TIRANË - Mesditën e 9 tetorit 2020, kallëzimi i qytetarit E.P. nga Tirana do të ndihmonte policinë e Tiranës të zbulonte një nga bazat më të mëdha të vjedhjes së biçikletave. Gjurmimi i 14 vjeçarit që i vodhi biçikletën pranë zogut të zi E.P. do të finalizonte operacionin "Vjeshta" ku hetuesit e komisariatit numër 3 zbuluan se shtëpia ku banonte 30 vjeçari Anderson Fidani ishte kthyer në një bazë për grumbullimin e biçikletave të vjedhura.

Janë këto pamjet e sekuestrimit të 66 biçikletave, ndërsa Gjykata e Tiranës për Anderson ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.

Por si ishte kthyer banesa e familjes Fidani, në shtëpinë e “bosit“ të biçikletave?

Sipas hetuesve Fidani ishte i lidhur me një rrjet hajdutësh kryesisht të mitur dhe konsumator droge të cilët pasi i vidhnin ato në pak minuta nëpër lagjet e Tiranës ja tregtonin atij.

Kundrejt çmimeve nga 3000 në 5000 lekë Fidani ia blinte personave të ndryshëm duke i grumbulluar në bazën e tij.

Personi që shihni në pamje është 30 vjeçari Anderson Fidani arrestuar pas gjurmimit të të miturit që mëngjesin e 9 tetorit i vodhi biçikletën markë “Cube“ E.P, i konsideruar nga blutë e Tiranës si ‘‘bosi‘‘ i biçikletave.

Anderson u prangos së bashku me vëllain e tij shtetasin D.Fidani i cili nga gjykata është lënë me masën detyrim paraqitje dhe nga hetimi rezultoi se ai ishte me profesion bukëpjekës, dhe ndodhej në atë banesë në kombinat tek rruga e qelqit vetëm rastësisht.

Report Tv ka mundur të sigurojë eksluzvisht nga burime pranë policisë së Tiranës dhe listën e disa shtetasve të tjerë të dyshuar për vjedhje biçikletash të cilët kanë bashkëpunuar me Fidanin duke i shtirur tek ai.

Ata janë D.M, i cili i ka shitur Fidanin 3 biçikleta kundrejt vlerës 2000 lerkë, E.P tre biçikleta kundrejt vlerës 3000 lekë, O.M 10 biçikleta kundrejt vlerës 3000 lekë, A.B 3 biçikleta kundrejt vlerës 3000 lekë.

I pyetur nga hetuesit se përse i blinte biçikletat e vjedhura, Anderson është përgjigjur: "Unë nuk e dija që ishin të vjedhura, në të kundërtën sdo i kisha blerë kurrë. Këto biçikleta i kam blerë pasi dua të hap një biznes për t'i dhënë me qira gjatë verës në Durrës".

Por kjo sipas hetuesve është vetëm një alibi për të fshehur aktivitetin kriminal i cili dyshohet se lulëzon prej kohësh dhe është i lidhur me grupe kriminale që operojnë në të gjithë vëndin.

Këto dy video ekzkluzive të siguruara nga ReportTv i përkasin momenteve të vjedhjeve të biçikletave në Tiranë. Përkatësisht përfshirja e këtij të mituri pranë qendrës së Tiranës në mes të ditës tek ish kafe ‘‘Flora‘‘.

Ai afrohet, studion vendin ku është lidhur biçikleta dhe në pak sekonda e vjedh atë duke u larguar, pasi biçikleta ishte e siguruar vetëm me një kapse.

Një tjetër video i përket rrugës tregtare ‘‘Myslym Shyri‘‘. Teksa ora shënon 02:19 e mëngjesit, një person i veshur me tuta të kuqe e bluze të zezë bën një vëzhgim të biçikletave të lidhura përpara një dyqani.

Ai rikthehet 30 minuta më pas dhe në 02:51 minuta me një levë të vogël në dorë për 40 sekonda këput kavon duke marrë biçikletën dhe largohet.

Biçikletat  e gjetura në bazën e Anderson Fidanit në kombinat po verifikohen, ndërsa policia e Tiranës për të gjithë personat që u është vjedhur biçikleta i fton të paraqiten në polici për të verifikuar e tërhequr biçikletën e tyre.

Vjedhja e biçikletave është kthyer në fenomen shqetësues në të gjitha qytetet e shqipërisë, ndërsa Tirana mban edhe numrin më të lartë të denoncimeve.

Anderson Fidani

Momenti i vjedhjes së një prej biçikletave

 

Baza ku mbaheshin biçikletat e vjedhuara