Ekskluzive/Rama nga Korça: 
Ja 100 ditët e para të qeverisjes

Ekskluzive/Rama nga Korça: <br />Ja 100 ditët e para të qeverisjes
KORÇË - Edi Rama në një edicion të jashtëzakonshëm të programit “5 pyetjet nga Babaramo”. Nga studio e “A1 Report” këtë herë intervista është zhvilluar live nga Korça, në sheshin qendror të qytetit, në një mjedis të hapur, pikërisht në bulevardin "Shën Gergji" afër katedrales. Rama iu përgjigj disa prej pyetjeve themelore, që lindin pas fitores së tij të mundshme në 23 qershor: Çfarë parashikon program i PS për një “Rilindje Shqiptare’? Kush është plani i qeverisjes së Edi Ramës në 100 ditët e para? Marrëveshja dhe marrëdhëniet me aleatët në koalicion? Sa mandate pretendon PS në zgjedhjet e 23 qershorit? Rama ka  theksuar se brenda 100 ditëve të para do veprohet me shpejtësi për projektin e ri të taksimit me dy nivele, duke ndarë biznesin e madh dhe biznesin e vogël apo për ata që sot jetojnë me një rrogë. Me shpejtësi për paketën e zerimit të TVSh për ushqimet bazë, heqjen e taksës 10% të ilaçeve, për uljen me 6% të faturës së energjisë familjare etj. Aiështë përgjigjur mbi procesin e legalizimeve, rishikimin e koncesioneve, panikun e biznesit nga rritja e taksave, legjendën e ujit në vend, për akuzat mbi pasurinë e tij, mbi marrëdhëniet me Ilir Metën, presidentin e vendit apo edhe me Turqinë etj.

Babaramo: Cilat do të jenë 100 ditët e para të qeverisë së "Rilindjes"?
Rama: Dua të shpreh një falenderim shumë të madh këtij qyteti dhe qyteteve rreth e rrotull tij, që sot u derdhën lumë në këtë shesh, që na dhanë një energji të jashtëzakohsme dhe një besim, që na bën të ndjehemi dhe unë veçanërisht, të obliguar dhe shumë përgjegjës. Brenda 100 ditë të para ne do të veprojmë me shpejtësi me projektin e ri të taksimit. Do të kalojmë tek taksimi i ndershëm. Tek taksimi me dy nivele, duke ndarë biznesin e madh, që di të qëndrojë në këtë nivel dhe biznesin e vogël për të cilin do të përgjysmojmë tatimin e fitimit. Ne do ta çlirojmë biznesin. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e lehtësimit të fermerëve, që me të drejtë sot kërkojnë ulje të kostos së prodhimit. Do të veprojmë me shpejtësi, për të garantuar që viti i ri të fillojë me një sistem tjetër taksimi për ata që sot jetojnë me një rrogë. Po kështu, ata që kanë një rrogë deri në 1.5 mln lekë të vjetra, do të hyjnë në një skemë të re progresive në mënyrë që këta njerëz të kursejnë diçka. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e zerimit të TVSh-së për ushqimet bazë të shportës, si dhe heqjen e taksës 10% të ilaçeve, po kështu uljen me 6 % të faturës së energjisë familjare. Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet. Ata që dyshohen për favorizime në dëm të popullit shqiptar ne do t’ i kalojmë në një proces transparence. Do të ndalojmë importin e plehrave brenda 100 ditëve të para. Do të punojnë për procedurën e legalizimeve; do ta drejtoj personalisht, jo si drejtues, por si monitorues, për t’i dhënë fund problemit me tokën. 
 
Sa i takon ngërçit ekonomik të krijuar në Shqipëri, sipas analistëve nga borxhi i shtetit. A keni një ide sa mund të jetë ky borxh dhe a keni një ide si mund ta zgjidhni?
Për këtë pjesë duhet të presim për të parë realitetin. Për asnjë arsye nuk do të kërkojmë sakrifica sublime, si ato që çuan në rrugë pa krye vende të tjera në krye të një krize financiare. Kriza jonë është e thellë, por është e lidhur me tiparet shqiptare. Ne do të gjejmë ndihmë nga partnerët tanë. Flas realisht për vende, që kanë investuar dhe ndihmuar në integrimin dhe zhvillimin e vendit.

Kryesisht vendet e huaja janë përfshirë nga kriza dhe paniku zuri dhe emigrantët shqiptarë, të cilët i sollën depozitat e tyre në vend. Kemi fluks të jashtëzakonshëm kapitalesh, ndërsa bankat hezitojnë të japin kredi për shkak të kredive të këqija. Si mundet, që këto kapitale të fjetura të gjallërojnë ekonominë kombëtare?
Do të krijojmë një këshill kombëtar me përfaqësues nga bankat dhe biznesi, si dhe figura të ekonomisë dhe mirëqeverisjes botërore. Do të gjejmë rrugët e bashkëpunimit. Duhet më shumë dëgjim, vëmendje nga qeveria dhe jo për të punuar për asfaltin elektoral të ditës.

A mendoni se legalizimi me kosto zero do të përmirësojnë situatën? A do ndërtohet një psikozë e tillë: ndërtoni, se jo vetëm që do ta legalizoni, por do ta legalizoni dhe me tarifë zero?
Mendoj se është e kundërta; duhet t’i jepet fund ndërtimeve pa leje, jo të legalizohen shkeljet, por për të mos lejuar vazhdimin e shkeljeve, duhet të vihet një pikë dhe të mbarojë kjo histori. Kjo histori nuk ka mbaruar, se politika dhe qeveritë nuk kanë dashur të krijojnë atë peshë mbi procesin, ku të thonë “stop”. Dhe gjithmonë kanë luajtur me këtë proces. Tek ky proces kanë faj të gjitha qeveritë e mëparshme. Por fajin kryesor e ka qeveria e ketyre 8 viteve dhe kryesisht kryeministri, që ka bërë akrobacira të mëdha me popullin e këtyre zonave informale. Ndiej neveri, kur e dëgjoj Saliun të harbojë përpara kamerave e mikrofonëve kundër këtij projekti, duke u thënë se rrezikohen të depërtohen, se unë jam armiku i tyre në këtë jetë. E sipas tij unë kurrë nuk do të bëj legalizimin. Këtë do ta tregojnë këto 4 vite. Unë jam zotuar solemnisht.

A mendoni se me deklaratën e rishikimit të koncesioneve krijoni panik? Dhe vini në pikëpyetje të tjerët, që do duan të vinë në Shqipëri?
Jo, sepse ky proces nuk nënkupton rishikimin e gjithçkaje që është bërë. Ne nuk paragjykojmë absolutisht kompanitë; ka kompani serioze në Shqipëri, që ne do t’i respektojmë, siç respektohet çdo sipërmarrje që investon në Shqipëri. Por ne jemi gardianët e interesit të publikut në këto koncesione. Nuk do të lejojmë të vidhet publiku, për t’u pasuruar një grup njerëzish. Problemi ynë nuk është pasuria, por varfëria. Kjo duhet të realizohet në bazë të konkurrencës dhe respektimit të të drejtave të popullit mbi pasuritë e vendit të tyre. Nëse jep një koncesion, qeveria duhet të ndjekë zbatimin me përpikëri të tyre. Dhe jo siç ka ndodhur nga qeveria aktuale. Që i shesin koncesionet dorë pas dore. Ne do të ngrëmë një komision të jashtëzakonshëm të shumicës së 23 qershorit, do t’i japim fuqinë parlamentit dhe do ta vendosim menjëherë në punë për çdo gjë që ka ndodhur me koncesionet dhe pronat e këtij populli. Këto janë akte sipërmarrjeje. Për të dalluar sipërmarrjen e ndershme nga ajo korruptive, klienteliste.

Keni indicie, se cilat janë koncensionet, që ju mendoni se nga andej duhet nisur puna për të bërë transparencën?
Këtu është një shqetësim i ngritur nga media, investitorë, përfaqësi ndërkombëtare, partnerë, BE, SHBA etj, për një ekonomi të hapur. Ne nuk do të bëjmë gjyqe, nuk do të ndëshkojmë atë që ka zbatuar ligjin dhe kontratën, po nuk do të ngurrojmë të zhbëjmë ato lidhje, që nuk kanë respektuar pasuritë e popullit.

Flasim për taksat. Përsa i takon taksës së drejtë. A mendoni se keni krijuar një lloj paniku tek sipërmarrja, nëse mendojnë se do iu rriten taksat që duhet të paguajnë? A mendoni se kjo do të frenojë investimet e tyre?
Në nuk do të vendosim taksimin progresiv mbi kompanitë. Ne jemi të bindur, që ka një padrejtësi thelbësore, sa i takon bizneseve të vogla që paguajnë taksën e sheshtë; jo të gjitha e paguajnë dhe ato janë në kushtet e një padrejtësie shkatërruese. Qëllimi ynë nuk është ta vendosim sipërmarrjen e madhe në pozitën e lopës për t’u mjelë, por ta vendosim në pozitën e partnerit. Dhe me programe dhe paketa financiare do të stimulojmë sipërmarrjen dhe rritjen e punësimit.

Kemi 20 vjet pluralizëm, kemi kaluar mbi 15 fushata dhe argumentui kryesor i fushatës mbetet uji. A mendoni që në 4 vite te realizoni, që në fushatat e ardhshme të mos përmendet më uji?
Unë nuk e kam përmendur asnjëherë vetë ujin, por vetëm kur e kanë përmendur njerëzit në këndin e fjalës, pasi me vjen turp. Sikur po i sjellim flori, jo ujë, që Shqipëria është e pasur me burime ujore. Jam i paduruar, që kjo problematikë të marrë zgjidhje. Edhe në Afrikë kam parë, që kultivoheshin zarzavate, me vaditje, edhe në ato vende ku s’kishte ujë. Ndërsa në vendin tonë kjo është penguar, jo nuk është realizuar. 
 
Ju kërkoni të përmbysni skemën e shëndetësisë. A mos është një model utopist?
Ky është model i të gjitha shoqërive demokratike, që kanë respekt për njeriun. Ka shumë studime, që tregojnë një model ofrimi shëndetësor funksional, të mundësuar për të gjithë. Kalimi në sistemin shëndetësor falas ndihmon për të mos u zhytur më thellë në korrupsion dhe borxhe. Sot Shqipëria harxhon 800 milionë dollarë dhe vetëm 8 përqind dalin nga sistemi. Pjesa tjetër del nga xhepi i atyre që s’kanë. Kur të ngrihet sistemi shëndetësor, atëherë do të bëhet një skemë e plotë sigurimi. Dhe gjithkush e di se doktori paguhet nga dikush dhe nuk ka pse t’i japë lekë doktorit. Qeveria do t’i japë autonomi spitaleve, por nuk do ketë më tenderime nga një institucion i vjetër. Sistemin shëndetësor do ta ndryshojmë radikalisht.

Ilir Meta e cilëson aventurë këtë që ju thoni?
Koalicioni do të ndërtohet mbi faktin e thjeshtë, që ne jemi dy parti, por një forcë politike dhe këtë do ta tregojmë gjatë qeverisjes sonë në koalicion. Jemi pjesë e të majtës dhe të njëjtës filozofi politike.

Funksionon normalisht koalicioni? Pasi ka deklarata për Metën kryeministër? Apo që 40% e institucioneve do t’i kalojnë LSI?
Me të, me partinë nuk kam asnjë problem. Jemi në fushatë elektorale. LSI ka të drejtën e saj të aspirojë sa më shumë vende të parlament, të ketë mandatet e saj, e nëse do dilte në përqindje më të madhe, do edhe të drejtën e kryeministrit. Marrëveshja e nënshkruar në Shkodër është një marrëveshje e mirëmenduar. Është një marrëveshje, që ka zgjatur, pasi ka vullnet të dyanshëm, për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës. Vetëm kështu nuk do ndihemi të kërcënuar nga përsëritja e historisë, me ato çka pati negative. Këto ndarjet nuk janë biseduar fare. Dhe nuk do ketë ndarje të kësaj antyre. Ne jemi dy forca dhe do qeversim vendin si një fuqi e qendrës së majtë. Me Metën jemi në komunikim të përditshëm, informojmë njëri-tjetrin, ndajme shqetësime, koordinojmë forca. Nuk jemi skandinavë, jemi shqiptarë, kemi gjithë ato gjëra që na karakterizojnë nga pikëpamja e emocioneve dhe rrëmbimeve dhe ka shumë hapësirë mes individëve dhe karaktereve. Por ka edhe konfliktualitete dhe këto janë normale.

Si do veproni me Presidentin, Shik-un, ato institucione, që janë miratuar pa votën tuaj?
Ne do të veprojmë në rrugën e nisur, pa u nisur nga na pëlqen apo s’na pëlqen. Shqipëria nuk duhet të katandisej në një situatë, ku presidenti është mustaqja e kryeministrit. Por ai është i zgjedhur dhe ne do t’i japim fund luftërave institucionale, banaliteteve, që e kthyen Shqipërinë në një arenë të përplasjeve më vulgare mes qeverisë dhe institucioneve.

Ju këmbëngulni tek taksat. Por Berisha thotë se ju nuk i paguani taksat?
Kjo është një shqifje, e bazuar në një aksion, që më ka dhënë mundësinë të shoh nga brenda atë dynja, që ha sipërmarrësit në këtë vend, kur iu qepet pas adminsutrata tatimore e Saliut. Janë njerëz, që nuk kanë haber nga puna e tyre, injorantë dhe janë kaq të zellshëm për të çuar përpara operacione të dhunshme ndaj qytetarëve, sa të ndjehesh i habitur dhe kur i di. Unë kam bërë një deklarim si herën e shkuar me postë; deklarimi është zhdukur, ka dalë pastaj në lidhjen e shkurtër, në shtab elektoral, në gazeta elektorale ka dalë lajmi. Kam bërë deklarimin online, kam deklaruar një shumë të caktuar nga shitja e “Kurban”-it dhe kam paguar një shumë të caktuar. Dhe kjo nuk besohet. Bashkë me Lindën po ndërtojmë një shtëpi, që është e veçantë. Është një shtëpi, që e kam ndjekur me vëmendje. Ku i gjeti shifrat që tregon? Këta s’dinë të lexojnë as planimetrinë. Është siç thotë Ngjela: rënie e madhe e intelektit.

Duket një situatë e qetë, pa përplasje banale.
Është një fushatë shumë e bukur kjo e jona. Një fushatë, ku mund të bësh shumë lehtë dallimin. Ana tjetër po zhvillon një fushatë të zymtë në këndvështrimin, në sy, në frymë, në vizion. I marrin njerëzit me autobusë nga një vend në një tjetër. Del nga ana tjetër mbush sheshin me autobusë nga Shkodra. Dhe mesazhi është shumë i zymtë, pa asnjë lloj lezeti, me ca shifra të fabrikuara, që nuk i kanë treguar dot ku i kanë rrugët. Këta nuk i kanë këto metrat që thonë. Thonë ja sa kemi shpenzuar për rrugët dhe rrugët nuk i kanë. Po kështu, ka shifra të tjera; 4 mld investime të huaja, spitale, shkolla. Tani kanë filluar dhe shifrat të jenë po ato, se i ka mësuar përmendësh dhe Saliu, se më parë i ngatërronte.  

A mendoni se është jo etike, që ta ndërtoni një pjesë të fushatës mbi moshës së kundërshtarit tuaj?
Nuk bëhet fjalë për moshën në kuptimin biologjik, por një lodhje në kuptimin fizik rrëshqitje nga roli dhe misioni. Nuk është rastësi dhe nuk mund të jetë meqë duke qenë një nga vendet me moshë më të re në botë, kemi një kryeminsitër me moshë mbi 70 vjeç, jetojmë në një kohë tjetër. Çështja nuk është te mosha, janë disa fjalë: gjysh, katrat, antiplumb, që lidhet me atë që ne sot jetojmë. Sot nuk ka shtet. Sot krimi ka dalë nga kontrolli; vrasje, vjedhje me dhunë, grabitje. 4 vjet më parë thoshte “i kam duart e pastra”, tani nuk i nxjerr se s’ka çfarë tregon, se i ka me padrejtësi. Është sëkëlldi për miqtë dhe partnerët tanë, kur duhet t’i referohen Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare. Sot bota demokratike mezi pret rotacionin. Ata nuk marrin pjesë në fushatën tonë elektorale, por sinjalet janë të qarta. Është një kryeministër i lodhur. 

Sa i takon marrëdhënieve me Turqinë?
Kryetari i opozitës në një vend si Shqipëria do të ishte aty ku isha unë para 4 vitesh në raport me kryeministra të tjerë, sepse ka një protokoll. E vlerësoj miqësinë, që më kanë ofruar ato personalitete që më kanë pritur.

Çfarë mendoni se do të ndryshoni në diplomacinë shqiptare në marrëdhëniet e saj me fqinjët?
Kam qenë në bashkinë e Tiranës një njeri i njohur nga kushdo dhe i respektuar. Dhe ka pasur bashkëpunime. Historia e Tiranës është një histori suksesi. Unë jam shumë krenar për atë që është bërë për Tiranë, pasi e nxori Shqipërinë nga harta se Shqipëria është një vrimë e zezë nga ku dalin kallashnikovë, armë, drogë, prostituta. Dhe ishte një zhvillim i mirë pas një periudhe të zymtë. Ne do të bëjmë ndryshim aktiv në raportet me rajonin dhe Kosovën. Do të ndërtojmë një partneritet strategjik. Është një pjesë e posaçme në programin tonë. Ne do t’u tregojmë shqiptarëve sesa shumë mund të ishte bërë dhe sa shumë mund të bëhet, nëse hapësirën shqiptare e trajtojmë si të lirë sa i takon sigurisë strategjike, ushqimore, ofertës turistike, arsimit të unifikuar, për ata që nesër do të jenë shqiptarët e bashkuar, në Shqipërinë e bashkuar dhe familjen e bashkuar europiane dhe do kemi veprime konkrete në traktatin e fqinjësisë së mirë. Dhe pa dogana dhe me një rol të ri në funksion të rajonit. Janë hedhur piketa për të përfshirë edhe qeveritë e tjera për të krijuar një model të përbashkët ekonomik, për të mos na parë më si një Ballkan që duhet mbajtur urtë e mirë, por si një vend nga vijnë programe dhe projekte, për t’i dhënë rajonit atë zhvillim ekonomik që deri sot i ka munguar. Ne kemi ndërtuar një program strategjik, ku veç Italisë dhe Greqisë kemi dhe Turqinë, në program për të rritur bashkëpunimin. Por kështu, interesantë mbeten marrëdhëniet me ShBA. Në programin tonë ka përpjekje për të intensifikuar marrëdhëniet me Gjermaninë dhe Austrinë. Janë investime të pajoshura si duhet, të panxitura si duhet. Në shumë raste janë zhgënjyer nga programe investimi apo problematike. Linja e interkonjeksionit me Kosovën është një turp i madh, edhe pse Berisha deklaron patriotizmin e tij.

Redaksia Online
(es/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën