkuam dot në miting. Azemin e kapën pa shkuar atje. Që atë ditë kur Azemin e kapën dhe e futën në makinë, ne nga ora 11 u kthyem dhe bashkuam te zyra, çuditërisht që atë ditë ishin dy veta civilë që vinin dhe rrinin në sheshpushim, roje. Një makinë e linin jashtë dhe ata rrinin aty.
Kur dilnim unë dhe Azemi për të pirë kafe, vinin edhe ata, uleshin në kafe diku larg. Nuk komunikonin fare me ne, vetëm që ruanin të gjitha lëvizjet tona. Dhe pasdite iknin këta të dy dhe vinin dy të tjerë. Po ashtu, që atë ditë shtëpia e Azemit u vu me roje. Tre-katër ushtarë të Gardës me automatikë ruanin shtëpinë e Azemit.
 
(Vijon nesër...)

Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore