Një vajzë, në mesin e punonjësve që autoritetet gjetën të hënën në mbrëmje (13 prill) në call centerin e zbuluar në godinën vetëm 100 metra larg qendrës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Kavajës, vendosi të flasë.
Ajo u tregoi hetuesve të gjithë skemën, si gjendeshin kontaktet e personave të huaj që mashtroheshin, rolet e gjithsecilit, dhe më kryesorin, personin që qëndron në krye të këtij rrjeti mashtrues, që deri më tani, sipas denoncimeve, mendohet tu kenë zhvatur qytetarëve evropianë, 50 milionë euro.
Vajza, identitetin e së cilës Report Tv zgjedh ta ruajë, e çoi grupin hetimor në zyrën e bosit të saj, Granit Pepnika, të cilin siç ajo dëshmoi, punonjësit e njihnin. Zyra e tij ndodhej në call center. Operatorët e "Upstream Creative" kishin arritur të shihnin të gjithë personat që hynin e dilnin nga zyra e tij. Grupi hetimor sekuestroi në zyrë kompjuterin e Pepnikës, me origjinë nga Tropoja, që pritet të jetë një provë e rëndësishme për vijimin e hetimeve.
Ky emër, Granit Pepnika, ishte i ri për autoritetet, megjithatë me provat e mbledhura, pritet të lëshohet urdhër arresti ndaj tij dhe ka dyshime se nuk ndodhet në Shqipëri. Por të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet, ishin zbuluar me prova gjatë hetimeve 2-vjeçare, që prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto, kishte nisur në bashkëpunimin me policinë dhe me partnerët austriakë, shtet që sinjalizoi i pari pas denoncimeve të shumta të qytetarëve të saj të mashtruar nga call center në Tiranë.
Përmes gjurmimit të IP-ve fundore, pra se kush i përdorte ato, u gjetën prova për përfshirjen e të paktën 9 personave, ndaj të cilëve me kërkesë të Prokurorisë, u caktuan masa sigurie nga Gjykata e Tiranës. Ndaj tyre mësohet se u bënë përgjime dhe vëzhgime ambientale që çuan grupin hetimor në gjurmët e rrjetit. Policia ekzekutoi 6 prej masave (5 arrest me burg, 1 ndalim dalje jashtë vendit), ndërsa 3 u shpallën në kërkim (2 me arrest me burg, 1 ndalim dalje jashtë vendit).
Kur është ndërhyrë në godinën në qendër, ku call center e zhvillonte aktivitetin në 2 kate, teksa grupi hetimor ishte në katin e gjashtë, ata 2 kate më sipër, në të 8-in, janë larguar përmes ashensorit.
Njëkohësisht, u ndërhy edhe në dy call center të tjera pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, të vendosura në katet e para të bizneseve në një pallat. Edhe aty, kur ekipi ndërhyri të hënën në mbrëmje (13 prill), u gjetën punonjës, edhe pse në numër të vogël. Salla plotë me kompjuter, të cilët u sekuestruan, bashkë me telefonat e operatorëve, brenda të cilëve ka shpresa për prova të reja. Autoritetet arritën të zbulojnë edhe kompjuterët e drejtuesve të ekipit të punonjësve, “Team leader”. Në ambientet e call center, lista klientësh të mashtruar, emrat e punonjësve dhe shumat që ata kishin arritur tu vidhnin të huajve me mashtrim...dhe një thesar për autoritetet, lista me adresat e call center të tjera të shpërndara nëpër kryeqytet.
Vështirësia për t’i gjetur këta call center është e lartë. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ka me dhjetëra aktivitete të regjistruara, me emra dhe adresa të ndryshëm. Në fakt, siç burime nga grupi hetimor thonë, të dhënat e deklaruara janë për të humbur gjurmët. Adresat e deklaruara në QKB nuk korrespondojnë me aktivitetin në terren. Zyrat ku vërtetë punojnë realisht ekipet e mashtrimit, janë kryesisht me status jo aktiv, dhe në adresa të tjera nga ato të deklaruara në QKB.
Shifrat marramendëse që punonjësit arrin tu merrnin të huajve përmes mashtrimit nga llogaritë e tyre bankare, për të humbur gjurmët, përfundonin në portofole digjitale kriptovalutash. Për t’i pasur cash, burime nga grupi hetimor, thonë se u shërbente një exhchange në Tiranë, punë të cilën burimet thanë se e kishin marrë përsipër Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra. Ky i fundit, 23-vjeçari Agastra, rezulton i arrestuar edhe më herët, në 2024-ën, në një grup me kryefinancierin e televizionit të familjes Berisha, “Syri Tv”, Evis Sopi, i cili kishte një Exchange që dyshohej se e përdorte për të këmbyer kriptomonedhat në para cash
Qëllimi i mashtruesve në këto 3 call center të zbuluar nga Prokuroria, ishte të piketonin qytetarë europianë të cilët i kishin humbur paratë në skema të tilla. Operatorët premtonin se mund t’i rikuperonin paratë që ata kishin humbur. Veçse për ta bërë këtë, do duheshin pagesa, nga 1 mijë euro. Pra skema fillonte me 1 mijë euro për të rikuperuar 10 mijë euro të humbura, përshembull, por gjatë procesit mashtruesit kërkonin edhe shuma të tjera parash. Qëllimi: T’i merrnin personave të mashtruar një herë, edhe qindarkat e fundit që u kanë mbetur.
Hetuesit dyshojnë se pas të treja këtyre call center-ave të goditur, por edhe të tjerave të përhapura në Tiranë, fshihet një emër, tropojani Granit Pepnika. Që call centerat e zbuluar pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, kanë lidhje me atë të zbuluar në godinën te Rruga e Kavajës, hetuesit e lidhin edhe me një dyshe. E para, me masë ndalimi për të dalë jashtë vendit, Aida Vokli 33 vjeç. Ajo është financiare në call centerin pranë Liqenit “Magnolia Group", ndërsa partneri i saj, është IT kryesor në call centerin pranë qendrës, Ledio Toçi, i arrestuar.
Përveç 9 masave me vendim gjykate, kur autoritetet ndërhynë në këto call center-a, gjetën në to, edhe 5 persona, të cilët u prezantuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve. Ata u arrestuan në flagrancë. Një tjetër me funksione të tilla, një 24-vjeçar, u shpall në kërkim. Ka dyshime se punonjësit kryesorë me statuse drejtuese për ekipin e operatorëve apo edhe me role organizative për funksionimin e skemës, kishin edhe aplikacionin “Signal”. Aty ka dyshime të jenë edhe të dhënat e portofolit dixhital të kriptovalutave, i cili ende nuk është gjetur, por ekspertë shqiptarë dhe të huaj po punojnë mbi provat e gjetura.
Dhjetëra punëtorë të kapur në flagrancë të cilët u morën në pyetje, të arrestuar si eprorë të tyre, administratorë, IT, financierë, e mirëmbajtës interneti, 443 kompjuter, 238 telefona celularë, e DVR të sekuestruar, me gjasë dëshmojnë se ky operacion nuk është dekonspiruar, pavarësisht se koka e rrjetit ia hodhi. Të gjithë u gjetën të papërgatitur. Gati 900 mijë euro cash u gjetën në ambientet e call center-ave. Nuk janë numëruar akoma para të gjetura në zarfe që u jepeshin si shpërblim operatorëve në rast se kalonin objektivat e caktuara të shumave që duhej tu vidhnin të huajve.
Jo rastësisht kjo goditje. Burime thonë për Report Tv, se ndërhyrja e parë në këto call center-a është bërë nga prokurorja e Tiranës Rovena Zoto, 11 austriakë dhe 4 OPGJ të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët janë njoftuar në moment të fundit nga prokurorja, pa ditur as vendin, dhe as subjektet.
Më tej, kur operatorët dhe provat janë gjetur në sallë, është kërkuar ndihma e forcave shtesë të policisë.
Hetimi nisi me indicien e austriakëve, por u zbulua se nga call center-at nga Tirana, mashtroheshin edhe grekë, spanjollë, kanadezë, amerikanë, italianë dhe gjermanë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente












Shpesh degjoja vajza e djem qe punonin ne Call Centera neper Tirane. Disa sapo kishin mbaruar universitetin privat me provime te ndihmuara nga zarfet e prinderve fukarenje. Keta persona sot jane ekonomistet e rinj qe dolen nga banakt e Krsitalit apo te ndonje Universiteti privat, ku profesoret i kishin "hajdute zarfeshe" dhe vete u bene hajdute me telefon dhe kompjuter. Ja kush eshte rinia e sotshme ne Tirane dhe me çfare merret: mashtrim dhe vjedhje. Denimet, shpresojme dhe duhet te jene shembullore qe te mos lejojne te tjere te rinj te vjedhin qytetaret europiane.
PërgjigjuColl center ka ne te gjith qytetwt tropojanet komandojn drogen coll centerat e cdo poshtersi ne shqiperi me baben e tyre sali
Edhe mue per qytetaret evropian me ha meraku, se keta te rinjte tane per te cilet kjo qeveri sot e 14 vite ne pushtet nuk po ju ofron dicka me te mire se me vjedh qytetaret e huaj dhe te brendshem.
Nuk kanë faj ajo kategori që thoni ju!! Ata janë punëtorë që nuk e dinë se si fillon dhe ku mbaron mashtrimi. Ata kanë për detyrë të telefonojnë por fajtori është ai që ka ndërtuar skemën dhe përfiton të ardhurat!