EKSKLUZIVE/ Plani sekret i
Zogut për rrëzimin e Hoxhës

EKSKLUZIVE/ Plani sekret i<br />Zogut për rrëzimin e Hoxhës
TIRANE - Emri “apple” apo “mollë” nuk lidhet vetëm me kompaninë e famshme amerikane të kompjuterave, telefonave ajfoun, etj. Rreth viteve 1950 ai është përdorur sie emër-kod për një ndër operacionet e planit anglo-amerikan për rrëzimin e qeverisë Hoxha, të koduar përgjithësisht OBOPUS/BGFIEND. dhe pikerisht, infiltrimi në Shqipëri i një grupi oficerësh të ish-Mbretit Zog për të vëzhguar gjendjen në terren dhe për të përgatitur përmbysjen e regjimit të Hoxhës.
Sipas legjendës së përhapur gjerësisht, shërbimi i fshehtë shqiptar u njoftua për planin në fjalë prej agjentit të dyfishtë, Kim Philby, ish –punonjës i shërbimeve britanike, i cili u kalonte informacionet shefave të tij të fshehtë në Moskë, dhe këta të fundit njoftonin Tiranën.

Mirëpo sipas studiuesit Ferdinand Dervishi, që i referohet kujtimeve të Pilo Shantos, kjo rrëfenjë është kundërshtuar më vonë nga eksponentë të Sigurimit të Shtetit, sidomos në lidhje me Radiolojën “Liqeni Vajkal”, ku siç dihet, grupi i Zenel Shehut u kap dhe u vu në shërbim të qeverisë shqiptare për një kohë relativisht të gjatë. Sikurse sqaron me të drejtë Dervishi, grupi i Shehut hyri në Shqipëri me 1 maj 1952  në rrethin e Korçës nga kufirin grek, dhe pak diitë më vonë, me 5 maj,  mbërriti në malesinë e Gramshit dhe mandej, me 25 maj, në Martanesh.

Dokumentet amerikane – pjesë të të cilave ka botuar për here të parë edhe Auron Tare - hedhin dritë gjerësisht për këtë operacion, i cili nga ana amerikane, sikurse thamë, u quajt “Apple”, apo “Molla”. Sipas dosjeve përkatëse të deklasifikuara, nismëtar për operacionin fatkeq “Molla” ishte vetë ish-Mbreti Zog.  Ishte pikërisht ai që hodhi idenë, siguroi dhe bindi njerëzit e vet që të shkonin në Shqipëri. Në verën e vitit 1951 Ahmet Zogu u ndodh për një vizitë private në SHBA. Sikurse dihet, gjatë kësaj vizite, - e para e tij në kontinentin e ri - ai bleu edhe një shtëpi në rrethet e Nju Jorkut. Natyrisht që ish-mbreti shfrytëzoi rastin për t’u takuar me zyrtarë të lartë amerikanë.

Në gjyqin special të dhjetorit 1953 të Zenel Shehut në Tiranë ky i fundit deponoi se Zogu kishte takuar në Washington Gjeneralin MacArthur, Senatorin Tufts “dhe një person tjetër”.  Emri i zyrtarit amerikan i cili u takua me Zogun dhe diskutoi operacionin “Molla” ende mbahet i fshehtë. Në dokumentet amerikane jepet vetëm funksioni i tij si “Chief, EE-q1”, që ndofta ishte “Shefi, East-Europe, 1”. Zyrtari amerikan pati gjithsejt tri takime me Ahmet Zogun: i pari në Washington me 17 gusht 1951; i dyti në Nju Jork me 30 gusht 1951, dhe i treti, besojmë po në Nju Jork me 12 shtator 1951.
 
BISEDA E 17 GUSHTIT 1951 NË HOTELIN MAYFLOWER
 
Takimi ku u diskutua për herë të parë operacioni “Molla” u mbajt në 17 gusht 1951 në Hotelin e famshëm “Mayfloëer” në kryeqytetin amerikan, në suitën private të Ahmet Zogut.  Eshtë me interes të theksohet se gjatë qëndrimit aty, Zogu do të strehohej pikerisht atje ku kishte ushtruar veprimtarinë diplomatike për shumë vite me rradhë vetë Faik Konica, Ministri shqiptar në SHBA.

Sipas zyrtarit në fjalë, qëllimi i takimit ishte për të marrë informacion dhe për të mësuar mendimet e ish-Mbretit “në lidhje me organizimin e një kryengritjeje për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri”.  Sikurse del gjatë bisedës, ky nuk kishte qenë takimi i tyre i parë, pasi të dy personazhet duket se e njihnin njëri-tjetrin, sepse diskutuan edhe interesin e përbashkët për skermën.  Në bisedë. Zogu përmendi edhe “aktivitetet e tij gjatë Luftës I Botërore dhe bllokimin [detention] që iu bë atij nga Perandori austriak në Vienë”. Nuk mund të spekullojmë se pse Zogut iu desh të përmendte vitet e tij në Vienë gjatë kësaj bisede që do tê ishte zanafilla e ngjarjeve mjaft dramatike, madje tragjike për fatin e personave të përfshirë, por sidomos për thellimin e mosbesimit në raportet e Tiranës zyrtare me SHBA-në.

Sipas raportit prej 6 faqesh të zyrtarit amerikan, ky i fundit u hodh në temë duke i thënë ish-Mbretit se “do të isha tejet i interesuar për të mësuar për idetë e tij lidhur me mënyrën më të mire pêr të sendërtuar një revolucon në vendin e tij”.  Menjëherë Zogu shprehu dëshirën e madhe për ta diskutuar këtë çështje, duke theksuar se e kishte vrarë mendjen për një kohë të gjatë për këtë gjë dhe, “sikurse kishte përmendur në biseda të përparshme” - mënyra më e mirë do të ishte që të paraqitej si “revolucion spontan që ka plasur brenda Shqipërisë”. Ai mandej përcolli një skemë të përgjithshme se si do të duhej të zhvillohej aksioni:
Së pari, Zogu mendonte se duhet “të përmirësohej dhe të ngrihej morali i popullit shqiptar”, si dhe “të sigurohej neutraliteti i vendeve fqinje”.  Që të përmbushej kjo, Zogu kërkonte nga SHBA që (1) të deklaronin botërisht dhe vendosmërisht ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë.  Nëse vendet fqinje kishin pretendime territoriale, këto “duheshin bërë nëpërmjet mekanizmit të OKB-së për rregullimin e këtyre mosmarrëveshjeve”; (2) të siguronin deklarata nga Greqia, Jugosllavia dhe Italia ku ato të angazhoheshin se nuk do ta sulmonin ushtarakisht Shqipërinë, dhe në rast pretendimesh territorial, këto të rregulloheshin nëpërmjet mekanizmit të OKB-së.

Duket qartë se Zogu, sa ishte i interesuar për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, ishte po aq i shqetësuar për rrezikun e shpërbërjes së vendit të tij. Nëse ky shqetësim qëndronte, prapëseprapë, nuk kuptohet se pse ai përmendte “mekanizmin e OKB-së”, ndërkohë që si ish-kryetar i shtetit shqiptar, duhet ta kishte të qartë se brenda Mbretërisë së tij nuk kishte patur asnjë mm katror truall të huaj. Ndofta  këtë ish-Mbreti e ka përdorur si zbukurim diplomatik i bisedës, ndërkohë që nuk përjashtohet që angazhimi i OKB-së mund të ketë qenë i nxitur edhe nga bashkëbiseduesi misterioz amerikan. Duhet të theksojmë se në asnjë rast nuk del se Zogu dhe bashkëbiseduesi i tij bisedonin me përkthyes. Duke patur parasysh se njohuritë e Zogut në gjuhën angleze kishin qenë, të mangëta, të paktën deri në largimin e tij nga Shqipëria, ka të ngjarë që bashkëbiseduesi amerikan të njihte mirë gjuhën shqipe.
 
Më tej, Ahmet Zogu u përqëndrua në aspektin operacional të planit. Sipas dokumentit, përgatitje konsistonte në hartimin e planeve, grumbullimin e materialeve dhe pajisjeve ushtarake, rekrutimi i personelit që do të ndërhyjë nga jashtë, dhe përgatitje e terrenit nga brenda. “Mbreti, theksohet në dokument, është gati të marrë pjesë në çdo aspekt të operacionit, me kusht që Shtetet e Bashkuara të mbështesnin projektin.” Së pari, ai mund të planifikonte dhe ta drejtonte vetë të gjithë operacionin; së dyti, ai mund të bashkëpunonte me amerikanët për hartimin e planit dhe mund ta drejtonte operacionin me ndihmën e vëzhguesve dhe këshilltarëve amerikanë; ose ai do të pranonte planet e amerikanëve dhe të punonte nën drejtimin  e tyre.  Sa i takon operacionit, ai mund të paraqitej si lëvizje çlirimtare shqiptare e udhëhequr nga Zogu, ose si lëvizje e udhëhequr nga Komiteti Shqipëria e Lirë, ose si lëvizje e cila do të ishte tërësisht sekrete, dhe për të cilën Komiteti do të informohej më pas.  Zogu theksonte se personeli i oficerëve të tij ishte i përshtatshëm për planifikimin e duhur, dhe se ai mund të rekrutonte deri në dhjetë mijë burra po qe se do të ishte e nevojshme.
 
IDEJA PËR DËRGIMIN E GRUPIT NË SHQIPËRI
 
Pasi të hartohej plani i përgjithshëm. “Mbreti” – sikurse i referohet Zogut bashkëbiseduesi amerikan - u shpreh se e ndjente të nevojshme të përgatiste terrnin në Shqipëri duke dërguar atje katër ose pesë oficerë. Sipas Zogut, misioni i  tyre do të ishte rinkonjicioni i shpejtë i vendit dhe vendosja e kontakteve në ushtri e tek disa individë të besuar. Por se cilët ishin këta individë “të besuar” dokumenti nuk përmend asnjë të dhënë.  Në fakt. këtu fillon edhe drama apo tragjedia e operacionit “Radioloja” të Sigurimit të Shtetit.

Sipas Zogut, oficerët e tij mund të shoqëroheshin edhe nga një ose dy vëzhgues amerikanë, nëse dëshirohej një gjë e tillë. Sipas tij, njohja e gjendjes në terren do të kërkonte një muaj ose 6 javë , dhe kjo kohë do të shërbente edhe “për t’u shpjeguar detyrat në përgjithësi drejtuesve të ndryshëm brenda vendit që të ishin të qartë kur të merrnin instruksionet e duhura”. Zogu shtoi se, pasi misioni i grupit të ngushtë të oficerëve të dilte nga Shqipëria, do të nevojitej rifreskmi apo rishikimi i planit, mbështetur në informatat që oficerët do të kishin marrë në terren.

Zogu mandej përmendi se aspekti i pajisjes me armatim, radiokomunikacionit, dhe i transportit, do t’i lihej në dorë amerikanëve. Zogu përmendi se, që operacioni të ishte i suksesshëm, do të nevojiteshin rreth 25-30,000 burra, dhe, sipas tij, dy të tretat e kësaj force do të ngrihej dhe furnizohej si pasojë e “dezertimeve” nga ushtria apo sigurimi vendas.

Zogu theksoi se ishte “absolutisht thelbësore” uniteti i mbarë forcave anti-komuniste dhe se ai do të inkurajonte që të gjithë udhëheqësit në emigracion të ktheheshin në Shqipëri sapo të plaste kryengritja. Kjo do të mundêsonte që këta udhëheqës të mblidhnin rreth vetes të gjithë mbështetësit e tyre. Ndërkohë, të gjitha partitë politike në emigracion duhej të ndërprisnin veprimtarinë politike dhe të bashkonin përpjekjet për përmbysjen e regjimit. 

PLANI I KRYENGRITJES SIPAS FAZAVE
 
Sipas Ahmet Zogut, plani për përmbysjen e regjimit komunist do të kalonte në këto faza:
1.         Deklaratat nga SHBA, Greqia, Jugosllsavia e Italia lidhur me politikën e tyre ndaj Shqipërisë;
2.         Hartimi i planit operacional;
3.         Grumbullimi i armatimit dhe municionieve për 10,000 burra;
4.         Stërvitja e personelit të radiokomunikimit;
5.         Udhëtimi i rikonjicionit në Shqipëri i oficerëve të Zogut;
6.         Vendosja e një force klandestine në Greqi ose vende të tjera “prej nga kjo mund të hynte në Shqipëri”. Mbreti këtu theksoi preferencën e tij që bandat të kapërcenin kufirin grek dhe, sipas tij, “bashkëpunimi i grekëve në ndërmarrjen e operacionit shqiptar ishte thuajse thelbësor”.
7.         Pas plasjes së revoltës së hapur, në vend do të hynin agjentë klandestinë, Operacioni do të fillonte me disa atentate të kryera prej personash brenda qeverisë shqiptare që ishin ende besnikë të Mbretit Zog;
8.         Futja në Shqipëri, nga ajri ose nga toka, e një force të vogël ushtarake shqiptare të kryesuar nga vetë Mbreti Zog dhje stafi i tij, të pasuara nga anëtarët e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe grupe të tjera që duan të marrin pjesë në “revolucion”. Në këtë fazë nga ajri do të hidhen armë për të furnizuar njësitë guerile sipar marrëveshjeve të kryera nga agjentet klandestinë paraprakisht. Priteshin po ashtu dezertime nga forcat e ushtrisë komuniste.
9.         Pas përfundimit tê fazës ushtarake, do të mund të fillonte veprimtaria politike e anëtarëve të Komitit Kombëtar dhe politikanëve të tjerë. Në këtë fazë, Mbreti Zog do të ftonte OKB-në që të dërgonte përfaqësuesit e vet për të siguruar që formimi i qeverisë së re shqiptare të kryehej “sipas planeve demokratike”.
 
SHQETËSIMI NDAJ BRITANIKËVE  DHE FRIKA E ZOGUT
 
Ish-Mbreti shqiptar nuk ngurroi t’i shprehë bashkëbiseduesit amerikan dyshimin e tij për rolin e britanikëve.  “Në lidhje me Greqinë, - shton dokumenti – Mbreti shprehu frikën se britanikët mund të kenë lidhur njëfarë marrrëveshje sekrete për t’iu lejuar grekëve  që të pushtojnë Shqipërinë e Jugut në këmbim të heqjes dorë nga pretendimet ndaj Qipros.”  Ai shtoi se besonte se SHBA kishte autoritetin e duhur nëpërmjet ndihmës ekonomike që të detyronte Italinë, Jugosllavinë dhe Greqinë që të bënin deklaratat e duhura në favor të integritetit të Shqipërisë.

Zogu mandej shtjelloi idetë e tij për ngritjen e një fronti anti-komunist pan-Ballkanik, duke shprehur habinë e tij për përçarjet e mëdha që kishte hasur në bisedat e tij me grupe të ndryshme politike të mërgatës jugosllave.
Në fund Zogu e njofti bashkëbiseduesin amerikan me një “sekret personal” lidhur me arësyet që e shtynin atë të kërkonte ndërmarrjen e një veprimi të tillë në Shqipëri në ato momente. Sipas tij, lufta midis lindjes dhe perëndimit tashmë ishte e pashmangshme, dhe duke qenë se Shqipëria teknikisht ishte në bllokun komunist, pas luftës do të përfundonte në krahun humbës. Rrjedhimisht,  Shqipëria do ta kishte të vështirë të ruahte integritetin territorial ndaj pretendimeve të Jugosllavisë dhe Greqisë, duke parashikur se këto të fundit do të ishin kundërshtare të bllokut sovjetik. Prandaj ai theksonte se Shqipëria duhet të ishte në krahun aleat kundër bllokut sovjetik para plasjes së konfliktit, dhe kësisoj të rreshtohej në fund në krahun fitimtar, dhe jo atë humbës.

Në fund, Zogu e ftoi bashkëbiseduesin misterioz amerikan ta vizitonte sërish dhe madje të ishte mik i tij qoftë në hotelin e tij në Nju Jork, ose në shtëpinë e tij në Aleksandri, Egjipt.

Koha u rrëzoi parashikimet e ish-Mbretit të Shqipërisë.  Edhe pse dokumenti tregon interesimin e sinqertë të Zogut për fatin e vendit, ai nxjerr gjithashtu në pah mosnjohjen e realitetit shqiptar nga ana e tij, ndofta edhe për shkak të largimit të tij 13 vjet më parë nga atdheu. Mosnjohja e Mbretit Zog si përfaqësues i ligjshëm i qeverisë shqiptare në mërgim nga qeveria britanike gjatë Luftës II Botërore ndikoi në mënyrë thelbësore në  zhvillimet e brendshme në Shqipëri pas lufte. Roli i tij erdhi e u venit gjithnjë e më shumë, pavarësisht nga përpjekja për t’u rikthyer në faktor në kuadrin e planeve për përmbysjen e regjimit komunist.

Vijon....

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Strategjitë e kandidatëve për president pas debatit

Strategjitë e kandidatëve për president pas debatit