Në bisedë me studiuesin e hershëm të marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, Prof. Apostol Kotani, Prof. Dr. Petrit Zorba, kreun e Shoqatës së Miqësisë, Izrael-Shqipëri, si dhe me dy përfaqësues të komunitetit shqiptaro-hebraik, z. Apollon Zenuni ( Rubin) dhe Jakov Ilia Solomon, sot me banim në Izrael, vjelim detaje interesante, të cilat jo vetëm kontestojnë pretendimet e pabaza të lëshuara ndonjë herë si rrjedhojë e mosinformimit të të huajve (edhe e keqdashjes së qarqeve me prirje antishqiptare), por edhe dëshmojnë konkretisht rolin e veçantë të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe bashkëjetesën e tyre shembullore me njëri-tjetrin.
Sidoqoftë, ky i fundit ka dhe një merak, të cilin dëshiron ta bëjë publik: Shqiptarët nëpër media apo kudoqoftë, të mos rezervojnë më fjalën “çifut” , e cila mbart një konotacion negativ për hebrenjtë, pasi ky cilësim përbuzës, i ka përndjekur nga pas që nga kohët e diktaturës e se ky komunitet nuk e meriton këtë. Përtej këtyre, u jepet përgjigje edhe pyetjeve se sa ishin, kur u larguan, si u larguan dhe sa janë hebrenjtë sot në Shqipëri, por edhe shqiptaro-izraelitët në Izrael. Sa shpresë ka që Izraeli ta njohë shtetin e Kosovës, etj.
* * *
Z. Solomon. Cili është emri juaj i saktë dhe ç’mund të na tregoni rreth jetës suaj të deritanishme në Shqipëri e Izrael?
Quhem Jakov Ilia Solomon dhe kam lindur në Vlorë, në tetor 1943. Në Shqipëri, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe më pas, asaj profesionale, si teknik i mesëm në mekanikën e përgjithshme, kam bërë fillimisht dhe punëra jo stabël deri sa në maj të vitit 1969 u pranova në stafin e fabrikës së llampave, e cila akoma nuk kishte përfunduar së ndërtuari. Këtë punë e vazhdova deri në shkurt të 1991, kohë në të cilën u larguam nga Shqipëria.
Si i ruanit e zhvillonit ritet tuaja fetare në atë kohë?
Deri më 1967, kur çdo fe ishte e lejuar, bënim ritet tona fetare pa pasur një sinagogë, siç kemi tani. Festat fetare i bënim të mbledhur në shtëpitë ku kishte më shumë vend e hapësire për vizitorët. Në këto rite fetare natyrisht, lexoheshin pjesë nga Toraja jonë prej njerëzve që dinin të lexonin hebraisht. Natyrisht se riti ishte tepër i thjeshtë për shkak të njohurive të pakta që pleqtë kishin në hebraisht. Rregullisht, çdo vit, para pashkëve tona, vinin me anije në Durrës ato që ne i quajmë Maca dhe që janë brum prej mielli special, të pjekura në formë kuadrate që konsumoheshin gjatë një jave pashke, plus ushqimeve të tjera të zgjedhura e më të mira gatuar se zakonisht. Identitetin tonë si jahudinj e ruajtëm edhe përmes emrave plotësisht fetarë e biblikë që u trashëguan edhe tek fëmijët tanë, por jo në të gjitha rastet. Shume herë, iu shmangëm traditës së emrave hebraike, duke vënë në disa raste edhe emra vendas, pasi martesat e përziera me fe të tjera, shpesh krijuan përplasje në këtë drejtim.
Kur mbërritët në Izrael dhe sa ishit?
Në Izrael erdhëm më 29 mars 1991, pasi kishim kaluar disa ditë në Athinë, sa dolën dokumentat tona për t’u futur në Izrael. Unë që u mora kryesisht me biletat dhe firmosjen e pasaportave në ambasadën greke, ngula këmbë që të dilnim nga Shqipëria disa ditë para zgjedhjeve të famshme të 31 marsit 1991 kur parashikoheshin trazira. Dolën nga Shqipëria 375 hebrenj, duke përfshirë dhe jo hebrenjtë që ishin lidhur në martesa të përziera. Prej këtij numri, 37 persona të lidhur me familjen KOHEN, pjesëtarë të të cilës kishin ikur prej kohësh në SHBA, u tërhoqën me kërkesën e tyre në Amerikë, ku banojne edhe sot (mes tyre edhe një xhaxhai im me fëmijët e tij dhe familjet e tyre, disa prej tyre të krijuara që në Shqipëri).
A mbetën pas largimit tuaj hebrenj të tjerë në Shqipëri, dhe nëse po, sa?
Me sa di unë, një numër fare i vogël, deri në dhjetë persona mbeten prapa në Shqipëri për shkaqe personale, qoftë edhe prej lidhjeve martesore dhe punërave të mira që kishin bashkëshortët e tyre, të lidhura dhe me interesa personale fare të ngushta.
A janë dorëzuar hebrenj nga shqiptarët tek nazistët dhe a përkon numri 400 të deportuar me të vërtetën?
Përsa i përket pyetjes suaj, nëse ka patur hebrenj të dorëzuar tek nazistët, kjo nuk është e vërtetë. Vendasit i morën në mbrojtje hebrenjtë, duke i strehuar nëpër shtëpitë e tyre, duke i mbajtur me ushqim e veshmbathje, pa kërkuar asnjë lloj shpërblimi dhe më e rëndësishmja është se ata vunë në rrezik serioz vehten dhe familjet e tyre po të identifikoheshin nga gjermanët. Shumica e tyre u sollën në Izrael ne muzeun e Jad Va Shemit, muzeu më i madh i Holokaustit në botë, ku u nderuan me respekt të madh, duke marrë titullin “Fisnik në mes njerëzve”, duke mbjellë një pemë simboloke në pyllin e madh të shpëtuesve të hebrejve në botë.
Z. Solomon, ku jetoni sot në Izrael dhe me çfarë merreni?
Unë jetoj sot në qytetin e Beer -Sheves, që konsiderohet si kryeqendra e shkretëtirës Negev, sipas porosisë së kryeministrit të parë të Izraelit - David Ben Gurion - që kur doli në pension u vendos në jug, duke lënë porosi që kjo zonë të popullohej, të zhvillohej më tej, mbasi aty zë rrënjë edhe hebraizmi jonë. Ai, së bashku me të shoqen, Pola, ndërtuan një shtëpi në Sade-Boker ku jetuan deri në fund të jetës së tyre dhe ku kanë edhe varret. Sot ai është një vend pelegrinazhi, të cilin e kam vizituar me shumë dashuri për atë që ai na ka lënë trashëgim, së bashku me bibliotekën e tij. Sot jam një pensionist dhe merrem me shkrime: prozë dhe poezi.
I mbani lidhjet më Shqipërinë?
Përsa i përket lidhjeve me Shqipërinë, them se ato janë të forta, jo thjesht përmes vizitave atje (ime shoqe ka qenë në Shqipëri gjatë 23 vjeteve - 24 herë, kurse unë vetëm tre herë). Takohem me mall me shokët që kanë mbetur atje, duke kujtuar çdo gjë nga jeta jonë e kaluar dhe kujtimet ndjekin rrjedhën e tyre, duke na emocionuar vazhdimisht deri në lotë. Edhe tregimet e mia vijnë përmes kujtimeve, falë kujtesës së mirë që akoma funksionon siç duhet. Me shumë shokë e miq i mbaj lidhjet përmes internetit, duke folur për çdo gjë. Jemi të interesuar veçanërisht për gjendjen në Shqipëri, gjë që e bëjme për shumë vite me radhë nëpërmjet programeve shqip të “Top channel” që na kënaqin pa masë. Dimë çdo gjë që ndodh atje - ndjekim lajmet, filmat, programet e ndryshme deri edhe kohën, aksidentet dhe zhvillimet në Parlament.
Keni ndonjë merak apo peng nga Shqipëria?
Akoma pas 23 vjetësh largimi, shohim në filmat tuaj të shkruhet fjala “çifut”, e cila është fyese për ne të gjithë. Nuk mjaftoi që e dëgjuam për 50 vjet atje - akoma me këtë refren të shëmtuar?! Mjaft me këtë fjalë që na kujton periudhën e diktaturës fashiste të Hoxhës!! Këtë vërejtje e kemi bërë disa herë, por shohim që me kokëfortësi, kjo situatë po përsëritet herë pas here. Nga ana tjetër, na gëzojnë sukseset tuaja.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)