Ekskluzive/ Ja si i vuri regjimi
themelet e letërsisë së soc-realizmit

Ekskluzive/ Ja si i vuri regjimi<br />themelet e letërsisë së soc-realizmit
TIRANE- Në vitin 1949, Komiteti Qëndror i PPSH-së kishte marrë në analizë gjendjen e letërsisë së re shqipe, që kishte nisur të lëvrohej sipas modelit të soc-realizmit, menjëherë pas luftës.

Me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1945, me një varg veprash të reja letrare, me aksione të herëpashershme për të hequr nga qarkullimi vepra dhe autorë që nuk i shërbenin regjimit, sërish kupola e PPSH, nuk ishte e kënaqur me gjendjen e letërsisë shqipe. 

Dokumenti që sjellim sot ekskluzivisht në “Shqiptarja.com” zbulon skemën e mirëmenduar nga regjimi për ta vënë letërsinë në shinat ku atij i voliste, e për të zhdukur pak nga pak të gjithë autorët, veprat e të cilëve i bënin hije kësaj letërsie që po propagandohej.  

Por, çfarë çalonte, sipas kupolës së regjimit, në këto vepra të para letrare të pas Luftës së dytë botërore në Shqipëri? Dokumenti, një analizë e hollësishme e gjendjes letrare të këtyre viteve, nënvizon: “Ka munguar një luftë ideologjike konsekuente kundër pikëpamjeve të gabuara dhe të rrezikshme, siç janë: shovinizmi letrar, apolitizmi, arti për art, dekadentizmi dhe mbeturina të tjera borgjeze. Kritika letrare e drejtë, parimore dhe konstruktive ka munguar…”

Me titullin “Projekt-vendim mbi çështjen e letërsisë shqipe”, ky dokument ruhet në fondin 14 të dokumentave të Komitetit Qëndror, në AQSH, së bashku me shumë materiale të tjera mbi autorët që duheshin s’pastruar nji nga nji dhe idetë e fryma ideologjike komuniste, që duhej të sundonte në letërsinë e realizmit socialist, një orë e më parë. Më poshtë po sjellim të plotë dokumentin që cituam… 
 
 Dokumenti i plotë
 PROJEKT-VENDIM
MBI ÇËSHTJEN E LETËRSISË SHQIPE
 
     Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e madh që ka letërsia në luftën e popullit tonë për hedhjen e themeleve të socializmit në Shqipëri dhe me qëllim që ajo të zhvillohet akoma më tepër në të ardhmen, mbi bazat e drejta të një letërsie në formë nacionale dhe me përmbajtje socialiste, mori në shqyrtim gjendjen e saj.
     I. Komiteti Qendror konstaton:

     1. Ekziston sot një përpjekje e drejtë letrare në Shqipëri, e cila është në rrugën e traditave më të mira të letërsisë sonë dhe frymëzohet nga e kaluara e popullit tonë, sidomos nga lufta e lavdishme nacionalçlirimtare dhe nga përpjekjet për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, socializmit.
     2. Krijimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë që në vitin 1945, shënon në jetën letrare të vendit tonë hapin fillestar për të forcuar radhët e shkrimtarëve dhe për të hedhur bazat e një letërsie të re të përshtatur me përpjekjet dhe aspiratat e popullit tonë sot.

     3. Aktiviteti letrar, revistat e ndryshme, botimi i disa veprave origjinale dhe i një serie përkthimesh të vlefshme nga letërsia e huaj, kryesisht sovjetike, shënon një sukses të parë në rrugën e re të letërsisë sonë.
     Këto suksese të para Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë i çmon. Megjithëkëtë, në fushën e letërsisë konstatohen të meta të ndryshme dhe serioze:
     1. Prodhimi letrar ka qenë i paktë dhe në përgjithësi i dobët.
     2. U ka munguar letrarëve tanë njohja e folklorit të pasur të popullit dhe e traditave të shëndosha të letërsisë së kaluar. Letrarët tanë nuk janë mbështetur fort mbi këto thesare të mëdha.
     3. Ka munguar një luftë ideologjike konsekuente kundër pikëpamjeve të gabuara dhe të rrezikshme, siç janë: shovinizmi letrar, apolitizmi, arti për art, dekadentizmi dhe mbeturina të tjera borgjeze. Kritika letrare e drejtë, parimore dhe konstruktive ka munguar.

     4. Në trajtimin e temave, të cilat përgjithësisht kanë qenë zgjedhur me vend, është shfaqur një kuptim i ngushtë i realizmit, duke shkarë në natyralizëm. Nuk është treguar gjithmonë një kujdes i mirë për cilësinë, gjë që ka dëmtuar edhe vetë përmbajtjen e temës. Nuk është treguar gjithmonë një kujdes i mirë për një shqipe të pastër, popullore dhe të ndërtuar mirë.
5. Në mes të letrarëve tanë shikohet një përpjekje e pamjaftueshme për ngritjen e tyre ideologjike dhe artistike.
     6. Nuk është treguar një kujdes i mjaftuar për organizimin, edukimin dhe nxitjen e talenteve të reja, midis të cilëve, në disa raste, janë manifestuar tendenca të dëmshme për të mbiçmuar forcat e tyre dhe për ta marrë prodhimin letrar si një gjë të thjeshtë dhe të lehtë.

     7. Është bërë pak për të forcuar marrëdhëniet me organizatat dhe letrarët përparimtarë të vendeve të tjera, në radhë të parë me ata të Bashkimit Sovjetik.
     8. Në fushën e përkthimeve letrare, ka munguar një zgjedhje e mirë dhe sistematike e veprave, është treguar një pakujdesi e madhe artistike dhe është botuar pak.
     9. Ka munguar një punë sistematike në përhapjen e letërsisë dhe ngjalljen e dashurisë së masave për të.
    
Për të gjitha këto të meta kanë influencuar puna e Sejfulla Malëshovës, shërbëtor i borgjezisë dhe trockizmi i Koçi Xoxes me shokë, agjentë të udhëheqjes tradhtare të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Sejfulla Malëshova, si ministër i Kulturës dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk e udhëhoqi artin dhe letërsinë tonë në traditat më të mira kombëtare, duke sjellë konfuzion në diferencimin e nevojshëm që u duhej bërë këtyre traditave, duke sjellë konfuzion në radhët e njerëzve të artit e letërsisë shqiptare, duke mos i orientuar këta në mënyrë të drejtë nga arti dhe letërsia sovjetike.

Puna trockiste e Koçi Xoxes me shokë dëmtoi rëndë zhvillimin e artit dhe të letërsisë sonë këto dy vitet e fundit, duke i sjellë pengesa këtij zhvillimi, duke ngjallur sektarizmin, duke mos kuptuar dhe nënçmuar thuajse në mënyrë të plotë punën artistike-letrare, duke nënçmuar artin dhe letërsinë sovjetike dhe rolin e tyre udhëheqës për gjithë artin dhe letërsinë përparimtare të botës, pikë në të cilën trockizmi i Koçi Xoxes bashkohet me oportunizmin e Sejfulla Malëshovës. Kjo punë armiqësore ka bërë që edhe në fushën e letërsisë të kalohet nga një oportunizëm i theksuar në një sektarizëm të ngushtë.
    
Nga ana tjetër organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i ka kryer detyrat e saj të rëndësishme në fushën e letërsisë. Gjithashtu nuk është kuptuar mirë roli i letërsisë nga ana e organizatave të Partisë, të masave dhe nga institucionet e ndryshme shtetërore.
    
Megjithëse letërsia jonë e re ka pasur një kohë të shkurtër që të mund të zhvillohej gjerësisht, ajo duhej të kishte dhënë më shumë rezultate.
II. Në lidhje me traditat e letërsisë sonë të kaluar, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë konstaton se ekzistojnë pikëpamje të paqarta dhe shpeshherë të shtrembra.
     Letërsia jonë, megjithëse e re dhe jo shumë e pasur, ka një të kaluar të lavdishme. Në gjuhën tonë, e cila në bazë të dokumenteve që ekzistojnë gjer më sot, njihet e shkruar që në kohën e shkëlqyer të Heroit të madh Kombëtar, Skënderbeut, u manifestua gjatë robërisë turke në forma të ndryshme, rezistenca e popullit shqiptar kundër okupatorit.

Ndërsa në veri, shkrimtarë e vjetër manifestonin rezistencën e fiseve, në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, në qendrat tregtare si Elbasani, Berati, Voskopoja etj., ka pasur një përpjekje më të zhvilluar kombëtare, e cila u manifestua në letërsi me rezistencën jo vetëm kundër Turqisë, por edhe kundër Kishës greke të Stambollit, që ishte dora e djathtë e sundimit otoman mbi ortodoksët e Ballkanit dhe që u vu më vonë në shërbim të “Megali-idesë” greke. Edhe nëpër veprat e “bejtexhinjve”, të cilësuar sot në mënyrë jo ekzakte “shkrimtarë myslimanë”, janë shprehur kundërshtimet që ekzistonin në mes të feudalëve të vendit tonë dhe Turqisë.

     Lëvruesit e parë të gjuhës shqipe e kanë shprehur shumë herë dashurinë e tyre ndaj gjuhës dhe popullit tonë (Buzuku, Budi, Bogdani, Nezimi) dhe, ndonjë prej tyre, e ka paguar me jetën e tij çështjen e gjuhës dhe të popullit (Todri, Veqilharxhi).
     Kjo përpjekje e parë që hodhi baza mjaft të shëndosha për shkrimin e shqipes në dy dialektet kryesore të saj, u kurorëzua më 1878-1879 në Lidhjen e Prizrenit dhe në organizimin e shoqërisë së parë letrare “Shoqëria e Stambollit” për unifikimin dhe përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe.

     Me Shoqërinë e Stambollit nis një fazë e shkëlqyer në historinë e letërsisë shqipe, faza e krijimit të një gjuhe letrare, së cilës ia kishte hedhur bazat Kristoforidhi dhe që u konkretizua më mirë në shkrimet e Naimit, Samiut dhe Çajupit. Në këtë gjuhë u shkruan veprat e para shqipe me një cilësi të shquar artistike. Kjo letërsi qe shprehja e gjallë dhe udhëheqësja ideologjike e lëvizjes sonë kombëtare të Rilindjes.

Ajo pati një përhapje të mirë në popull dhe shërbeu për të luftuar prapambetjen e masave dhe për të hedhur bazat e një kulture shqipe. Bashkë me prozatorët dhe poetët e mëdhenj që u përmendën, populli ynë çmon udhëheqësit letrarë dhe politikë të kohës, Jani Vreton, Vaso Pashë Shkodranin, Thimi Mitkon e Spiro Dinen me shokë; çmon dëshmorët e çështjes së gjuhës, të kulturës e të patriotizmit, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin e të tjerë dhe çmon gjithashtu përpjekjen letrare të arbëreshëve të Italisë të shekujve XVI-XIX, përpjekje në të cilën u shquan Variboba, De Rada, Dara i Ri.
   
  Pas shpalljes së independencës më 1912, kur u shtrua çështja e formimit dhe e konsolidimit të shtetit të ri shqiptar, kur në krye të pushtetit erdhën klikat feudalo-borgjeze, kur ndërhyrja e huaj, në mënyrë të veçantë ajo e fashizmit italian, u bë më e fortë gjersa përfundoi në okupacionin e 7 prillit 1939, traditat e mira të shkrimtarëve të Rilindjes i ruajtën dhe i shpunë më tej Çajupi dhe Noli gjer më 1930, Ndre Mjeda gjer më 1927 dhe Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), i cili jeton tamam në kohën kur fillojnë të hedhin rrënjë në Shqipëri idetë marksiste të inspiruara nga Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit dhe nga triumfi i socializmit në Bashkimin Sovjetik. Migjeni përfaqëson përpjekjet letrare të të rinjve përparimtarë të asaj kohe.

     Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare fillon të duket një letërsi e re, e cila i shërbeu çështjes së popullit dhe formoi një bazë për zhvillimin e letërsisë sonë të sotme.

     Po kjo periudhë shtypjesh të brendshme nga më të ashprat dhe ndërhyrjesh brutale imperialiste hapi shteg për zhvillimin e një rryme antipopullore, reaksionare dhe fashiste e hapur në letrat tona. Kjo rrymë kishte gjetur mbështetjen e saj të parë që në kohën e Rilindjes tek imperializmi austro-hungarez, me Konicën dhe Fishtën, të cilët, me gjithë meritat e tyre në punën e gjuhës dhe të letërsisë, ishin dhe mbetën eksponentët kryesorë të saj në Shqipëri. Kjo rrymë solli një diversion të rëndë në historinë e letërsisë sonë dhe dëmtoi çështjen tonë kombëtare si nga ana letrare ashtu dhe nga ajo politike.

Në shkollën e klerit katolik me Fishtën në krye, ajo hymnoi në njërën anë patriarkalizmin dhe prapambetjen e vendit dhe në anën tjetër falsifikoi ndjenjat e vërteta të popullit shqiptar dhe historinë e tij, duke nxitur shovinizmin më të tërbuar kundrejt fqinjëve të veriut dhe të jugut – ashtu si bënin edhe letërsitë shovene ballkanase kundër vendit tonë – duke u bërë kështu vegël e imperializmit në Shqipëri.

Në këtë rrymë diversioni bënë pjesë, në forma dhe masa të ndryshme, letrarë fashistë dhe profashistë si Ernest Koliqi, dekadent, dhe Mitrush Kuteli, folklorist; hymnonjës të regjimit policor të Zogut si Ali Asllani; indiferentë si Et’hem Haxhiademi, klasikexhant dhe i huaj për vuajtjet dhe përpjekjet e popullit shqiptar, dhe Lasgush Poradeci, kryesisht apolitik dhe estetizant, e të tjerë.

     Përveç letërsisë së shkruar populli ynë ka një pasuri të madhe folkloristike që është thesari më i çmuar kulturor dhe artistik. Folklori shqip shumë e gjallë është pasqyra e vërtetë e së kaluarës dhe të sotmes së popullit tonë, e luftërave dhe e përpjekjeve të tij shekullore për liri dhe tokë, e vuajtjeve dhe e gëzimeve, e gjuhës dhe e zakoneve më të mira që ruajti mijëra vjet nga rrebeshet e huaja. Folklori inspiroi poetët dhe prozatorët tanë më të shquar në art dhe gjuhë.
    
Gjatë zhvillimit të saj që nga origjinat e gjer më sot, letërsia shqipe ka arritur në këto rezultate:
     a) janë hedhur bazat e një gjuhe letrare;
     b) është krijuar një letërsi artistike, sidomos në poezi;
     c) letërsia e jonë është akoma në hapat e para për sa u takon gjinive narrative (kryesisht romanet), dramës dhe kritikës letrare;
     ç) letërsia e sotme shqiptare, në sasi dhe në kualitetin artistik, paraqitet më e dobët se letërsia e kaluar, ka një përmbajtje të shëndoshë revolucionare, është në zhvillim e sipër dhe perspektivat e saj drejt së ardhmes janë të mëdha.

III. Duke u konstatuar nga këto konstatime, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë vendos:
     1) Çështjes së letërsisë në Republikën Popullore të Shqipërisë t’i jep[et gjithë rëndësia e merituar.
     2) T’i propozojë Lidhjes së Shkrimtarëve që të thërrasë për së shpejti Konferencën III dhe të bëjë riorganizimin e saj, në mënyrë që t’i shërbejë sa më mirë zhvillimit të drejtë të artit tonë letrar.
     3) Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë vë përpara shkrimtarëve shqiptarë këto detyra:
     a) të zhvillojnë talentet e tyre dhe t’i vënë gjithnjë më shumë në shërbim të çështjes së madhe të popullit, socializmit;
     b) duke shpënë gjithnjë përpara gjuhën dhe artin tonë letrar të frymëzohen në krijimet e tyre në përpjekjet e kaluara të popullit për liri dhe tokë, nga lufta e lavdishme nacionalçlirimtare, me të cilën nis një epokë e re në historinë e Shqipërisë, dhe nga hovi revolucionar i masave në luftë për ndërtimin e socializmit; të shikojnë gjithnjë nga e ardhmja dhe të krijojnë kështu një letërsi me përmbajtje socialiste dhe në formë nacionale, një letërsi partie;
  
   c) të angazhohen në luftë të ashpër kundër mbeturinave ideologjike letrare të së kaluarës (shovinizmit letrar, apolitizmit, artit për art, dekadentizmit), tendenca që përbëjnë një rrezik në rrugën e zhvillimit të letërsisë sonë të re;
     ç) të përvetësojnë metodën e realizmit socialist dhe ky të bëhet baza e krijimeve të tyre artistike;
     d) të pasurojnë gjuhën tonë me përkthime të veprave të mëdha të letërsisë botërore të gjithë kohëve dhe veçanërisht të letërsisë sovjetike;
     dh) të vënë në dukje thesarin folkloristik-letrar të popullit, duke u bërë ai burim i madh për krijimet e tyre artistike;
     e) të vënë në dukje me anë të kritikës marksiste-leniniste vlerat e letërsisë sonë në të kaluarën dhe sot, duke hedhur bazat shkencore të kritikës letrare në Shqipëri;
     ë) të forcojnë radhët e tyre me talente të reja dhe të përpiqen t’i ngrenë dhe t’i zhvillojnë këto talente;
     f) të krijojnë marrëdhënie të shëndosha me letrarët sovjetikë me ata të demokracive popullore dhe me letrarët përparimtarë të të gjitha vendeve;
     g) të vënë gjithë forcat e tyre për çështjen e lumturisë së popujve dhe për paqen, si internacionalistë konsekuentë dhe të luftojnë me krijimet e tyre artistike armiqtë e mirëqenies, përparimit dhe kulturës së popujve.

Partia e Punës e Shqipërisë u bën thirrje gjithë letrarëve shqiptarë të vënë gjithë forcat e tyre për kryerjen e detyrave që u cakton vetë historia e gjuhës dhe e letërsisë sonë, detyra që u vë sot përpara Partia dhe populli.
KOMITETI QENDROR I
PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË

DOKUMENT

















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç