Një shtëpi bari, zbuluar të dielën e 2 nëntorit në Malësinë e Madhe në Shkodër, është një nga operacionet e fundit të policisë përgjatë vitit 2025 në betejën e gjatë kundër kultivimit të kanabis sativa.

Shtëpitë e barit, me përhapje gjithnjë e më të madhe, vitet e fundit, ku kanabisi kultivohet nën dritat e neoneve, janë sfida më e madhe e policisë për t’i gjurmuar. Brenda saj u gjetën të paktën 1110 bimë kanabisi, që po rriteshin mes llambash.

Përgjatë këtij viti, shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV deri në ditët e para të Nëntorit, dëshmojnë sërish një përhapje të gjerë të fenomenit, ndonëse më i reduktuar. Në total, në 12 qarqe, Policia e Shtetit, ndihmuar sërish nga Guardia di Finanza italiane, gjeti dhe asgjësoi 213,856 bimë dhe fidanë kanabis. Krahasuar me vitin 2024, shifrat janë më të ulëta, me 137,705 rrënjë e fidanë më pak.

KANABIS I ASGJËSUAR
2025:           213,856 bimë dhe fidanë
2024:           351,561 bimë dhe fidanë

Prej disa vitesh qarku i Shkodrës konfirmohet në krye të listës, me mbi 87% të rasteve të zbuluar në këtë territor, dhe një total prej 186,460 bimësh dhe fidanësh të asgjësuar. I dyti në radhë është Fieri me 9,305 rrënjë kanabis, ndjekur nga Lezha, Tirana, Durrësi, Dibra dhe Vlora. I fundit në renditje, me numër shumë të ulët rrënjësh kanabisi të asgjësuara është qarku i Korçës, me vetëm 4 bimë kanabis të zbuluara.

QARKU     TOTALI BIMË & FIDANË
Shkodër     186,460 bimë & fidanë
Fier             9,305 bimë & fidanë
Lezhë          8,123 bimë & fidanë
Tiranë         3,088 bimë & fidanë
Durrës        1,931 bimë & fidanë
Dibër          1,800 bimë & fidanë
Vlorë          1,279 bimë & fidanë
Gjirokastër  736 bimë & fidanë
Kukës          642 bimë & fidanë
Elbasan       297 bimë & fidanë
Berat           191 bimë & fidanë
Korçë          4 bimë & fidanë

Të paktën 182 persona u identifikuan si të përfshirë direkt në kultivimin e bimëve narkotike. Shumica e tyre, 141 persona, u arrestuan. Të tjerët, një pjesë janë në hetim e disa të shpallur në kërkim.

Krahasuar më vitin e shkuar ka më pak persona të implikuar, por më shumë që kanë përfunduar në pranga.

PËRFSHIRË NË KULTIVIM
2025:           182 persona  (141 të arrestuar)
2024:          184 persona (128 të arrestuar)

Gjatë operacionit të pak ditëve më parë në Malësinë e Madhe, përveç dy personave të dyshuar si autorë, në pranga përfunduan edhe 4 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në total gjatë këtij viti, për të njëjtën akuzë apo dhe moskallëzim krimi, janë hetuar 160 zyrtarë, kryetar njësie administrative, kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së, inspektorë mjedisi dhe pyjesh. Prej tyre vetëm dy u arrestuan. Një vit më parë, nën hetim përfunduan 103 zyrtarë.

ZYRTARË TË HETUAR
2025:          160 zyrtarë
2024:          103 zyrtarë