Presidenti Bajram Begaj po ndjek të gjitha zhvillimet lidhur me situatën e krijuar në Lindjen e Mesme. Në një reagim ekskluziv për Report Tv, Presidenca thotë se Begaj është në komunikim të vazhdueshëm institucional me të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen.
Report Tv e pyeti zyrtarisht Presidencën nëse ka menduar Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, nisur nga situata në Lindjen e Mesme, dhe rreziqet apo pasojat që mund të prodhojë në vendin tonë. Në përgjigjen ekskluzivisht për Report Tv, thuhet se kreu i shtetit ka kërkuar informacion, dhe është informuar në mënyrë të vazhdueshme, “mbi masat e marra nga institucionet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Në përgjigje, theksohet se Presidenti ka kërkuar forcimin e masave të sigurisë dhe rritjen e gatishmërisë së strukturave përkatëse, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, me fokus të veçantë te qytetarët shqiptarë që ndodhen për arsye të ndryshme në rajonin e Lindjes së Mesme”.
“Jeta e çdo qytetari shqiptar është prioritet!” – kjo ka qenë kërkesa e Presidentit drejtuar të gjitha institucioneve.
Nga përgjigjja qartazi kuptohet se në situatën aktuale, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe disa takime që presidenti ka pasur së fundi me krerë e institucioneve që përbëjnë edhe këshillin e Sigurimit Kombëtar, nuk lë hapësirë për mbledhjen e tij në këto momente.
Reagimi i plotë i Presidencës për Report Tv
Presidenti i Republikës po ndjek në vijimësi me vëmendje të shtuar zhvillimet dhe është në komunikim të vazhdueshëm institucional me të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen. Kreu i Shtetit ka kërkuar informacion dhe është informuar në mënyrë të vazhdueshme mbi masat e marra nga institucionet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Presidenti i Republikës ka udhëzuar angazhim dhe përkushtim të institucioneve, me fokus të veçantë te qytetarët shqiptarë që ndodhen për arsye të ndryshme në rajonin e Lindjes së Mesme. Presidenti Begaj ka theksuar nevojën për forcimin e masave të sigurisë dhe rritjen e gatishmërisë së strukturave përkatëse, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërinstitucional i shërbejnë forcimit të masave për garantimin e sigurisë. “Jeta e çdo qytetari shqiptar është prioritet!” – kjo ka qenë kërkesa e Presidentit drejtuar të gjitha institucioneve.
Komente












