TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të ndryshojë ligjin e vitit 2014 për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, me qëllim për të zbuluar ish-bashkëpunëtorët (spiunët) e Sigurimit, të cilët kanë zhdukur dosjet e tyre, në kohë të ndryshme, sidomos gjatë trazirave. Konkretisht do të ndryshojë cilësimi ish-bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Në ligjin në fuqi parashikohet se ish-bashkëpunëtor i ish-Sigurimit është çdo person që vërtetohet se ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit. Gjatë zbatimit të këtij ligjit, Autoriteti i Dosjeve ka hasur vështirësi të mëdha për të vërtetuar bashkëpunimin e personave të ndryshëm me ish-Sigurimin, për shkak se janë zhdukur dosjet e tyre. Por, për këta persona ka dokumente të tjera të tërthorta, që flasin për bashkëpunim e tyre.

Megjithatë, për shkak të kufizimit ligjor që kërkon vërtetimin e tyre, Autoriteti i Dosjeve nuk i ka konsideruar dot deri më sot këtë persona si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, bazuar vetëm në disa dokumentet, por jo në dosjen kryesore që është zhdukur. “Jo rrallë jemi ndeshur me praktika kur për bashkëpunëtorin kemi vetëm kartelë ose fletë regjistri, apo kur dosjet për ta janë asgjësuar dhe në këtë kuadër e kemi pasur të pamundur për të lidhur aktivitetin e tyre si bashkëpunëtor”, thekson Autoriteti i Dosjeve.

Për këtë arsye, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të qetë fjalë ‘vërtetohet’. Sipas versionit të propozuar, ‘bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit është çdo person që ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit’. Me këtë ndryshim, edhe nëse dosja e një spiuni të ish-Sigurimit është zhdukur, ai do të zbulohet dhe cilësohet bashkëpunëtor bazuar në dokumente të tjera.

Ligji aktual nuk kishte një përkufizim të anëtarit të ish-Sigurimit. Për rrjedhojë, Autoriteti i Dosjeve, në versionin e propozuar, sqaron se ‘anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit janë punonjësit që kanë qenë në marrëdhënie pune, dhe kanë pasur funksione zyrtare në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, ku përfshihen, oficer, nënoficer, nëpunës, punonjës operativ deri tek punonjësi i nivelit të lartë drejtues i ish-Sigurimit të Shtetit”.

Autoriteti i Dosjeve propozon edhe një ndryshim tjetër në ligj, për të përfshirë mediat, si hapësira informimi, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit. Në ligjin aktual, edukimi qytetar mbi veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, ishte i kufizuar dhe përjashtonte mediat. “Njëherazi është parë e rëndësishme nga Autoriteti zhvillimi i një strategjie komunikimi të hapur me qëllim informimin e qytetarëve dhe gjeneratës së re mbi ngjarje tronditëse të ndodhura mbi viktima të pafajshme të diktaturës komuniste, mbi bazën e provave dhe fakteve të pakontestueshme, të bërë publike për herë të parë mbi dokumente autentikë nga dosjet e krijuara nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit. Në këto kushte, del e nevojshme përfshirja e mjeteve për të realizuar qëllimin e kërkuar për edukimin qytetar”, sqaron Autoriteti i Dosjeve.