Me 40 mijë euro e niste Elio Laze shantazhin për të fshirë një shkrim nga portali që ai drejton Priza.al. Një shifër, që zyrtarit të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror Klaus Shaqiri, i është dukur e lartë. Në negociata e sipër, gazetari Elio Laze, e ka ulur “ofertën” në 20 mijë euro, thonë burime nga grupi hetimor për Report Tv. “Gjysmat të paktën ”, mësohet të jetë shprehur pronari i portalit, tashmë i arrestuar.
Punonjësi i administratës publike ka rënë dakord për përgjysmimin e shumës së gjobës që duhej të paguante, por sërish duke mos e pasur të gjithë vlerën pra 20 mijë euro njëherazi, kërkoi që fillimisht të japë vetëm 5 mijë euro. Në këtë pikë, gazetari ka rënë dakord të marrë paratë me këste.
Kështu, Laze do duhej të hiqte nga portali i tij, një shkrim kundër tij. Lajmi, i cili rezulton të jetë ende online në faqen e portalit, i publikuar në janar të vitit 2026, nuk lidhet me punën në shtet, por me veprimtari të dyshuar të zyrtarit në fushën e platformave mashtruese të Forex. Të njëjtat burime, thonë se deri në këtë fazë, të gjitha takimet mes të dyve, janë bërë në zyrën e Elio Lazes, një apartament në kompleksin “Kika” pranë “Komunës së Parisit”, të cilin gazetari e ka shndërruar në redaksinë e portalit.
Megjithë “pazarin” e mirë, nga 40 mijë euro në fillim, në 5 mijë euro, zyrtari i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një padi dhe aty çdo veprim, është bërë në koordinim me hetuesit. Bisedat mes punonjësit në shtet dhe gazetarit drejtues të portalit janë përgjuar.
Nën mbikëqyrjen e autoriteteve, zyrtari Klaus Shaqiri, ka bërë dorëzimin e 5 mijë eurove, të cilat kanë qenë të regjistruara me numër serie nga hetuesit. Pa menduar se pas derës e prisnin punonjës të policisë së shtetit, Elio Laze, ashtu si dhe herët e tjera e priti punonjësin e administratës publike në zyrën e tij. Por sapo mori në duar 5 mijë eurot, ndërhyri policia. Dy efektive gra e arrestuan në flagrancë dhe nxorën nga apartamenti-redaksi, me pranga në duar, të enjten. Atij iu sekuestruan edhe 4 celularë.
“Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme” , njoftoi zyrtarisht policia.
Përmes një njoftimi zyrtar, policia e Shtetit tha gjithashtu se “vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”.
Burime nga grupi hetimor theksuan për Report Tv, se gazetari Elio Laze gjatë takimeve me personat që u kërkonte para për të fshirë shkrime, pretendonte se punonte me të tjerë persona, “ortakë” të tij. Ndaj dhe shumat e larta që ai kërkonte, duke nisur nga 40 mijë euro, lidheshin me faktin se do duhej të paguante edhe “ortakun”. Policia është duke hetuar nëse vërtetë ka bashkëpunëtorë të tij, apo “ortaku” i pretenduar, është vetëm një skenar i krijuar nga gazetari për të rritur vlerën e shantazhit. Të njëjtat burime thanë – se shkrimet kundër personazheve të caktuar, publikoheshin edhe në disa portale të tjerë, përveç Priza. Al, dhe se gazetari Laze pretendonte se do duhej të ndikonte edhe tek drejtuesit e tyre për t’i fshirë. Edhe në këtë pikë, po hetohet nëse edhe këto portale anonime, janë hapur sërish nga Elio Laze, për të përfituar edhe më shumë nga subjektet që ai gjobiste.
Gazetari 37-vjeçar akuzohet për veprën penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”. Të shtunën, Elio Laze pritet të dalë para gjykatës, ku burimet thanë se prokuroria do të kërkojë masë sigurie të arrestit në burg.
Gazetari Eljo Laze, është arrestuar më 28 maj të vitit 2021, pasi makina e tij u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Efektivët i gjetën në çantë një pistoletë, ndërsa rezultoi se ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Në atë kohë, gazetari pretendoi se armën ia kishte blerë një grupi të panjohurish për 200 euro, në mënyrë të pavullnetshme sipas tij, teksa ishte duke pirë hashash në zonën e njohur si “Lapidari” në kodrat e Tiranës.
Komente











Shihni edhe nje Arben Llangozi nga Lumasi Suloves,qe eshte denuar per vjedhje te kunatit te vet ne vitin 2019 me Vendim te Gjykates Elbasanit.Edhe ai merret me ksoj pislliqesh,cpifje per perfitime ne portalin Pamfleti dhe emisjonin STOP. .Inspektoriati larte i Drejtesise nuk duhet te lejoje Hajdute te denuar me Vendim te formes se prere te marrin Licencen dhe ushtrojne profesionin e avokatit. Spak duhet ti sekuestroje pasurine e fituar me gjobevenie dhe mashtrim!
Përgjigju