Edhe një herë ‘jo’ importit të mbetjeve në Shqipëri. Qeveria është tërhequr nga projektligji i parë i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, i cili mbeti vetëm në fazën e Konsultimit Publik. Gjatë diskutimeve neni 73 i projektligjit ku ishte parashikuar lejimi i importit të mbetjeve nga jashtë që janë pjesë e listës së Gjelbër të BE, është rrëzuar.
Në draftin e ri që pritet të depozitohet këtë muaj në Kuvend, në nenin 72 të tij thuhet se, “Ndalohet në të gjitha rastet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi tranzit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa në draftin fillestar ishte parashikuar lejimi i importit të disa kategorive të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, të cilat do të përdoreshin kryesisht si lëndë djegëse nga industria.
Kategoritë e mbetjeve që janë pjesë Listës se Gjelbër të BE, që nuk konsiderohen të rrezikshme, janë mbetje kartoni, letre, alumini, hekuri, mbetjet plastike, mbetje plumbi, mbetje zinku, mbetje industriale apo mbetje mjekësore. Lejimi i importit ka qenë kërkesë e industrisë prodhuese, pasi bëhet i mundur zëvendësimi i lëndëve që përdorin aktualisht si koksi i naftës dhe zhavorret bituminoze, me lëndë djegëse të përbëra nga mbetjet që në vend do të vijnë si produkt i kompostuar.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por edhe kundërshtuar menjëherë pasi u hodh në konsultim publik nga ambientalistët. Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve paralajmëron protesta nëse qeveria miraton projektligjin që i hap rrugën ardhjes së mbetjeve në Shqipëri. Sipas tyre lejimi i importit do të kishte pasoja fatale për vendin, pasi kemi probleme të mëdha në menaxhimin e mbetjeve.
Përveç importit të mbetjeve në këtë projektligj ka rregulla të reja për menaxhimin e mbetjeve, ku synohet që të përhapet riciklimi i mbetjeve, ndërkohë që aktualisht trajtimi i integruar i mbetjeve ka qenë i fokusuar drejt incenerimit (djegies) me qëllim që të prodhohet energji.
Një nismë e tillë është diskutuar edhe në vitin 2016, ku aso kohe deputeti i PS-së Eduard Shalsi, pati propozuar që të lejohet importi i mbetjeve, që bëjnë pjesë në ‘Listën e Gjelbër’, por që nuk u miratua. Importi i mbetjeve ka qenë i lejuar deri në vitin 2013, por që u ndalua menjëherë pas ardhjes në pushtet të socialistëve.
Neni 72 në draftin e ri ligjor, të siguruar nga Report Tv
Faqja e para e projektligjit të ri, të siguruar për Report Tv
Komente


Lavdi Zotit! Asnje lloj mbetje /e gjelber/ose jo as duhet te sillet,as te kaloje tranzit tek ne!
Përgjigju