Pas Eqerem Vlorës, penelatën e dytë mbi A. Zogun e kemi nga Faik Konica, i cili shërbeu si ambasador i Shqipërisë zogiste në Uashington gjatë viteve të monarkisë. Ndryshe nga Eqerem Vlora, i cili u kujtua ta stigmatizonte A. Zogun jo sa qe gjallë, por pas vdekjes së sovranit, të cilit i shërbeu deri më 1939 si deputet dhe pastaj një ditë më vonë e tradhtoi duke përshëndetur pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste – Faik Konica penë e shquar e kulturës shqiptare e ka portretizuar A. Zogun me ngjyrat më të zeza të penës së tij të fuqishme që kur mbreti ishte gjallë, madje, edhe gjatë kohës kur ishte ambasador i tij në Uashington.
Në mënyrë të përmbledhur ai e portretizon A. Zogun në punimin e tij me titull “Albania, the rock garden of Southeastern Europe”, Boston 1957 (botuar në variantin shqip: “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, përkthyer nga F. Leka, Tiranë 2010) në këtë mënyrë:
“Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar i lehtë për t’u duruar, por vitet e fundit ishte bërë i padurueshëm. I pajisur nga natyra me disa veti të shënuara, në fillim pati aftësinë t’i maskonte të metat e veta të shumta, derisa sukseset e njëpasnjëshme e bënë të humbiste vetëpërmbajtjen dhe atëherë doli në shesh si një barbar endacak dhe i pabesë.
Por, duam a nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon (karagjoz – K.F.), për të cilin do të interesohen si grumbulluesi i fakteve historike të çuditshme, ashtu dhe studiuesi i psikologjisë... Në kohën e lirë, u hidhja një sy autorëve elizabetianë (siç e kam zakon, herë pas here, edhe tani). M’u duk sikur gjeta një portret të Zogut te mbreti Xhon i Shekspirit ose te “Martineri i Ri” i Marlout, a te “Çifuti i Maltës”, i po këtij autori.
Me pak fjalë, Zogu, që nuk më kishte tërhequr kurrë si burrë shteti, më në fund ma zgjoi interesin si një subjekt anatomie”. (F. Konica, Po aty, f. 152).
Në vitin 1938 kur motrat e A. Zogut vizituan ShBA dhe Faik Konica si ambasador i shoqëroi ato gjatë gjithë vizitës së tyre, në një mbrëmje ai iu përgjigj pyetjes që i drejtoi shoqëruesi i tyre Abdurrahman Salihu apo Abdurrahman Krosi siç njihej në popull, nëse kishte ndonjë mesazh të veçantë për mbretin Zog. Faik Konica para se të shprehte mesazhin e pyeti nëse i premtonte se do t’ia transmetonte mbretit mesazhin e tij pa i bërë asnjë ndryshim. Pasi Krosi i dha fjalën, Faiku filloi: “Bëji të fala mbretit se kritikat e mia do të mbeten të kufizuara brenda qarqeve shqiptare; jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me të gjitha fuqitë e mia. Do të vazhdoj t’i shërbej me besnikëri dhe me zemër, sepse jam përfaqësues i tij dhe ai është koka e shtetit shqiptar. Por personalisht, unë ndiej përbuzjen më të madhe për karakterin e tij...
E përbuz mbretin për këto arsye: e kam ndjekur që kur ishte tetëmbëdhjetëvjeçar, por s’e kam dëgjuar një herë të thotë të vërtetën. S’e ka mbajtur kurrë fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulturë, prejardhje familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetarë të ndershëm. Ai nuk i vlerëson gjërat kryesore, por u jep rëndësi disa punëve boshe. Përpara, Shqipëria është njohur gjithmonë si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë deri në nivelin e një farse muzikore pa vlerë”.
Duke folur për regjimin monarkik të A. Zogut, Faik Konica ishte po aq i ashpër sa kur e stigmatizon A. Zogun si person. “E gjithë mbretëria e Zogut nuk qe gjë tjetër veçse një festë e gjatë karnavalesh, me një përfundim tragjik... Sido që të jetë puna, karriera e tij politike në Shqipërinë e re mund të shikohet si një episod historik i dorës së dytë”. (Faik Konica. Po aty, ff. 153-155).
Vijmë më në fund te portreti që ka përvijëzuar për A. Zogun, një dëshmitar i tretë - Çatin Saraçi, i cili e ka njohur që nga viti 1917 dhe ka bashkëpunuar me të si këshilltar dhe si ambasador i tij për gati 23 vjet, deri në vitin 1940 kur i preu lidhjet me të. Dëshmitë janë nxjerrë nga libri i tij, botuar në anglisht me titull “King Zog of Albanians. Inside story: The memoirs of Chatin Sarachi” (në variantin shqip “Zogu i shqiptarëve. Një histori e jetuar”, përkthyer nga Virgjil Muçi, Tiranë 2006). Si njohës i mirë i veprimeve të errëta të A. Zogut, Ç. Saraçi na njofton se prirjet e tij për të zhvatur të holla në rrugë të pandershme kanë filluar para se ai të shpallej mbret, që kur ishte i ri, që në vitin 1917 kur Shqipëria veriore ndodhej nën pushtimin e ushtrive austrohungare. Në ato vite Zogu mashtroi administratën ushtarake të Vjenës duke paraqitur lista sikur paguante rroga për 10.000 ushtarë, kur siç nënvizon Çatin Saraçi, nuk kishte as 5000 për të paguar. Madje, për këtë mashtrim, shton ai, administrata austrohungare e internoi A. Zogun për disa kohë. (Ç. Saraçi, po aty, f. 155).
Listën për të shpërblyer financiarisht mercenarët me të cilët do të përmbyste Revolucionin e Qershorit – shkruan Ç. Saraçi (shpërblime të cilat nuk ia dha mercenarëve) – Zogu ia paraqiti në Beograd në gushtin e vitit 1924 edhe kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiçit. Madje, po ato shifra, shton ai, Zogu ia paraqiti më vonë edhe Benitto Mussolinit dhe tërhoqi prej tij shumën e majme. (Po aty, f. 55). Më tej ai shkruan: Që nga 24 dhjetori 1924 “kur Zogu hyri në Tiranë, synimet e tij qenë vetëm dy. Synimi i parë: të pasurohej sa më shumë dhe sa më parë të qe e mundur. Synimi i dytë: të poshtëronte e të shtypte me të gjitha mjetet që i ofronte pushteti çdo atdhetar shqiptar, si dhe progresin kombëtar të Shqipërisë...
Kur u bë president i Republikës Zogu i kishte përcaktuar të ardhurat e veta shtetërore rreth 35.000 paunde në vit (rreth 3600 napolona ar në muaj si rrogë personale – K.F.) ndonëse tërthorazi ai vilte nga thesari i varfër i shqiptarëve ndoshta dyfishin e kësaj shume... Ai kërkonte t’u paguante rrogën pesë mijë mercenarëve, edhe pse ata kishin muaj që qenë larguar nga detyra, ndërsa paratë shkonin drejt e në kuletën e Zogut”. Autori shton: “Një pjesë e madhe e njerëzve që i qenë kundërvënë ngritjes meteorike të Zogut ishin arrestuar dhe pushkatuar pa gjyq, kinse “gjatë tentativës për t’u arratisur”. (Po aty, f. 69).
Bashkëpunëtori i Zogut shkruan: “Zogu donte para, i donte shpejt dhe sa më shumë... Për të përligjur nevojën e vet të ngutshme për para Zogu shkoi e trilloi një histori (për t’i zhvatur para qeverisë italiane – K.F.) të cilën unë duhet t’ua kallëzoja atyre në Romë... Shuma e parave që i nevojitej Zogut në dorë, shkonte aty te dyqind mijë paundet... Disa prej krerëve prisnin të shpërbleheshin prej Zogut për shërbimet e tyre të kahershme. Por edhe kur më vonë i mori paratë nga Italia, Zogu nuk u dha atyre asnjë kacidhe... Paratë, të gjitha në valutë të huaj, të futura në dy baule të mëdha, mbërritën në vend në shoqërinë e Alessandro Lessona-s, dora vetë”. (Po aty, ff. 76-77).
Ç. Saraçi riprodhon fjalët e A. Zogut që atij i tha më 1925: “Puna është, i dashur mik, se kapitali mbi të cilin është ngritur Banka Kombëtare është gjithë-gjithë dymbëdhjetë miliona e gjysmë franga ari. Mbas një shpjegimi të gjatë e të hollësishëm – shton Ç. Saraçi, - Zogu e pranoi se kishte marrë vetëm dy milionë franga ari dhe shtoi se i kishte marrë masat të më jepte një pjesë të asaj shume. Sigurisht që unë s’kisha asgjë në dorë të pretendoja për një thelë më të majme dhe, tekembramja, s’më mbeti gjë tjetër veçse të kënaqesha me gjysmën e asaj që më kish premtuar në fillim, me një fjalë pesëmijë napolona ari”.
Më poshtë ai shkruan: “Përveç mitës (ryshfetit – K.F.) që Zogu kishte marrë nga italianët 700.000 paunde (8.750.000 franga ari – K.F.) për Traktatin e Tiranës, më 1927 ai i kishte vënë edhe një kusht tjetër Musolinit: që të mbështeste kurorëzimin e tij mbret”. (Po aty, f. 112).
Më tutje ai thotë: “Ne ishim një Triumvirat (A. Zogu, J. Koçi, Ç. Saraçi – K.F.). Jak Koçi kishte një fetë prej 20 për qind, duke qenë se ishte më i madhi dhe gjithashtu qe i martuar e me fëmijë, ndërkohë që unë si më i ri kisha 10 për qind, ndërsa gjithë pjesa tjetër i përkiste Zogut”. (Po aty, f. 122).
Ç. Saraçi shkruan gjithashtu se Zogu e njoftoi Jak Koçin se kishte marrë nga Mussolini 5 milionë franga ari, nga të cilat 3 milionë ua kishte shpërndarë krerëve të fiseve e kështu me radhë. Kurse në të vërtetë, në bazë të hetimeve që Jak Koçi kishte bërë në Romë doli se Mussolini i kishte dhënë atij 10 milionë franga ari. (Po aty, f. 122).
Po i mbyllim denoncimet e Çatin Saraçit me letrën që ai i dërgoi A. Zogut kur të dy ndodheshin në mërgim, në qytetin Tur (Tours) të Francës, letër kjo me akuza të rënda për mbretin. Ai shkruan ndër të tjera:
“Prej vitesh kemi punuar fshehurazi njëri kundër tjetrit. Që të dy nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e hapjes së një konflikti, por unë po e bëj... E kaluara jote e fëlliqur, doemos, e bën këtë pjesë të punës sime gjë të lehtë... Përpara se t’ia mbathje nga Shqipëria ti kërkove dhe more prej meje artikuj me vlerë prej 270 paundesh (rreth 330 napolona flori – K.F.). E ke pranuar borxhin tënd me gojë dhe me shkrim, por ngulmon ta shlyesh atë me banknota të pavlefshme shqiptare... Më premtove mandej të më paguaje 5 mijë paunde në cash shumë-shumë deri prillin e ardhshëm. 5 mijë paundet do të paguheshin mbasi qeveria franceze të kishte paguar “listën” tënde të ushtarëve... Qeveria perandorake e Austrisë të internoi më 1917 ngase kishe paraqitur lista për 10.000 ushtarë, kur nuk kishe as 5000 për të paguar. Të njëjtën gjë bëre me Pashiqin më 1924, kur ishim në Beograd.
Kohët e fundit “listat” e famshme u patën paguar plotësisht nga “Luani”, sikurse kishe zakon ta quaje Mussolinin. Tani kohët ndryshuan dhe maska jote ra. Të pandehësh se marifetet e tua të vjetra mund të shkojnë ende sot, do të thotë të jesh injorant sa i takon mendësisë franceze dhe angleze. Ata e dinë që emri “Zog” është emri më i urryer në mendjen e të gjithë shqiptarëve. Edhe sikur të mbaronte lufta në Ballkan, prania jote në truallin ballkanik do të bënte që 3 milionë shqiptarë të reagonin egër kundër çdo parulle nën të cilën emri “Zog” mund të shfaqej... Ti e di po aq mirë sa e dinë të gjithë shqiptarët se emri yt është një fatkeqësi e racës sonë dhe se ti nuk ke as edhe një partizan të vetëm brenda dhe jashtë Shqipërisë, përveç atyre gangsterëve të paktë të paguar dhe të armatosur mirë përqark teje. Interesi yt i vetëm është të grumbullosh edhe më milionë. Përfundimet kurrfarë rëndësie për ty s’kanë”.
Më tej: “Më 1924 treshja Jak Koçi, ti dhe unë, hartuam dhe nënshkruam një kontratë në të cilën ti bije një mendjeje t’i paguaje Jak Koçit 20 dhe mua 10 për qind të të gjitha shumave që do të nxirrnim nga koncesionet e ndryshme. Pavarësisht biznesit legal, ti e fillove mbretërimin tënd duke vrarë masivisht atdhetarë dhe duke shitur drejtpërsëdrejti ose tërthorazi atdheun tënd. Alessandro Lessona, atëherë miku im, të ka paguar më shumë se 4 milionë paunde angleze nga gushti 1925 deri më 1931. Ndonëse e kisha të drejtën, unë asnjëherë nuk ta kërkova pjesën time. Ato para, sikurse e di çdokush në Shqipëri dhe jashtë saj, janë larë me gjakun e atdhetarëve më të mirë shqiptarë, si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina. Dhe qindra të tjerë.
Ato para me të cilat ti po jeton sot janë produkt i tradhtisë më të ulët dhe janë të lara me lotët dhe vuajtjet e një kombi të tërë, të kombit që ti e shite për para, ti Judë i Shqipërisë!... Gangsterët e tu të armatosur mund të mbrojnë trupin tënd, por jo sigurisht shpirtin tënd të errët dhe mjeran. Miqtë dhe armiqtë që ke vrarë të sillen vazhdimisht rretheqark, ditë dhe natë, kudo që të rrekesh të ikësh. Hijet e më shumë se një milion shqiptarëve të robëruar të ndjekin duke gjëmuar e duke vikatur emrin tënd.
Qindra, mijëra shqiptarët që vdiqën për liri nuk mund të të lënë vetëm. Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë, e di sa mirë të punon stomaku dhe sa të qetë e ke gjumin, prandaj edhe të uroj jetë të gjatë, shumë të gjatë. Mund t’i përdorësh milionët e tu, por me siguri kurrë nuk do të gëzosh. Sikurse shpesh më pate thënë vetë, jeta për ty është më se e mbaruar, por brerjet e zeza dhe torturuese ende jo”. (Po aty, ff. 153-157).
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)