Tre Call Centera që dyshohet se kryenin aktivitete të paligjshme duke mashtruar qytetarë europianë me qëllim zhvatjen e shumave të mëdha të parave, janë goditur në një operacion gjatë ditës së sotme. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se dy prej Call Center-ave ndodheshin në zonën pranë Kopshtit Zoologjik, ndërsa njëri prej tyre në Rrugën e Kavajës. Te rruga e Kavajës raportohet se kanë qenë 3 kate që përdoreshin si ambiente Call Center-ash për mashtrimin e qytetarëve europianë, por në dy kate, dyert kanë qenë të mbyllura ditën e sotme.
Operacioni është kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, i drejtuar nga prokurorja Rovena Zoto, në koordinim me autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kanë qenë edhe iniciatore, duke referuar materialet që kishin në dispozicion, drejt institucioneve të vendit tonë. Hetimet kishin nisur 2 vite më parë, fill pasi autoritetet gjermane dhe austriake ndanë informacionet që dispononin me autoritetet shqiptare.
Call Centerat raportohet se kishim me dhjetëra ‘të punësuar’ (konkretisht 70 persona, kryesisht operatorë), që dyshohet se kryenin aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit. Vetëm në Call Center-in që ndodhej te Rruga e Kavajës janë gjetur brenda gjatë operacionit 60 punonjës.
Prokuroria mësohet se ka nxjerrë 9 masa sigurie, për personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ndërkohë raportohet se 4 persona kanë rënë në pranga, teksa vijojnë kërkimet për të tjerët.
Gjatë operacionit raportohet se janë sekuestruar shuma të mëdha të parave, konkretisht mbi 800 mijë euro, të dyshuara si të vëna përmes aktivitetit të paligjshëm të mashtrimit, si dhe kompjutera e pajisje të tjera që shërbenin për zhvatjen e qytetarëve europianë.
Pak kohë më parë, një tjetër operacion i madh kundër Call Center-ave u zhvillua në kryeqytet, ku u zbulua se aktiviteti i mashtrimit të qytetarëve europianë kryhej edhe në ambientet e 2 kullave luksoze në Tiranë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











