Ishte e vështirë për nënën e 17-vjeçares së dhunuar brutalisht nga bashkëmoshataret në Fier, të rrëfente prej fillimi se çfarë kishte ngjarë. Për Report Tv, me lot në sy, ajo tregon se e bija është e traumatizuar.
Ditën e 8 qershorit, ajo priste të bijën të vinte në shtëpi pas kursit të parukerisë, por nuk e dinte që 3 vajza i kishin prerë rrugën dhe e kishin dërguar në një shtëpi duke i thënë se “Kemi për ty një surprizë”.
E ëma e të miturës tregon se të bijën shkoi e mori nga spitali, të cilën e pa me shenja dhune në fytyrë e në gjendje të rënduar emocionale.
Pjesë nga intervista
Më merr burri dhe më thotë: "Goca ishte sëmurë." Hajde, thashë, ndoshta ka kaluar diçka, si gjithë moshatarët. Shkoj për të marrë gocën, se nuk doja që të priste autobusin. Goca më vjen me vrap, e tmerruar. E shoh me serumin në dorë. I them: "Çfarë ke, moj të keqen mami? Pse je vrarë? Kush të ka vrarë?" "Hiç, asgjë", tha. "Thjesht bëra një serum dhe nga që isha vetëm në spital, u çorra."
"Po ti ke syrin të nxirë, moj bijë", i thashë. "Ti ke mjekrën të nxirë", i thashë. "Flokët e tu pse më duken kështu?", i thashë.
....tha se gjoja i kishin hapur nga këto rrjetet sociale. Pastaj më tregon: "Më dhunuan 3 goca."
"Pse moj bijë? Unë të çova për në kurs, të prisja të vije në shtëpi. Mos ndoshta i ke ngacmuar gocat?", i thashë.
"Jo moj mami", tha, "se nuk kam asgjë me gocat. Thjesht më thanë: 'Hajde me mua se kemi një surprizë'."
Thjesht shoqe rastësisht. Më duket ishte takuar një herë, dy herë mos gaboj. Ato i kishin dalë para pasi kishte dalë goca nga kursi.
"Çfarë ke moj gocë? Ç'është kjo jotja kështu?"
Aty u mërzit goca. Ishte ora 6 e pasdites. I thashë: "Të ka ndodhur diçka. Mamin e ke pranë." Filloi të qante e të dridhej.
17-vjeçarja është përpjekur ta mbajë ngjarjen të fshehtë, por më pas i ka treguar nënës së saj se çfarë ka ndodhur e më pas të dyja i janë drejtuar komisariatit të Fierit për të bërë denoncimin. Për mamanë e të miturës nuk ishte aspak e lehtë të shihte ato pamje të tmerrshme.
“Kur pashë vajzën time të dhunuar, nuk më mbante vendi më. Ndoshta dhe ato nëna nuk dinë gjë, por çdo kush ta kthejë thikën nga ana e tij. Sepse unë atë fëmijë mezi e kam rritur, e ushqej me pikat e qumështit. Ngrihet burri, ikën në orën 4 të mëngjesit në punë e të më dhunojnë mua vajzën? Nëse unë fëmijën e kam të sëmurë, unë do shkoj ta kuroj. Vajza ime nuk ngatërrohet me njeri. Është e thjeshtë, sheh punën e saj. Unë s'di gjë si ka ndodhur ky dhunim. Ndoshta mund të ketë qenë ndonjë presion më parë”, tha ajo.
Mamaja e 17-vjeçares së dhunuar tha se nuk mund të falte askënd për atë çfarë i kanë shkaktuar vajzës së saj.
Pjesë nga intervista:
-Mami i njërës nga vajzat ka kërkuar falje...
E di, por unë nuk mund të fal, se shpirti im e di sesa po e vuaj. Iki e qaj fshehurazi. Nuk qaj në sy të vajzave.
Kam një muaj që nuk fle gjumë. Goca ime po dhunohet kështu? Goca ime po ulëret? Po kërkon ndihmë, o ma? Kjo gocë po më kërkon mua ndihmë dhe nuk jam pranë saj.
Të njëjtën gjë do kishin bërë edhe ato nëna. Kap dy veta për flokësh dhe shqit. Çfarë bëri vajza ime? Ishte një kriminele?
Lajmi kryesor:
Rrahën shoqen dhe e filmuan, nën hetim tri vajzat në Fier! Arrestohet njëra prej tyre, 15-vjeçarja kishte dhunuar edhe nënën







