Në këtë foto ekskluzive të A1 Report është vila e vjetër tiranase e cila ishte nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, një monument kulture i kohës së monarkisë.
Por një tjetër shkelje në lejen e pallatit, punimet për të cilin kanë nisur ditët e fundit, është edhe mosrespektimi i distancave mes ndërtesave fqinje. Pallati 9-katësh (me dy kate nën tokë) është duke u ndërtuar me shpejtësi në mes të dy pallateve të tjerë 12-katësh, ku jashtë çdo norme hapësira mes ndërtesave do të jetë nga 1-2 metër, në shkelje të Planit të Përgjithshëm Vendor që e ka miratuar vetë Bashkia e Tiranës në vitin 2012.
Denoncimin e parë për dhënien e lejes abuzive të pallatit në zemër të zonës së ish-bllokut në rrugën “Brigada VIII” e bëri publikisht për mediat arkitekti Artan Shkreli. Sipas Shkrelit, leja është dhënë në kundërshtim të plotë me planin e qendrës së Tiranës, por edhe me praktikat e planit të njësisë vendore.
“Pikërisht tani kryetari i bashkisë vazhdon të japë lejet në ikje. Ka dhënë lejen më skandaloze që janë dhënë ndonjëherë në Tiranë, midis dy pallateve 12 katëshe ka dhënë një leke 9 katëshe + 2 kate të tjera nën tokë. Dhe jo vetëm kaq. E ka dhënë në kundërshtim me qendrën e Tiranës, e ka dhënë në kundërshtim me listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës i cili e kishte klasifikuar një vilë të vjetër tiranase të kohës së monarkisë si një objekt të trashëgimisë kulturore. Dhe e ka dhënë në kundërshtim edhe me vetë praktikat që ka ndërmarrë me planin e njësisë vendore”, u shpreh Shkreli.
Shkreli bëri thirrje që Basha të mos u bëjë presion gjykatave për zhbllokimin e lejeve, por të marrë përsipër përgjegjësitë.
“I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë që të ndalet me këto leje dhe të ndalë presionet ndaj institucioneve që duhet të kontrollojnë këto leje të dhëna dhe duhet t’i bllokojnë ato në rastet kur janë dhënë në mënyrë të paligjshme”, tha Artan Shkreli.
Sipas vendimit të lejes zhvillimore, pallati po ndërtohet nga shoqëria “LID” sh.p.k ndërsa afati i mbarimit të punimeve është 11 qershor të vitit 2016. Gjithashtu pallati po ndërtohet fare pranë rrugës “Brigada e VIII”, një tjetër kriter i shkelur me planin e ri urbanistik të Tiranës.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)