Për të forcuar lidhjet me diasporën shqiptare apo edhe për të rritur bashkëpunimin me ta, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha thotë se duhet fillimisht të kryhet identifikimi i tyre. Ai i bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të regjistrohen në një platformë që ministria thotë se e ka gati. Gjatë punimeve të samitit nuk kanë munguar as kritikat për mungesën e mbështetjes së diasporës shqiptare.

***

"Nuk dimë akoma ku kemi njerëzit tanë dhe kjo është fatale."

Mungesa e një regjistri të posaçëm që identifikon shqiptarët kudo ndodhen nëpër botë ishte një nga shqetësimet kryesore të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha.

Identifikimi i diasporës shqiptare, talenteve dhe profesionistëve në fusha të ndryshme u konsiderua nga ministri si hap kyç për rritjen e bashkëpunimit me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Hartëzimi i komuniteteve tona dhe regjistrimi, në çfarë fushe janë…. Kemi një platformë ku kushdo, nëse është i interesuar, të regjistrohet, nuk ka nevojë të japë të dhëna personale. Të orientojmë më mirë shërbimet tona konsullore. Pra të thuash jam diplomat dhe jam në Kopenhagen nuk ka asnjë problem për të dhënat personale”,- tha Hoxha.

Pjesë e diskutimit ishin shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, por nga Greqia, aty ku komuniteti ynë është më i madh dhe më aktiv, kërkesat ishin më të drejtpërdrejta. Kryefjalë njohja e pensioneve.

Pyetja: Marrëveshja e pensioneve. A mendoni që është e mundur që për brezin e parë që ka kontribuar edhe në Shqipëri, por atje ku mërguan ikën shumë të rinj edhe atje kanë punuar në të zezë, të krijohet një fond humanitar, që shteti shqiptar t’i mbështesë në moshë të thyer.

Hoxha: Do e diskutojmë shumë shpejt me homologun grek. Kemi modele, do ndërtohet mbi praktikat më të mira. Nuk janë negociata të thjeshta, ka interesa financiare. Nuk i imponohemi dot askujt. Do mundohemi të gjejmë rrugën dhe momentin për të diskutuar dhe dakordësuar.

Mbështetje nga shteti shqiptar u kërkua edhe për shkollat shqipe, ndërsa për të rinjtë më shumë mundësi.

“Në Greqi kemi njerëz shumë të suksesshëm, të brezit të dytë dhe të tretë. Duhet të gjendet një mënyrë që të mbështeten. I kemi mëshuar shumë folklorit, sa këta të rinj mendojnë që Shqipëria është veshje popullore, polifoni dhe byrek. Duhet hapur rruga”,- tha Rovena Xhori/ Kryetare e komunitetit shqiptar në Greqi.

“Nuk kemi shkolla shqipe në diasporë, kemi kurse të gjuhës shqipe, grupime personale ose me mbështetjen e dikujt. Shkolla ka lëndë të ndryshme, ka godinë, ka klasa, ka qera, sepse është shpërndarë një gjë që nuk qëndron. Mbrojtja e gjuhës shqipe është detyrë e shtetit. Arka e shtetit nuk e ka mundësinë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë hapi i parë”,- tha Klarita Selamanaj/ Kryetare e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Greqi.

18 panele të tilla diskutimesh, me tematika të ndryshme që prekin drejtpërdrejt diasporën shqiptare, u organizuan për 2 ditë në Pallatin e Kongreseve në kuadër të Samitit të Katërt të Diasporës.