Por me një siguri matematikore, Polovina pohon edhe se takimi mes Titos dhe Mehmet Shehut në bordin e transoqeanikut "Queen Elisabeth", në vitin vitin 1960, nuk ka ndodhur kurrë dhe se asgjë nuk e justifikon akuzën e rëndë të përftuar nga "tabloja sinoptike" e Hoxhës në 1982, se ish-kryeministri shqiptar kishte qenë një "poliagjent". Gjithçka e bazon në fakte e dëshmi historike, por edhe në instiktin e tij analitik, si njohës shumë i stërholluar i karaktereve, kohës dhe çështjes për të cilën ka marrë përsipër të flasë.
Ndërsa e mbyll me planet e tij të ardhshme letrare e publicistiske, një pjesë e të cilave do të njohin shumë shpejt dritën e botimit, pohon më parë mendimin e tij në lidhje me çështjen e Kosovës( demonstratat e 1981), pohimet e ish-ministrit të jashtëm Nesti Nase, atij të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti etj, sigurisht në kontekstin e dosjes "Shehu", dhe dekonstrukton me forcë edhe mendime e pohime që janë marrë të mirëqena për realitetin e djeshëm e të sotëm, duke na sjellë edhe detaje rrënqethëse mbi fundin e disa ish-pushtetarëve që i ngërtheu me vete dosja "Shehu". Trajtuar në pika të veçanta, ky numër përpiqet të shtjellojë këto çështje:
1. Cila do të ishte Shqipëria "ndryshe" me Mehmet Shehun?
2. A u takua vërtetë me Titon Shehu në në "Queen Elisabeth", në 1960?
3. A kishte gjasa që Shehu të ketë qenë agjent apo poliagjent?
4. Cila ishte domethënia e shprehjes" "Po vdes i pafajshëm" në letrën e Shehut për Hoxhën?
5. Cili ishte roli i Shehut dhe Alisë në lidhje me çështjen e Kosovës?
6. Përse u eliminua Llambi Ziçishti dhe çfarë ishte i detyruar të thoshte Nesti Nase?
* * *
-Pra, ju jeni i bindur se me Mehmet Shehun në krye nuk do të kishte kurrë një Shqipëri "ndryshe".
-Që me të në krye do të kishte një Shqipëri "ndryshe" i pari në historinë tonë, pra shumë më herët se gazetat dhe ekranet e pas vitit 1990 të mbusheshin me rrëfime dhe interpretime personale se të paktën Shehu ishte njeri i amerikanëve dhe do të bënte siç do ta urdhëronin ata, ka qenë vetë Enver Hoxha. "Tabloja sinoptike" vetëm këtë mision ka pasur, djallëzimin e tij në atë kohë. Për pasojë, kur ai regjim u përmbys, kjo shkaktoi, si në çdo bumerang, efektin e kundërt: ëngëllizimin e Mehmet Shehut.
Por më lejoni të mos ndalem këtu, jo vetëm se lexuesi di shumë, por edhe sepse unë vetë jam i ngopur me zbrazësinë e kësaj loje dritëshkurtër politike, pra që Shehu ishte njeri i SHBA-së dhe do ta shndërronte Shqipërinë në një demokraci. Siç citova më lart një librin tim të para tri viteve, "Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia", aty përshkruaj dhe hetoj 42 ditë të kryeministrit, të pabëra kurrë publike, gjatë udhëtimit dhe pjesëmarrjes së tij, në shtator-tetor 1960, në mbledhjen vjetore të OKB-së. Tek "Tabloja...." Hoxha e akuzon se pikërisht gjatë udhëtimit detar për në Nju Jork, Shehu ishte takuar me Titon në transoqeanikun britanik "Queen Elisabeth".
Po ashtu, një i quajtur dokument tepër sekret i CIA-s, i gjetur, sipas versionit zyrtar punist të tetor-nëntorit 1986, në arkivin e ambasadës së SHBA në Buones Ajres, kërkon të provojë një takim agjenturor të tij në Nju Jork me këtë shërbim të fshehtë. Në libër paraqes dokumente arkivorë dhe dëshmi të shumta mbi atë se çfarë bëri në kryeqytetin amerikan, përditë e pothuaj orë pas ore, Mehmet Shehu, por nuk mbaj një qëndrim timin.
Tani po e them: Shehu jo vetëm nuk ka pasur asnjë kontakt agjenturor në Nju Jork dhe asnjë afrim me Titon në vapor apo gjatë mbledhjes së Kombeve të Bashkuara, por nuk ka asnjë gjasë të jetë agjent dhe ca më pak poliagjent. Politikanët e rëndësishëm nuk kanë nevojë të jenë spiunë. Ata janë tepër të vetëstërvitur që të mos i kenë këto "skelete në dollap". Ata janë mjaftueshëm inteligjentë, që pa u kompromentuar, pra pa lënë firma, të bashkëpunojnë përkohshëm me interesa shtetesh të tjerë.
Ja pse spiun folklorik me radiomarrëse-dhënëse në shtëpi dhe antenë të futur në oxhak, si në filmat për pesë lekë, e përshkroi vetëm Enveri. Të tillë ai e bëri jo se qe njeri i paditur, por për të përballuar nevojat imediate të efektit të vetëvrasjes së papritur të Mehmet Shehut. Me vetëdhënien e jetës për partinë dhe marksizëm-leninizmin, për të vërtetën e tij, ky e kishte sfiduar, mospyetur, mosbindur, anashkaluar, shpërfillur. Deri në mbyllje të asaj letre-testament, përherë duke iu drejtuar me "ju", Shehu vendos, si gurë të rëndë, lutjen e tij të fundit: "Amanet familjen time, Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë thoni se "Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!", ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s'mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s'vdes kurrë. Po vdes i pafajshëm".
"Po vdes i pafajshëm"!? Kujt ia thoshte ai këtë? Enver Hoxhën duhej ta pyesje edhe kur duhej e si të vdisje. Prandaj, i fyer që nuk i mori leje as për të ikur në atë botë, kundërveproi për ta përbaltur. I kishte bërë presion të pandërprerë për tre muaj me radhë dhe e dinte fare mirë që një gjendje e tillë mund të shkaktonte depresion tek ai. Qe akoma i gjallë rasti i Nako Spiros, kur agjentët jugosllavë ia programuan presionin me një dokument antienverist që ky pati lënë në Beograd dhe i drejtuan, pa i përlyer duart drejtpërdrejtë, vetëvrasjen. Njëri prej tyre, madje, prej një dritareje përballë zyrës së Nakos, ndoqi dhe pa edhe vetështirjen me armë. Pastaj u largua dhe raportoi. Në spital, më pas, ndërsa qenë mundësitë t'ia shpëtonin jetën, jo vetëm telekomanduesit sllavë, por edhe jo pak politikanëve shqiptarë, me në krye Hoxhën, ia deshën interesat që i tejzgjuari dhe cmirëmadhi Nako Spiro, të jepte shpirt.
Enver Hoxha, mendoj, ia bëri presionin shtypës Mehmet Shehut, mbase jo për ta shtrënguar të vetëvritej, por që ta ulte përfundimisht kokën e tij kryelartë dhe të hiqte dorë nga pretendimi se gjallë apo vdekur i takonte vendi i pasardhësit. Duket, prej teprisë së presionit, gjendja i doli nga duart. Hoxha, po ashtu, e dinte se që në vitet e para të pasluftës Mehmet Shehu pati shkuar ndërmend dhe tentuar edhe dy vetëvrasje të tjera. Si është e mundur, vërtet, që në mbrëmjen e vonë të 17 dhjetorit, megjithëse autokritika e fundit e kryeministrit qe plot 39 faqe dhe me pranim të plotë të fajit politik, ia quajti atë "alibi"? Kjo fjalë nënkuptonte më e pakta se gjithçka Shehu e kishte bërë qëllimisht për të krijuar një vijë politike paralele, çfarë do të thoshte dënim me vdekje. Këtë mesazh mori, vërtet, kryeministri atë natë? Kjo iu dha posaçëisht, siç të qe, për të vendosur si të vepronte, dhënia e një ampule helmi apo doreze pistolete? Në letrën e tij Shehu përgjegjësinë e vetëvrasjes ia lë shefit të tij ("Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s' më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë").
-A kanë mbetur elementë dyshimi për të cilat ia vlen akoma të diskutojmë, se Mehmet Shehu u vra edhe për këmbënguljen tij për të çliruar Kosovën, siç lakohet sot këndej e matanë kufirit?
-Prej disa vitesh kam mbledhur materialin e mjaftueshëm, ku përpiqem ta provoj këtë, por radha e shkrimit të këtij libri ende nuk ka ardhur. Pa e zbuluar lëndën, ju deklaroj se Shehu u shty në vetëvrasje edhe për çështjen e Kosovës. Ju kujtoj se për demonstratat e Kosovës të marsit 1981, është prononcuar disa herë edhe dëshmitarja e vetme ekstra që ka mbetur, Nexhmije Hoxha. Po të dëshmonte gjithçka di dhe pa fshehur gjë, do të qe një kontribut. Mirëpo së fundi ajo shprehu habinë për disa gjëra që po dëgjonte dhe nuk i kishte ditur më parë. Bëhet fjalë për një rol të qartë të Tiranës në përgatitjen e asaj gjendjeje që u manifestua me demonstratat e marsit.
Në materialin që kam mbledhur, Mehmet Shehu (bashkë me Kadri Hazbiun), kanë protagonizëm të dukshëm. Mirëpo, njëlloj si zonja Hoxha, edhe Ramiz Alia në librin e tij "Jeta ime" nuk e pranon këtë ndikim apo, po e quajmë "organizim nga brenda". Fillimisht të bën përshtypje se në 510 faqe të librit, kësaj ngjarje tepër të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, Alia i kushton vetëm më pak se dy të tilla. Sidoqoftë, pohon se "Udhëheqja shqiptare i vlerësoi së tepërmi demonstratat kosovare dhe i trajtoi me shumë kujdes e përgjegjësi zhvillimet dhe pasojat eventuale që mund të shfaqeshin më tej...Kishte mundësi që autoritetet serbe, të fillonin ndonjë aksion hakmarrës kundër kosovarëve, një terrorizëm shtetëror kundër shqiptarëve. Por gjithashtu, kishte mundësi që ky terror të shndërrohej edhe në një sulm të organizuar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Të dyja këto mundësi, udhëheqja e Partisë i diskutoi dhe, për të dyja rastet, mori masat përkatëse duke vënë në lëvizje forcat e armatosura. Sepse vendi ynë nuk do të qëndronte indiferent nëse në Kosovë plaste terrori serb dhe kosovarët do të rrëmbenin armët për t'u mbrojtur, ashtu siç do të ishte kurdoherë i gatshëm, për të ruajtur me vendosmëri paprekshmërinë e kufijve të atdheut tonë".
Siç e shihni, Ramiz Alia deklaron për një rol shqiptar për të mos u përzierë më parë, por thjesht më pas. E siguroj lexuesin se Mehmet Shehu "ka dorë" edhe më parë. Si dhe pse, nuk po shkoj më tej, por po kthehemi tek akuza për këtë çështje që iu montua në mungesë, në gjyqin kundër Kadri Hazbiut. Qe ish-ministri i Jashtëm Nesti Nase, i burgosur tashmë, që ia bëri. Ai shqiptoi para trupës gjykuese: "Në vitin 1981, kur ndodhën ngjarjet tragjike në Kosovë, kur tanket dhe forcat serbomadhe ushtarake, me topa e avionë, shtypën, gjakosën, vranë e prenë vëllezërit tanë në Kosovë, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, përpiqeshin me këtë mënyrë, që jo vetëm ta pengonin këtë lëvizje, këtë revoltë të gjithë popullit të Kosovës, por donin që nëpërmjet formave të ndryshme, të arrinin të ndryshonin edhe ngjarjen në Shqipëri, gjë që pikërisht, është dhe qëllimi final i organizatës kundërrevolucionare. Pra, marrja e udhëheqjes, rrëzimi i pushtetit dhe ndërrimi i kursit të politikës në vendin tonë". Po ashtu Nase, nën pranga, tha: "Në vitin 1981, në qershor, më thërret Mehmet Shehu në zyrë. Vajta për disa çështje që kishin të bënin me disa ndryshime që do të bëheshin në ambasadorët tanë jashtë vendit.
Se, sipas rregullit, duhej të merrej edhe mendimi im. I them: 'Kemi ndërmend që të bëjmë këto ndryshime…! Jo, ndryshime tani nuk do të bëjmë, ndryshime të mëdha do të bëjmë pas kongresit thotë - dhe ti e shikon, thotë, që gjendja tek ne është bërë e padurueshme me qëndrimin që po mban Sekretari i Parë (Enver Hoxha) lidhur me ngjarjet në Kosovë. Më pas vazhdoi: Është vënë në rrezik ekzistenca e Shqipërisë, prandaj duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të ndryshojë kjo gjendje. Dhe filloi të më shpjegojë, domethënë, si të thuash, për gjendjen që ishte krijuar dhe problemet që kishin dalë dhe si bëhej e domosdoshme, që me hir ose me pahir, kjo gjendje duhet të ndryshojë. Këtë Mehmeti ma tha në qershor të vitit 1981, duke më theksuar në mënyrë të veçantë, që, "për këto probleme që po flas me ty tani, kam biseduar gjerë e gjatë me Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun".
Nesti Nase ka gënjyer nën shtrëngim. Një të njohuri të tij, kur doli nga burgu, i pati thënë se nën pranga nuk mund të qe hero. Në Ministrinë e Jashtme e mbajnë akoma mend si burrë të qytetëruar, korçar fin, por edhe diplomat të saktë. Ndërkohë, po të shohësh arkivin e këtij institucioni, kupton se ai qe edhe shumë i dhënë pas Partisë së Punës, ndonjëherë duke anashkaluar raportin me profesionin. Sigurisht, atë kohë Nase e donte Enver Hoxhën dhe u arrestua vetëm për ta dhunuar që ta akuzonte Mehmet Shehun se kishte sabotuar përpjekjet e PPSH-së për të shpëtuar nga zgjedha shqiptarët e Kosovës.
Është një përdorim i pacipë i çështjes kombëtare. Informojmë lexuesin se pasi e hoqën, nën sulm kritikash, nga detyra e Ministrit të Jashtëm, e mbajtën pak kohë aty, në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare. Pinte cigare pa fund në zyrën e vet në katin e parë dhe priste ta arrestonin. Tufa e pranguesve erdhi një mëngjes, u thanë të gjithë diplomatëve të atij kati të futeshin nëpër zyra e të mos dilnin, i hodhën batanijen në kokë dhe e futën në "Gaz". Nuk kishte fëmijë. E shoqja, prej tronditjes, fillimisht u përpoq të vetëdigjej. Kur nuk ia doli me këtë mënyrë, u vetëvar në dhomë. Pas viteve të gjata të burgut, Nesti Nase jetoi tek një nipi i tij, sepse edhe shtëpinë e jo më veshjet e trupit, ia kishin marrë.
Kështu romaneskja "Tabloja sinoptike" kushtoi shumë jetë. Ishte masakra më e madhe e dekadës së purgës enveriane.
-Në të vërtetë, sipas jush, cilat qenë arsyet e këtij "spastrimi" të pamëshirshëm mes të vetëve?
-Pushteti personal, asnjë arsye tjetër. Kjo pyetje është bërë vazhdimisht edhe për të njëllojtin veprim nga Stalini. Purga e madhe shqiptare me vrasje fizike nuk ndodhi kur ngjau i ashtuquajturi Plenumi i Katërt, dënimi i "shfaqjeve borgjezo-revizioniste" në fushën e kulturës, pranverë 1973, por pas dhjetorit të atij viti, kur Enver Hoxhës i ra, krejt papritur, infarkti i rëndë i zemrës. "Pastrimin" pas kësaj e kreu për të shfarosur të gjithë emrat e grupet e mundshme, që në një rast tjetër të ngjashëm, do ta bënin të pafuqishëm dhe rrëzonin, në mos edhe ta vrisnin. I zhduku më pëpara. Duhet thënë se në këtë kasaphanë ishte tepër metodik dhe gjithçka e kreu në kohën e duhur.
-Mihallaq Ziçishti, më premtuat të jepni një mendim.
-Do të vritej patjetër edhe ai, jo thjesht se pati shqiptuar në morg, kur pa kufomën e Mehmet Shehut, se e kishin vrarë. Ai u likuidua jo për këtë, por sepse në gjyqin kundër Kadri Hazbiut formuloi akuzat (gënjeshtrat) kryesore për të "provuar" se ky ishte spiun jugosllav dhe sovjetik, si edhe krahu i djathtë i "poliagjentit" Mehmet Shehu. Tregoi dhe "ngjarje" konkrete, si të thuash paraqiti "dokumente". Ato ia kishin imponuar. Që të mos e tregonte më pas të vërtetën, e shfarosën. Pjesë tepër e rëndësishme e skemës së falsifikuar të "Tablosë..." ishte edhe Fiqirete Shehu. Çfarë nuk tha ajo kundër të shoqit, me gjoja data, persona, vendtakime. Në burg u helmua dhe vdiq.
Llambi Peçini, njeriu i parë i sigurisë së Mehmet Shehut gjatë udhëtimit të tij me "Queen Elisabeth", ku ky gjoja u takua me Titon, u vra po ashtu. Mund ta dini se edhe Kadri Hazbiu nuk u likuidua fizikisht thjesht se duhej zhdukur si ngatërrestar i nesërm në punët e trashëgimit të pushtetit, por sepse më shumë se të gjithë dinte përmasat e mashtrimit të "Tablosë..." Atë, jo vetëm e torturuan egërsisht, por kur e vranë, oficeri i lartë që e qëlloi në zverk, pa se arma e tij i hapi një gropë të madhe sikur ta kish qëlluar me antitank.
-Pas kaq vitesh reflektime të shprehura në shumë libra e dëshmi të shkruara nga ju në formën e frymëzimeve letrare, të shtyra nga realitete historike të jetuara aktivisht, cilat janë planet tuaja të afërta e ato të mesme në këtë aspekt?
-Krijimtaria ime modeste në fushën e kronikës, të rrëfimit dhe analizës, është prirë gjithnjë nga pasqyrimi i ngjarjeve më kryesore të historisë shqiptare. Tashmë kjo përpjekje ka marrë një formë dhe mozaiku i thurur vetëm po plotësohet dhe mbushet. Deri tani janë 21 libra. Nga pas nëntëdhjeta janë librat "Skafistët në top sekret", "Nano dhe Berisha", "Mig 19'97", "Kush e vrau Azem Hajdarin", "Ditari i Romës" e disa të tjerë. Për luftën çlirimtare në Kosovë në italisht kam publikuar "Homo balcanicus" si edhe në shqip "Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës" dhe "Lamtumirë kallashnikov". Këtë prill do të botoj "7 prilli i Ahmet Zogut" dhe në vjeshtë një libër për të quajturin Revolucion i Qershorit, pra edhe figurën tjetër politike të spikatur të kësaj kohe, Fan Nolin. Edhe në këto dy raste të fundit, jam kujdesur të kem interpretime dhe dokumente krejt të reja, rrëfim artistik si edhe thurje subjekti triler.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 29 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)