Eva Dumani ndodhet me familjen e saj në Tiranë. Ajo është ende e mbuluar dhe nuk e ka hequr shaminë. Në një bisedë të shkurtër me nënën e saj, Mide Dumani, Report Tv arriti të mësojë se Eva, e larguar nga gjiri familjar vetëm 9 vjeç dhe sot 21, është mirë, por ka nevojë për kohën e saj për t’u qetësuar nga i gjithë kalvari i vështirësive që kaloi në Sirinë e largët, ku u rrëmbye nga babai i saj në vitin 2014.
Burime për Report Tv thanë se Eva do të jetë në mbikëqyrjen e autoriteteve, përfshirë edhe vëzhgimin nga antiterrori. Në banesën e saj do të shkojnë psikologë për të biseduar me të dhe për t’i shtruar rrugën e riintegrimit në shoqëri.
Në vitin 2020, kur autoritetet shqiptare arritën që, në një operacion kompleks, të shpëtonin nga kampi Al Hol vëllain e saj, Endrin, Eva nuk dëshironte të kthehej.
“Endri dhe Eva kanë qenë të dy në një çadër, në nënkujdesjen, po themi, edhe të disa familjeve të tjera shqiptare, por, siç ju thashë, u larguan. Një pjesë e madhe e tyre u larguan dhe nuk pranuan që të ktheheshin. Në fakt, Eva, unë mendoj që në atë kohë nuk ka qenë e qartë, pasi më pas, gjatë komunikimeve, ka shprehur që ka bërë gabime. Bashkë me Evën kishte edhe disa familje të tjera shqiptare, të cilat, për shkak të nivelit të lartë të radikalizimit, mendoj se nuk pranonin të ktheheshin. Dhe për shkak të keqinformimit që ata kishin pasur nga persona të caktuar. Personave në kamp u është thënë që, në momentin që ju do të ktheheni në Shqipëri, do t’ju ndalojnë të ushtroni ritet tuaja fetare, të praktikoni etj., gjë që nuk është e vërtetë. Sepse nuk ka ndodhur me asnjë person. Kështu që, duke pasur këtë frikë dhe këtë merak dhe duke qenë, siç thashë, edhe nën presionin e personave më të rritur dhe më të radikalizuar, një pjesë e personave shqiptarë janë fshehur. Ata kanë shkuar të vendosur nën presion apo të gënjyer nga prindërit e tyre, meqenëse ishin të radikalizuar dhe kërkonin atë çfarë kishin në ideologjinë e tyre. Por çfarë faji kanë pasur fëmijët?”, tha për Report Tv ish-kreu i Antiterrorit, Gledis Nano.
Nano ishte në udhëheqje të operacionit të shpëtimit të fëmijëve dhe grave shqiptare të mbetura në Siri, pasi burrat ishin vrarë në luftë, ashtu si edhe Shkëlzen Dumani. Për Report Tv, ai kujton momentet e vështira kur shpëtuan vëllain e Evës, Endrin, 9-vjeçar.
“Në Liban, zoti Mark Goje, me suportin e forcave të sigurisë kurde, kemi hyrë në kamp, kemi kontrolluar. Megjithëse na u tha që, deri sa të perëndonte dielli, ju duhet të ishit kthyer në shtëpi, ne kemi qëndruar edhe në errësirë, me idenë dhe me qëllimin e vetëm që të gjejmë dhe të bëjmë të mundur rikthimin në shtetin shqiptar”, tha Nano.
Burime për Report Tv thanë se, në Siri, mendohet të jenë mbi 20 shqiptarë të tjerë në kushtet e Evës. Shumë pritet të ndjekin të njëjtën rrugë kthimi si ajo, drejt Turqisë, që më tej, me ndihmën e autoriteteve shqiptare, të vijnë në atdhe.
Gledis Nano i kujton kështu emocionet kur pa me sytë e tij kushtet në kampin famëkeq në Siri.
“Nuk ia uroj askujt që të shkojë në atë kamp. Nuk e quajtëm Al Hol, por ‘Al Hell’. Anglisht, kampi i ferrit. Sepse realisht ashtu ishte. Kushtet mizerabël, po të themi, në aspektin e higjienës, në aspektin e akomodimit, njerëzit që jetonin nëpër çadra, me tualete të përbashkëta, të hapura në natyrë, me ujë që sillej me botë. Dhe ushqimi ishte i pamjaftueshëm dhe këtë e pamë edhe në rastin e Endrit. Një nga të rikthyerit, i cili, nga trajtimi dhe ekzaminimi shëndetësor që iu bë, rezultoi i kequshqyer dhe me mungesë imuniteti etj., etj. Aty është një luftë për mbijetesë realisht. Luftë për mbijetesë për të siguruar bukën, jo më për kushte të tjera që mund të pretendojmë. Dhe, nga ana tjetër, ka pasur disa herë sulme edhe nga jashtë kampit, nga grupe terroriste”, tha Nano.
Komente








