Zoti Meta, pashë në takimin tuaj edhe kandidatin e Partisë Socialiste në Tiranë, Spartak Braho…
Baba Taku ka lindur i lirë, dhe do të vazhdojë gjithmonë të jetëi i lirë dhe autonom në vendimet e tij.
Slogani juaj është “të ecim më shpejtë”. Si keni ecur deri në një prill të këtij viti?
Vetë afirmimi i këtij slogani, flet për mospajtimin e LSI-së me ritmin që ka ecur vendi në vitet e fundit dhe me besimin në potencialet shumë të mëdha që ka Shqipëria, por dhe që mund të zgjojë edhe vetë LSI-ja, për të ecur më shpejt jo vetëm në rrugën e integrimit, por edhe të përballimit të stanjacionit ekonomik dhe të problemeve sociale në rritje për çdo familje shqiptare.
Ju ka mbetur ndonjë peng nga qeverisja me Sali Berishën?
Absolutisht asnjë merak. Që në momentin që ne vendosëm të bëjmë marrëveshjen e koalicionit kemi qenë të bindur se duke qenë edhe një risi duke kapërcyer edhe një tabu, duke patur në mendje edhe kompleksin e situatës politike në vend, kemi qenë të ndërgjegjshëm që nuk do të ishte një koalicion i lehtë dhe as një qeverisje po kaq e lehtë. Por mund t’ju them me bindje se ka funksionuar shumë më mirë se çështë menduar apo parashikuar në momentet kur kjo marrëveshje ndodhi.
Në këto katër vite qeverisje, a keni qeshur ndonjëherë me vete se si vijnë rrethanat; dikur kur ishit kryeministër, z.Berisha është ndaluar për disa orë nga policia, ndërsa pas 2009 ishin zv-kryeministër i Berishës?
(Mendohet)
Ta përsis edhe njëherë?
Mendoj se politika në rradhë të parë është mundësia për t’i shërbyer të ardhmes dhe për ta kuptuar të ardhmen. Në këtë këndvështrim unë mendoj se në politikë nuk ka dhe nuk do të ketë raporte armiqësore dhe përjashtuese dhe të gjithë duhet të shikojnë përpara, pasi cilido duhet të ketë të qartë se vendi edhe përsa i takon të ardhmes, por edhe të kaluarës, do të vlerësohet në sajë të kontributeve të jep për të përmirësuar diçka më shumë.
A menduat qoftë edhe për pak momente, po e lidh këtë pyetje me atë pak më lartë, se Berisha mund të hakmerrej?
Nuk kam pasur asnjëherë shqetësime dhe paragjykime të tilla, sepse unë gjithmonë kam patur dhe kam besim tek vetja ime dhe në marrëdhëniet e drejta që në tërësi ndërtoj me të gjithë dhe e kam ditur fundin e kësaj odiseje, sepse kam ditur edhe fillimin.
Meqë jemi tek videoja, sa u besoni tani miqve tuaj?
Unë nuk ndërtoj marrëdhënie bazuar në paragjykime dhe nuk gjykoj fenomene të shëmtuara, të cilat janë të hershme që në fillimet e njerëzimit. Unë gjithmonë përpiqem të besoj tek vlerat e mira, të njerëzve, të miqve, të shokëve, të bashkëpunëtorëve dhe nuk kam rreshtur dhe nuk rresht së dhënuri mundësi të gjithëve të ndërtojnë personalitetin e tyre dhe këtë do ta vazhdoj për aq kohë sa të jem në politikë.
Nëse pas 23 qershorit e majta do të jetë fituese, si do të ndikoni ju në qeverisjen e re, që “kokëpalarët” të jenë të larë e të pastër?
Unë besoj se pas 23 qershorit, të gjithë qytetarët shqiptarë do të ndihen më pranë njëri -tjetrit dhe politika të mos ketë këtë ngarkesë të pamerituar që ka në jetën e çdo qytetari dhe në çddo familje, gjë që reflektohet edhe me vendin e jashtëzakonshëm që ajo zë në media ku praktikisht është media ndonjëherë që e bën politikën më agresive se ajo çështë në të vërtetë.
Fëmijët tuaj po rriten vetëm me politikë z. Meta?
Kjo varet nga natyra e tyre, nuk është e përgjithshme. Djali është shumë i distancuar nga politika...
Por vajza e madhe juaj...
Është (vazhdon flet për djalin) i apasionuar pas shkencave teknike dhe teknologjisë. Ditët e fundit ka marrë pjesë në një konkurs ndërkombërtar për teknologjinë në Indonezi...
Urime...
Shpresojmë të ketë dalë mirë, sepse akoma nuk kemi patur mundësi të komunikojmë. Ndërsa për vajzat ndoshta ngaqë ato shoqërohen më shumë me Monikën, mund të kenë një ndikim më të madh për politikën. Por unë dëshiroj që të jenë të pavarur.
Meqë e përmendët, zonja Kryemadhi në Lezhë...Kush vendosi për këtë, ju apo vetë ajo, dhe të lutem mos më thuaj që vendosi kryesia?
Së pari nuk ka qenë aspak vendimi im. Së dyti ka qenë një kërkesë, një insistim, i strukturave të LSI të Lezhës, i kryetarit të bashkisë së Lezhës dhe mendoj që është një sfidë, nuk është një favor, sepse qarku i Lezhës është i vështirë ende për LSI, pavarësisht përmirësimeve të mëdha që kemi bërë.
Meqë jemi këtu, ju jeni një politikan agresiv, edhe egosist. Si ka mundësi që bashkëshortja juaj, mban ende mbiemrin e saj dhe jo tuajin?
Sepse unë në rradhë të parë jam shumë tolerant (qesh).
Z. Meta, prej vitit 2004, a keni thënë ndonjëherë me vete, në djall të gjitha, po e lë këtë parti se më mori rininë?
Asnjëherë. Ka qenë një vendimi im shumë i vështirë për të iniciuar një forcë të re poilitike , sepse ka qenë plot me të panjohura. Dhe praktikisht duke marrë një iniciativë të tillë është rrezikuar çdo gjë, por vetëm me një bindje dhe një besim tek përvoja që kisha fituar në politikë dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë, nuk duhet të shkonte dëm, por duhet t’i shërbente demokratizimit të jetës në vend dhe të sfidonte një përpjekje 15 vjeçare të dy partive kryesore për të bllokuar çdo mundësi tjetër politike.
Gjithë LSI, LRI e LGI, flasin në emrin tuaj, ecin në emrin tuaj. A shkon shprehja, e gjithë LSI merr frymë me mushkëritë e Ilir Metës?
Kjo nuk është e vërtetë. Madje unë kam nisur të marr frymë më lirisht, sepse psh meqë e përmendët LRI, tashmë është një forum tepër i konsoliduar, që funksionon pothuajse në mënyrë të pavarur...
Si FRESH juaj dikur?
Pse jo dhe më mirë...
Ju është vënë ndonjëherë kundër LRI?
Sigurisht që ka pasur raste që edhe ata kanë pasur mendimet dhe bindjet e tyre. Por nuk është e domosdoshme të jesh kundër që të kesh tipare modernizuese, reformuese...
Kjo shpreh njëfarë pavarësie?
Nëse pavarësia është thjesht të jesh kundër, është ana sipërfaqësore. Por LRI është gjithmonë me iniciativa të reja me ide të reja dhe njëkohësisht ka arritur të krijojë edhe një lidership të ri dhe po përgatit edhe figura të tjera, sepse ne i kushtojmë shumë rëndësi konsolidimit të një tradite tek lëvizja rinore, duke e parë këtë forum si një universitet për të gjithë politikanët e rinj dhe të ardhshëm të LSI.
Z. Meta, a keni pasur ju ndonjëherë të dhëna se pjestarë të qeverisë në pushtet kanë abuzuar me të, pra me pushtetin?
Sigurisht që kemi patur dhe sigurisht që kemi mbajtur edhe qëndrime të caktuara...
I keni shmangur politkisht?
Ne nuk shmangim politkisht...
I keni denoncuar?
Kemi ndërrmarrë ato lëvizje që janë të rëndësishme në këto raste dhe kemi qenë gjithmonë të distancuar ndaj cilitndo që mund të ketë patur probleme me ligjin dhe asnjëherë nuk kemi marrë në mbrojtje dikë politksiht. Por në këto çështje , mendoj se ka patur një përpjekje të sforcuar edhe nga segmentë të PS për të përqëndruar gjithë goditjen negative ndaj qeverisë ku ne bënim pjesë, tek përfaqësuesit e LSI, por ka pasur edhe një interes do të thosha edhe të elementëve të caktuar në Partinë Demokratike që gjoja problemet negative të qeverisjes t’i transferonin tek LSI. Por ky nuk ka qenë dhe nuk është një shqetësim ynë, ne kemi marrë të gjitha përgjegjësitë, të gjitha kostot dhe ajo për të cilën ne vlerësohemi mendoj se është pikërisht ajo se ne dimë të mbajmë përgjegjësitë.
Ju jeni një politikan i vjetër dhe i rrahur me vaj e uthull, siç thonë. Kush sipas jush ka qenë kryeministri më i mirë i Shqipërisë, nga koha e Mehmet Shehut deri më sot...përjashtur ju vetë?
(qesh). Nuk mendoj se kjo është një pyetje që më takon mua të përgjigjem dhe shpresoj që vendi në të ardhmen të ketë një demokraci më funksionale dhe të ketë një qeverisje me një llogaridhënie më të lartë se sa deri tani dhe kjo për arsye se do të mund të minimizonim vendime të karakterit emociaonal, apo arbitrar që vijnë për shkak të dëshirës për një protagonizëm individual.
Po ju bëj disa pyetje dhe ju lutem një përgjigje, po, ose jo.
A është Berisha një burrë shteti?
Jo.
A ishte Rama, kryetari që i duhej PS në 2005?
Nuk kishte tjetër.
A është Rama, kryeministri që i duhet Shqipërisë, pas 23 qershorit?
Koha do ta provojë.
A kishte mundësi Ilir Meta të vazhdonte të qeveriste me Berishën?
Po, por kjo nuk ishte në interes të vendit, për të ardhmen.
A është Ilir Meta një kryeministër potencial pas 23 qershorit?
Kjo nuk është sfida ime më e madhe.
A është lista e LSI më e mira e mundshme?
Po.
A është konsultuar me ju një pjesë e listës së PS?
Jo.
As emri i Spartak Brahos?
Eshtë aq autonom dhe i lirë, si në përgjigjen e parë që të dhashë.
A egziston një marrëveshje e shkruar mes jush dhe Ramës?
Eshtë marrëveshja e Shkodrës.
A e keni përcaktuar ju dhe Rama qeverinë e ardhshme?
Jo, atë do ta përcaktojnë qytetarët në 23 qershor.
Do merrni mendimin e tyre për ministrat?
Natyrisht edhe rezultati edhe vota në çdo qark do të jenë të rëndësishme për të kuptuar peshën dhe kredibilitetin e të gjithë figurave dhe përfaqësuesve.
A i duhet PD një tjetër kryetar?
Po.
A ju merr malli për kohën kur ishit kryeministër?
Jo, më shumë më merr malli për kohën e FRESH.
A keni ju një marrëveshje me Lulzim Bashën?
Marrëveshja nuk egziston më për shkak të veprimit të dhunshëm të PD me anëtarin e KQZ, propozuar nga LSI.
A ka ndikuar Edi Rama në shkëputjen tuaj nga PS ?
Ai nuk ka qenë kryetar i PS.
Indirekt?
Kjo nuk është e rëndësishme.
A keni besuar ndonjëherë se Rama ka konsumuar lëndë narkotike?
Kjo nuk është një pyetje për mua.
A e meriton politika shqiptare atë shprehjen e vjetër, politika është...?
Gjëja më e thjeshtë është t’i gjejmë të gjitha të këqiat tek politika, por mendoj se duhet të rritet ndikimi i shoqërisë mbi politikën dhe jo i politikës mbi shoqërinë dhe kjo do të thotë që çdo qytetar duhet të marrë më shumë përgjegjësi dhe të punojë për të rritur rolin e tij për shoqërinë dhe vendin.
Z.Meta, pse i besoni Ramës sot. Çfarë ka ndryshuar tek ai?
Kjo pyetje dhe pyetje të tilla si këto duan ta fusin politikën shqiptare në qerthullin e raporteve personale dhe historive të së kaluarës. Nuk kemi të bëjmë me një raport mes dy individëve, por me një raport mes dy forcave politike, ku dy drejtues të tyre kanë marrë përgjegjësitë e tyre.
Nëse bëjmë një krahasim, kush u ka qëndruar më shumë marrëveshjeve me ju, Nano, Rama, apo Berisha?
Nga përvoja e deritanishme, marrëveshja që ka funksionuar në mënyrë më të qëndrueshme dhe më të pranueshme, ka qenë ajo me z.Berisha.
Do ta miratoni vendimin e parë të Ramës për heqjen e fotografisë së Bujar Nishanit dhe vendosjen e asaj të Ismail Qemalit?
Nuk është kjo çështja më e rëndëishme që preokupon qytetarët tanë. Çështja më e rëndësishme për mua është ajo që ka të bëjë me likuidimin e gjithë borxheve publike që qeveria dhe shteti u kanë kompanive private, e cila ka krijuar një kolaps të vërtetë ekonomik dhe financiar...
Ndoshta nuk e dëgjuat mirë, po ju përsëris pjesën e parë të pyetjes...Do ta miratoni vendimin e parë të Ramës?
Kjo është një ide e tij lidhur me çështjet...
Nuk e kam shtuar fjalën kryeministër, por po them, vendimin e parë të Ramës...?
...që kanë të bëjnë me ligjet, me kushtetutën...
Ok, vazhdojmë. Ju i keni disa precedentë për prishje alencash me Ramën. Nga 1 deri në 10, sa është mundësia që kjo aleancë e re, të prishet?
Asnjë marrëveshje deri më sot nuk është prishur për shkak të LSI, ose Ilir Metës dhe nuk kemi pse të paragjykojmë të tjerët kur bëjnë një marrëveshje me ne.
Ju besoni që ju votojnë ju si Ilir Meta, apo për programin e LSI?
Unë besoj se ata votojnë mesazhin e LSI-së, që është gjithmonë një hap para të tjerëve.
Pse një qytetar që nuk voton të djathtën, duhet t’ju zgjedhë ju si LSI dhe jo Partinë Socialiste?
Besoj se LSI ka elektoratin e saj të qëndrueshëm dhe ka të gjitha ato tipare që e bëjnë tashmë një zgjedhje të konsoliduar dhe gjithnjë atraktive për të gjithë ata që kërkojnë të ecin më shpejt.
Z.Meta, a keni frikë për 23 qershorin se mund të ndodhë ndonjë “vjedhje” votash?
Nuk egziston për mua një shqetësim i tillë sepse unë besoj që situata është e qartë për të gjithë. Ushqimi i psikozës së pavarësisht se nga e vërteta që duket dhe preket nga të gjithë mund të vihet dorë mbi zgjedhjet, vjen nga paniku i humbjes dhe nga nervozizmi, duke kërkuar të trysnojnë shqiptarët.
Të hënën do jeni në Kuvend?
Presim informacione më të qarta lidhur me kohën se kur do të mblidhet Kuvendi, në rast se do të mblidhet dhe me rendin e ditës, në mënyrë që të kemi vërtetë një moment serioziteti dhe përgjegjshmërie nga Kuvendi në raport me çështjen kryesore, tre ligjet.
Ju besoni se do të riformatohet KQZ?
Më duket e pamundur që të rivendoset integriteti i KQZ dhe në këto kushte po shkohet me gjysëm KQZ në zgjedhje, por e theksoj impenjimin tonë dhe gadishmërinë tonë për të marrë pjesë në të gjitha nivelet e tjera zgjedhore dhe për të mbrojtur votën e çdo qytetari. Megjithatë nëse pozita është e gatshme për riformatim...
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)