Pas gati 6 vitesh në fuqi të skemës së bonusit të bebes që dhuron çekun menjëherë pas lindjes në varësi të numrit të fëmijëve, qeveria po bën skemën e re për shpërblimin e lindshmërisë.
Mbështetja financiare nuk do të jetë vetëm një pagesë në moment kur fëmija lind, por pagesë mujore nga 0 deri në 5 vjeç, shifra e së cilës rritet nga fëmija i parë te treti e në vijim, por vlerat ende nuk janë finalizuar. Kjo skemë e re e premtuar gjatë fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama pritej që të ishte pjesë e buxhetit të këtij viti.
“Nga viti i ardhshëm nuk do jetë një çek në maternitetin e lindjes, por një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve”, tha Rama më 7 maj 2025, teksa zhvillonte fushatën elektorale.
Por vendimi ende nuk është gati. Nga kjo skemë e re pritet të përfitojnë edhe fëmijët që nuk kanë mbushur ende 5-vjeç kur kjo skemë të hyjë në fuqi. Fillimisht u përfol që pagesat do të ishin 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë/muaj për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Shifra që u përfshinë edhe në kuadrin ekonomik 2026-2028 në fazën e parë, por vlerat e sakta të përfitimit ende nuk janë caktuar, pasi kjo skemë e re pritet të ketë edhe efekt prapaveprues, pasi do të merret edhe nga fëmijët që kanë lindur, e që i përkasin grupmushës 0-5 vjeç.
Eksperti i Ekonomisë Fatos Çoçoli thotë se skema duhet të ishte ndryshuar pasi shteti duhet të japë mbështetje për rritjen e fëmijës.
“Skema aktuale të jep para për një moment, nuk të ndihmon gjatë rritjes së fëmijës në rast se ti si familje vendos të bësh një fëmijë të dytë. Skema duhet të ishte e tillë, një fond që ky fëmijë të fitojë çdo vit si ndihmë nga shteti, sidomos për familjet që janë me të ardhura modeste. Ky fëmijë ka nevojë të kujdeset për 18 vite resht qëndro aty nuk po themi që me këto shifra, por ama krijohej një fond sado modest”, thotë Çoçoli.
Lajmi kryesor:
Emigrimi po sfidon ekonominë, 70% e shqiptarëve ikin ‘për kushte më të mira’! Sytë nga vendet e treta për punëtor, 19 mijë të huaj apikuan për leje qëndrimi vjet










