Ekskluzive/  Letra e Ballukut për
Enverin: Nuk gabova me ushtrinë
Letra e '74 Ballukut për diktatorin

Ekskluzive/  Letra e Ballukut për<br />Enverin: Nuk gabova me ushtrinë<br />Letra e '74 Ballukut për diktatorin
Shqiptarja.com vazhdon sot publikimin e pjesës së dytë të letrës së pazbuluar deri më tani që ish-anëtari i përjashtuar i PPSH-së dhe Zëvendëskryeministri i vendit i dërgonte shefit të tij partiak. Publikimi i përmbajtjes së letrës bëhet për herë të parë. Publikimi vijon dhe në numrin e ardhshëm. (Foto: Anëtarët e Byrosë Politike në vitet ’60 i pari në të majtë Beqir Balluku)


Në pjesën e parë të letrës ( që botohet për herë të parë) së ish-Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, drejtuar Enver Hoxhës, në kohën kur Balluku tashmë ishte përjashtuar nga partia dhe i internuar po priste vijimin e hapave të mëtejshëm të pashmangshëm që do të sillnin në fund edhe ekzekutimin e tij, ai flet për gjendjen e tij emocionale pas hapave të ndërmarrë nga Byroja politike e PPSH–së, duke e cilësuar veten tashmë si një të “pushkatuar politikisht” i cili gjithë jetën ia kishte kushtuar ndërtimit të socializimit dhe modernizmit të ushtrisë, duke nisur nga ana tjetër të pohojë “fajet e gabimet” e veta dhe të shtjellojë njëherazi edhe nisjen e idesë së revizonimit të tezave të Këshillit të Mbrojtjes.
Në pjesën e dytë të letrës ( që mban datën 18 nëntor 1974), Balluku tashmë i sëmurë, vijon me arsyetimin e tij ku rreket të gjejë arsyet se pse i ndërmori këto hapa dhe ku kishte gabuar, nëse e kishte bërë këtë me qëllim apo jo dhe se çfarë mendonte për unitetin në Parti e Byro, sidomos për lidhjen mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, aftësitë e këtij të fundit jo vetëm në fushën ushtarake etj.

Ai rreshton gjithashtu një sërë argumentimesh tejet teknike në lidhje me zbatimin, zbërthimin apo kuptimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, për të cilat ai akuzohej se i kishte revizionuar e deformuar me qëllim.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni pjesën e dytë të letrës që përfshin faqet, 17-27 të materialit origjinal të shkruar nga Beqir Balluku (marrë nga Arkiva Qendrore e Shtetit, shih: F. 14. /AP STR V.1974, D. 250, fl. 1-46 ), të cilin ne po e paraqisim ashtusikurse edhe më parë, të plotë, të paretushuar e të pakorrektuar sipas normave aktuale letrare.

                                                                                                              * * *

Në këtë vështrim, arti ushtarak popullor ka individualitet shqiptar dhe është një pasurim, sistemim e zhvillim i mëtejshëm i mendimit ushtarak, tezat e kshillit të mbrojtjes janë shtigje e rrugë të çara nga partia me në krye shokun Enver për mbrojtjen e socializmit e diktaturës së proletariatit në Shqipëri, kështu i kam vlerësuar, kuptuar e pranuar këto projekt-teza në vitin 1967.

Në mbledhjen e kshillit të mbrojtes për aprovimin e tezave unë kam lënë disa vërejtje të vogla, të cilat janë pranuar dhe menjëherë pas aprovimit ne ju përveshëm punës për zbatimin e vënien e tyre në provën e jetës, rezultatet e punës dhe trajtat organizative-luftarake të arritura në ushtri dhe në hallkat e tjera të mbrojtjes si pro kërkesave të tezave janë të njohura.

E konsideroj të nevojshme të theksoj se Komiteti Qendror e shoku Enver qysh në fillim, për hartimin e tezave ndoqën rrugën e drejt e neve na u dha akoma kohë për hartimin e tyre, dhe fillimisht me këtë detyrë në krye të një grupi pune u ngarkua shoku Petrit i cili mbas disa muajsh përpjekjesh nuk ia arriti qëllimit, atëherë krijuam një grup tjetër pune nën drejtimin tim, i cili gjithashtu nuk ia arriti dot qëllimit, në kohën që shoku Mehmet paraqiti projektin e mbaruar, shoku Enver më ka thënë se në qoftë se neve kemi materjal të gatshëm sipas detyrës së vënë, e paraqitni për shqyrtim.

Në këtë kohë un duke parë se projekti i paraqitur nga shoku Mehmet ishte një materjal që trajtonte në një nivel të lartë politik, ideologjik e ushtarak të gjitha problemet e mbrojtjes, që ishte në të vërtetë nji doktrinë ushtarake dhe që materjalet tona, si të grupit të parë, ashtu edhe të grupit të dytë, ishin jo vetëm larg tij, por të zbehta e me trajtim të ngushtë, në këtë kohë un i kam thënë shokut Enver që të bazohemi në materjalin e paraqitur nga shoku Mehmet dhe në kët mynyrë u veprua.

Un kurdoherë kam vlerësuar lart, ashtu si janë aftësitë e talentin e shokut Mehmet në të gjitha fushat përfshirë edhe atë ushtarake, e kam vlerësuar si krahun e djathtë të shokut Enver, si shokun që ka zbërthyer e zbërthen idetë e tij me talent e frymë të lartë ML në të gjitha fushat dhe në rastin konkret edhe në fushën ushtarake si gjatë luftës NÇL dhe në periudhën e pas çlirimit, për forcimin e modernizimin e ushtrisë t’onë edhe në hartimin e librit të tezave, kurrë nuk kam menduar të vej vijën e barazimit të njohurive të mija të kufizuara me ato të shokut Mehmet, siç e thashë edhe më lart me gjithë se na u dha skena tematike, dhe koha për hartimin e tezave neve me dy grupe pune nuk mundëm ta kryejmë kët detyrë, duke e parë problemin në kët plan un kam pranuar me bindje tezat dhe i jam përmbajtur faktit se neve nuk e kryem dot kët detyrë se pse nuk ishim e nuk jemi në gjendje të kapim e të trajtojmë me një frymë kaq të lartë e parimore nji rreth problemesh të tillë praktik, ideologjik e ushtarak të lidhur e bazuar në kushtet e realitetin e teatrit shqiptar, por detyrë e jon kryesore tani ësht zbërthimi dhe vënia e tyre në jetë energjikisht në të gjitha hallkat e mbrojtjes, kështu kam nisur rrugën me vendosmëri përpara për zbërthimin e vënien e tyre në praktikë në provën e jetës, si në fushën e organizimit të pregatitjes luftarake e taktiko-operative dhe fortifikimit xhenier të vendit, sigurisht në raport të drejt për drejt me shkallën e njohjes dhe të përvetsimit të ktyre metodave të reja, duke u ruajtur nga format klasike të ushtrive të mëdha, dhe nga dogmatizimi në zbatimin e tyre.

Gjatë periudhës 5-vjeçare dmth. deri në pllenumin e 12-të të KQ kur byroja politike mori në shqyrtim problemin e ushtrisë në bazë të raportit të drejtorisë dhe të konkluzioneve të saja të tërhequra mbas konsultës mbi gjendjen e stërvitjes dhe gatishmërisë luftarake, si dhe të marrdhanieve të mija me Petritin, për çështje të stilit e metodës së punës, un në kët mbledhje u kritikova për pesimizëm, dhe për tendencë të grumbullimit të kompetencave, mbi kët bazë u muarën masa organizative për përmirësimin e drejtimit, duke u shkarkuar un nga lidhjet e shumta dhe u ngarkua shefi i shtabit.

E shtjellova kët periudhë me qëllim që të nxjerr në pah, se përveç të metave e dobësive në stilin e metodën e punës gjatë periudhës 5-vjeçare të vënies në jetë të tezave të Kshillit ne kemi luftuar kundër dobësive e të metave në programin e stërvitjes si lidhjen e saj me hapjen organizative të ushtrisë dhe të hallkave të tjera të mbrojtjes si përmirsimin e metodës të mësim dhanies sigurimin e pjesë marrjes së kontigjenteve që në kët drejtim çfaqin dobësi të theksuara liberale dhe që pas plenumit të 12 të të K.Q. e veçanërisht pas plenumit të 4 tërt, ky tregues pësoj ndryshime të mëdha pozitive si në pjesë marrje ashtu dhe në drejtimin e sigurimin e saj me kuadro e bazë materjale, nji ndikim pozitiv në kët fushë ka lozur edhe krijimi i shkollës së lirë mbi bazën e garnizoneve në vend disllokimet e tyre të shkollës bataljon-grup.

Pra pa mohuar aspak të metat e dobësitë e mija në punë stërvitja luftarake ësht bazuar në kërkesat e tezave të Kshillit të mbrojtjes, duke vënë theksin në përmirsimin rrënjësor të stërvitjes së vogël të nënreparteve e reparteve si bazë e pregatitjes dhe kompaktësimit të ushtrisë nga formacioni i vogël e deri tek i madhi.

Krahas këtij kursi të drejt gadi për ç’do rast jan zhvilluar e zhvillohen stërvitje me pjesë marrje të gjerë të trupave dhe stërvitje të mëdha komando shtabi të shkollës taktiko-operative dhe operative-strategjike se pse këto janë binome dhe të lidhura organikisht në mes të tyre, se pse pa ecjen e tyre paralel nuk mund të zbatohen detyrat në fushën e luftës që parashikojnë tezat e kshillit të mbrojtjes.

Temat e stërvitjeve të mëdha komplekse me pjesë marrje dhe të forcave vullnetare e organeve shtetërore e të partisë si në mbrojtje, kundër mysymje, mysymje bllokim e asgjesim të desantit ajror armik, janë karakterizuar kurdoherë në kryerjen me shpejtësi të manovrës së forcave e mjeteve si paralel frontit ashtu edhe nga theorija nën mbulimin kundër ajror në shumë rrugë paralele natën, për në rajonet e përqëndrimeve ose bazat e nisjeve për kundër sulm e kundër goditje të pregatitura.

Posaçërisht në pikpamje xheniere gjithe ashtu gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare mua më ka shqetësuar përsosja e mbulimit e sigurimit më të mirë të detyrave kryesore, veçanërisht të drejtimit breg-detar, kështu kam ecur un në raport me tezat e Këshillit të mbrojtjes deri në plenumin e 12 të K.Q. Qershor 1971.

Theksoj se gjatë kësaj periudhe kam nxitur zbërthimin e tezave e hartimin e rregulloreve për të gjitha armët e shërbimet dhe nuk kam shprehur dyshime e hezitime ose të kem ndërmarrë hartimin ndo nji materjali që t’jen në kundërshtim me to, por kam kërkuar e nxitur futjen sa më parë krahas armatimeve të luftës me mina të shpërthimeve dhe përmirsimit të punimeve xheniere me objekte të rinj.

Lëkundjet gabimet e fajet e mija në drejtim të tezave konkretizohen me hartimin e materjalit të parë me nji herë pas plenumit të 12 të K.Q. Gusht 1971 ku un kam hedh idenë e frymëzoj përpunimin e temës të kthejmë fushat në male. Këto mendime përfshijn si çështjet organizative ashtu dhe ato taktiko-operative dhe të fortifikimit xhenier.

Me gjithë se këto probleme të gabuara zienin në kokën time, un ato i kam mbrojtur në rreth të ngusht dhe nuk i kam përhapur ose bërë norma në ushtri e kuarteti i ushtrisë nga viti 1971-1974 është udhëhequr nga kërkesat e tezave në të gjitha fushat.

Ky materjal u punua me materjalin e dyt dhe në fund me materjalin e III të i cili përveç temës së mbrojtjes përfshin edhe tema të tjera si operacioni kundër–mysymjes, dhe i kalimit, këto dy tema si në materjalin e parë dhe të dyt nuk jan trajtuar se pse për këto dy probleme nuk kam pasur ndonji mendim, por pa mvarësisht nga kjo, un jam përgjegjës për të gjitha sa jan shkruar në këto materjale dhe jam d’akord me të gjitha kritikat, vrejtjet e vlerësimet që i bahen ktyre materjaleve si në analizën e byros politike ashtu edhe të plenumit të K.Q.

Punimet e plenumit 12 të K.Q. dhe fjalimet e shokut Enver e Mehmet në kët plenum jan afirmim e pasurim i mëtejshëm i tezave të Kshillit të mbrojtjes, por un këto mësime i kam luftuar e trajtuar në mënyrë të gabuar.

Pse ka ndodhur kjo?
Me gjithë se gjatë periudhës 5-vjeçare d.m.th. deri në plenumin e 12 të K.Q. nuk kam çfaqur ndo nji lëkundje të hapur ose të hartoj nji materjal, un kam qenë nën efektin e influencën e ideologjisë borgjezo-revizioniste. Në kët vështrim tek un jan kristalizuar avash avash mendime e koncepte që vijnë në kundërshtim me tezat e Kshillit të mbrojtjes të cilat shpërthyen me nji herë pas plenumit të 12 të K.Q. dhe që më çoj të shkas në këto gabime e faje të rënda.

Un duke ndërmarrë kët përpunim kam ecur me ndërgjegje të qetë se gjoja po mbështetesha në konkluzionet e plenumit, dhe në emër të së resë, duke e gjalluar kët fenomen nga pozita të gabuara që kishin zën vend në kokën t’ime, kam menduar se arti ushtarak më tepër se ç’do shkencë tjetër ësht në lëvizje dinamike dhe se ky fenomen kërkon njohje e kontroll dhe masa efektive kundër vënie në kohën e duhur, kjo rrugë ësht e drejt dhe e domosdoshme kur bahet mbrenda parimeve të artit ushtarak dhe ësht e dëmshme dhe e dënueshme rruga që kam mbrojtur un që mbërthyer nga koncepte të huaja kam ecur qorrazi i bindur se po bëj diçka të mirë e të nevojshme.

Gjatë vitit 1971-1972, si materjali i parë e veçanërisht materjali i dyt nuk ësht pranuar nga shokët, un në kët kohë kam menduar se me gjithë dobësitë e korrigjimet që i duhen bërë materjalet e reja hyn në vështirësi dhe kam ngulur këmbë që ky materjal të ripunohet dhe në kët proçes lindi materjali i tret me tezë për mbrojtjen e tij të gabuar.

Në tërë kët proçes unë kurrë nuk kam menduar që të hiqet dorë nga mbrojtja pozicjonalo-Aktive me front, kurrë nuk kam menduar të cënoj e prek sa do pak unitetin e të gjitha instancave e veçanërisht në byro në mes të shokut Enver e Mehmet të cilin e kam mbrojtur në ç’do rrethanë e situatë si syt e ballit, se kurrë nuk kam menduar që libri në tërësi i tezave të zavendësohet nga një platformë të re. Ky ësht gjykimi i përciptë dhe i përgjithshëm i nji njeriu të sëmurë, dhe hapje e rrugës e lëni e dorës së lirë për të vepruar shkaqeve në rastin konkret koncepteve e botkuptimeve të huaja liberale.

Shtrohet pyetja pse shkava un në këto gabime e faje?
Përgjigja e vetme ësht nji, kjo ka ndodhur se un duke qenë nën efektin e ideollogjive borgjezo-revizoniste hodha ide e mendime që revizionojn probleme esenciale të artit ushtarak popullor, dhe që mynyra e të shtruarit e argumentimit të tyre në rastin konkret të çon në cënimin e unitetit në byro dhe prekjen e problemeve të tjera që do të flas me kët rast.

Kshtu gjatë kësaj kohe duke bërë një luftë të ashpër me botën t’ime të mbrendshme, pranoj se konceptet e mija të gabuara borgjezo-revizoniste si liberalizmi, subjektivizmi, mendje madhësija, niveli i ulët ideollogjik më kanë çuar në revizonimin e vijës ushtarake të partisë që shprehet në tezat e Kshillit të mbrojtjes, dhe zavvendësimin e tyre me parime e norma që i ndryshojnë mbrojtjues karakterin e përcaktuar.

Si në materjalin e parë të dyt e të tret tema kryesore ësht tema e mbrojtjes pozicjonalo-Aktive ku hidhen ide mbi format e organizimit dhe të aktivitetit të saj, si në fushën taktike ashtu edhe atë operative, ndryshimet që para shikohen në këto materjale prekin probleme parimore që përbëjnë boshtin kryesor mbi të cilat ësht ndërtuar i tërë sistemi i tezave, si parimet organizative parimet e rregullat e luftimit në mbrojtje kundër sulmet e kundër goditjet.

Ndryshimet që parashikohen në materjalin e III të të çojn në mynyrë të pa evitueshme në luftimin e manovruar sidomos të forcave të cilat humbin lidhjen organike me forcat artilerisë mitraliere që mbulojn drejtimin e dhanë se pse ligji i luftës pozicjonalo-aktive me forcat kërkon lidhjen organike të luftimeve mbrojtëse në pozicjone, pikë mbështetje, nyja mbrojtje e breza me aktivitetin e parashikuar dhe të pllanizuar që përmblidhet në dhanien e kundër sulmeve e kundër goditjeve, kët ndryshim esencial e reflektojn më së miri ndryshimet që parashikohen në materjalin e III të që gjoja në emër të rritjes të aktivitetit dhe të ngritjes së shpirtit sulmues të mbrojtjes kundër sulmues zavendësohen me sulme dhe kundër goditjet me goditje ky ësht një shartim i trashë dhe pa vend i parimeve.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Shkrimi u buotua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?