TIRANE - Në urbanet e Tiranës udhëtohet me gjysma biletash ose pa bileta fare. Ky denoncim ka ardhur nga qytetarët në rubrikën “Raportoni Ju” të “Shqiptarja.com” ku siç shihet edhe në pamje kjo është bileta e përgjysmuar dhënë qytetarëve.

Pas marrjes së denoncimit televizioni A1Report ka bërë një vëzhgim në linjat e urbanëve ku fatorinot jo që s’ta japin biletën por i dalin për zot shkeljes që bëjnë me vetëdije. Ja se si përgjigjet fatorino në linjën e "Tiranës së Re":

Gazetari: Mund të më japësh një biletë?
Fatorino: Po jo ca bilete!

Në pamje tregohet momenti kur afrohet fatorino, merr lekët dhe pse me bllok biletash në dorë, nuk të jep një të tillë. E njëjta situatë paraqitet dhe në linjën e Unazës, kur fatorino sapo merr lekët i kërkohet të japë një biletë. 

Gazetari: Të lutem a ka ndonjë biletë, apo s’ka gjë?
Fatorino: E mbaj unë përgjegjësinë! Kush hipën dhe kontrollon këtu mo!

E jo vetëm që fatorinot s’të japin biletat, por kjo për qytetarët është mëse e zakonshme teksa një prej tyre shprehet se pas orës 7 pasdite askush s’të jep biletë nëpër autobusë duke deklaruar se fatorinot arrijnë të fitojnë duke abuzuar deri në 5 mijë lekë në ditë.

“Pas orës 7 pasdite, askush s’të jep biletë!” shprehet qytetari

Por sikur të mos mjaftonte dhënia e një gjysmë bilete ajo çka e bën urgjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse është fakti se bileta e urbanit është dhe një kupon tatimor e në këtë mënyrë veç vjedhjes së fatorinove është dhe abuzimi i kompanive duke fshehur xhiron dhe fitimin real me mosdhënien e biletës!

fatorino me logo
fatorino me logo
Foto të tjera / VIDEO


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)