Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.

Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.

Rama paralajmëroi se do të ngrihet një Task Forcë kundër mbetjeve plastike.

“Meqë është takimi i parë i vitit edhe takohemi sy më sy, ju uroj të keni vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot jemi këtu, në vijim të takimve të organizuara, për të çelur vitin, duke diskutuar për sfida dhe për të vënë disa piketa rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore që do duhet të merremi bashkarisht. Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështrë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të komunitetit, të territoreve  dhe që na përballi me sfidën e emergjencës, në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë, zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen në gjuhën e përditshme si ngërçe në fluksin e qarkullimeve të ajrit dhe krijojnë reshje shiu dhe dëbore me intensitet shumë të lartë.

Në këto kushte, nuk ka shumë për të bërë në përballimin e intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë që lidhen me njeriun dhe pamë sesi kjo situatë u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar apo si vizitor shqip folës kryesor, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin shishe plastike në rrugë, që e konsideron këtë vend si landfill dhe hedh shishen e zbrazur të ujit, të pijes alkoolike dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku lidhet edhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës dhe ujërave nga këto situata, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër, në disa pika të tjera, ku pavarësisht punës së bërë dhe kemi raportin e përditësuar të ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar të gjitha. Kryetarja e bashkisë Durrës më çoi video, se si po mbushej pika kyçe në Shkozet pasi u pastrua. Kur gjendemi para kësaj situate agresioni të mbetjeve të plastike, që është ndikimi i njeriut, duhet të angazhohemi për të marrë ofensivë të përbashkët, të rrisim ndjeshmërinë, të krijojmë për ta vënë në kontroll këtë faktor. Ajo që ndodh me plastikën, derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar, nuk është krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. I kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një Task Force, për të konceptuar një plan me 3 faza, të përbashkët, që nga sensibilizimi, tek veprimi në shumë dimensione.", theksoi ai.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët në Golem: Task Forcë kundër ndotjes plastike! Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese, fondi 20 mln euro