Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë skandalin e byzylyqeve, të cilat shërbimi i provës i kontraktoi dhe bleu për të burgosurit që dënohen nga gjykata jo me burg, por me mbikëqyrje elektronike.

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht vendimin e gjyqtares Rexhina Merkila, e cila ka pranuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për t'u hetuar ky kallëzim i bërë kohë më parë nga ish ministri teknik Gazmend Bardhi. Pas kallëzimit të Bardhit, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos fillojë procedimin penal ndërsa me këtë vendim të gjyqtares pritet që ky skandal tashmë të hetohet.

Ankimi në gjykatë u bë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila këtë fakt e bëri publik dhe pak ditë më parë në takimin e fundvitit me gazetarët. Sipas vendimit të gjykatës organi akuzës nuk mund të pretendojë se nga materiali i kallëzuar nuk ka prova për të provuar ekzistencën e faktit penal.

“Duhet hetuar lidhur me mënyrën e realizimit të kësaj kontrakte, duhet pyetur personi i kallëzuar dhe personat që kanë dijeni për shërbimin e provës”, shkruan në vendimin e saj gjyqtarja Merlika.

Gjatë verës media zbuloi skandalin e byzylykëve ku ministria kishte tenderuar për vlerën e 2 milion eurove 300 byzylyk për mbikëqyrjen elektronike.

Pak ditë më parë, ministrja Gjonaj deklaroi se aktualisht ky shërbim nuk ofrohet më nga shërbimi i provës pasi është duke u testuar siguria e byzylykëve për të shmangur situatat e mëparshme ku të dënuarit kanë mundur ta heqin dhe të largohen apo të shkelin vendimin e gjykatës.

Sipas raportimit të të përditshmes shqiptarja.com ky tender asokohe ishte fituar nga Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solution pas të cilave qëndronte me lidhje të ngushtë edhe Ermal Beqirja i cili ka mbajtur dhe postin e ish kreut të IT-s pranë hipotekave.

dokument arseni me logo
(Vendimi i gjyqtares Rexhina Merkila)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com